Mbidoza vret endacakun 30-vjeçar
Mbidoza e heroinës i ka marrë jetën një 30-vjeçari, i cili kalonte natën në një godinë dykatëshe të pabanuar në Tiranë. Ai është gjetur rastësisht nga banorët e zonës gjatë paradites së djeshme dhe menjëherë është njoftuar policia. Uniformat blu, kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes, që ndodhet pranë godinës së gjendjes civile nr. 4 në rrugën "Bardhyl", e kanë gjetur të ngrirë Robert Hasanin. Ai kishte hyrë në një godinë dykatëshe pas Farmacisë Nr. 10, që nuk banohej prej vitesh dhe aty ka përgatitur edhe dozën e lëndës narkotike, të llojit heroinë. Por, pikërisht kjo e fundit i ka marrë jetën. Sipas ekspertëve të policisë, përdorimi i drogës në sasi të madhe ka bërë që i riu të kalojë në mbidozë, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, vdekja e tij mund të ketë ardhur pak orë pas mesnatës së djeshme, ku kanë ndikuar edhe temperaturat e ulëta. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur edhe disa shiringa, që dyshohen se ishin përdorur nga viktima për të injektuar lëndën narkotike. Fillimisht, as banorët e zonës dhe as policia nuk kanë mundur të identifikojnë 30-vjeçarin, por brenda një kohe të shkurtër zgjidhja ka ardhur nga agjentët e antidrogës. Këta të fundit e njihnin Robert Hasanin si kontingjent i përdoruesve të drogës, kështu që kanë mundur të bëjnë edhe identifikimin e tij. Sipas policisë, ai njihej si endacak dhe shpesh herë ishte parë në zonën ku është gjetur i vdekur. Pas kryerjes së veprimeve të para, trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës, ku është kryer edhe ekspertiza. Nga të dhënat mjekoligjore mësohet se viktima nuk ka shenja dhune, por duket qartë përdorimi i drogës në sasi të madhe.