"Pse duhet të bëhemi mësues?" Maturantët këshillohen te Shkencat
Maturantë të shkollës së mesme të përgjithshme "Qemal Stafa" kanë vizituar dje Fakultetin e Shkencave të Natyrës, me synimin e njohjes me diplomat. A duhet të ndjekim degët e Mësuesisë apo jo? Kjo është një ndër çështjet më të rëndësishme që debatohet mes të rinjve, të cilët janë në prag të konkursit për në universitet. Një këshillë ata mund ta marrin tashmë edhe nga fakultetet, përpos nga familja apo miqtë. "Këshillim karriere" është programi që po zbaton Ministria e Arsimit dhe që ka për qëllim të njohë të rinjtë me ofertat e shkollave të larta. Një projekt ky, që favorizon gjimnazistët e qyteteve, ku ka universitet. Dje, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ishte i hapur për të gjithë maturantët e shkollës së mesme të përgjithshme "Qemal Stafa" në Tiranë. Pedagogët kanë prezantuar para studentëve të ardhshëm programet e studimit, vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, kushtet e mësimdhënies që ofrohen etj. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, i pranishëm në këtë takim, ka shprehur nevojën që ka vendi për mësues të lëndëve ekzakte. "Ne jemi këtu për një arsye të thjeshtë, por të rëndësishme: Vendit i nevojiten të diplomuar në shumë fusha dhe ka një trend jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën për të shkuar drejt shkencave humane. Zhvillimit social dhe ekonomik të vendit i duhen matematikanë, fizikanë, kimistë, ashtu siç i duhen inxhinierë", u shpreh ministri Pollo. Ndërsa, të rinjtë shprehën interes për mundësinë e punësimit, që të ofrojnë diplomat e Fakultetit të Shkencave Sociale. Profesorë të njohur të tij kanë shpjeguar rëndësinë e këtij fakulteti me traditë, si dhe mundësitë e punësimit që ofrohen pas diplomimit.
"Këshillimi i karrierës" konsiston në dy pika: Turi njohës i pedagogëve në shkollat e mesme dhe vizitat e nxënësve të këtyre të fundit nëpër fakultete. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve shkollat e mesme do të krijojnë mundësinë që jo vetëm nxënësit maturantë dhe të tjerët, por edhe prindërit të ndjekin takimet me përfaqësuesit e universiteteve. Objektivi i "Këshillimit të karrierës" është që nxënësit, aktualisht maturantët e shkollave të mesme publike dhe private, por edhe të ardhshmit, para provimeve të maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar.