E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet në Lezhë, bllokohen dokumentet e abuzimeve

Policia dyshon se në grupin e pesë të arrestuarve në Lezhë gjatë operacionit "Shitja e fundit" janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Por, nga ana e tyre, të prangosurit e kanë hedhur poshtë pretendimin e policisë, duke mos pranuar edhe akuzat e ngritura për shitje të paligjshme të trojeve në bregdetin e Shëngjinit. Burimet nga grupi hetimor në policinë e Lezhës bënë të ditur se hetimet për këtë grup, ku pesë persona u arrestuan, ndërsa dy të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë, kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Pas arrestimit, të dyshuarit, mes tyre një avokat dhe një notere, i kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria. Noterja Zana Dema dhe avokati Pjetër Miloti kanë pretenduar se kishin kryer vetëm veprime ligjore dhe nuk ishin përfshirë në afera korruptive, duke respektuar detyrën shtetërore. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe tre qytetarët e tjerë lezhjanë, të cilët kanë pretenduar se trojet e shitura i kishin të trashëguara dhe ligjërisht ishin pronë e tyre. Megjithatë, deklaratat e tyre mohuese nuk e kanë bindur prokurorinë për t‘i lënë të lirë. Ata pritet që nesër të dalin përpara togave të zeza në Lezhë, ku do të caktohet edhe masa e sigurisë për secilin të arrestuar. Nga ana tjetër grupi hetimor në Drejtorinë e Policisë së Lezhës bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë vijuar me mbledhjen e provave kundër këtyre personave, me qëllim dokumentimin e plotë të veprave penale të kryera prej tyre. Një kërkesë e prokurorisë së rrethit është dërguar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Nëpërmjet kësaj kërkese, organi i akuzës ka kërkuar që t‘i vihet në dispozicion gjithë dokumentacioni i pronave të proceduara nga ish-punonjësit e kësaj zyre, të cilët dyshohen për abuzim me detyrën. Veçanërisht, prokuroria ka kërkuar listën e trojeve të paluajtshme, që janë përpunuar gjatë dy muajve të vitit 2005, kur mendohet se është kryer edhe abuzimi me pronat në bregdetin e Shëngjinit. Sipas policisë, Zana Dema, me profesion notere, Pjetër Miloti, ish-punonjës i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Lezhë dhe aktualisht avokat, Gjergj Paloka, Vasel Milaj dhe Ardian Colaj, pronarë toke, janë arrestuar, pasi kanë mashtruar në shitblerjen e një sipërfaqeje prej 101 dynym në bregdetin e Shëngjinit. Policia tha se me këtë abuzim të kryer janë shkaktuar rreth 2.5 milionë USD dëm shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›