Qeverisja e mirë, në krye Bashkia e Korçës
Bashkitë e Korçës, Rubikut, Durrësit, Sarandës, si dhe Komuna e Otllakut janë renditur të parat në klasifikimin e bërë nga koalicioni shqiptar kundër korrupsionit (ACAC) gjatë raportimit të rezultateve të qeverisjes së mirë. Monitorimi i realizuar në 40 bashki dhe komuna të vendit përfshin periudhën 3-mujore tetor-dhjetor 2007. Sipas përfaqësuesve të këtij koalicioni, firmosja publike e premtimeve për një qeverisje të mirë ishte hapi i parë i iniciativës së ndërmarrë. Në këtë fazë të projektit, kandidatët që konkurruan për kryetar bashkie apo komune premtuan se nëse zgjidheshin do të zbatonin disa nga parimet universale të qeverisjes së mirë. "Kështu, gjatë fazës së dytë u ngritën grupe qytetarësh për të monitoruar punën e bashkisë dhe të këshillave bashkiakë në ato qytete dhe komuna, ku ishin firmosur parimet e qeverisjes së mirë", shprehen drejtuesit e ACAC. Ata bëjnë të ditur se për këtë proces u njoftuan edhe kryetarët e bashkive dhe komunave. Këto komitete monitoruesish përbëheshin nga 6 deri në 14 qytetarë, të cilët takoheshin javën e parë të çdo muaji për të analizuar performancën e qeverisjes lokale. Përpara diskutimit, zyra e kryetarit të bashkisë ftohej për të përshkruar përpjekjet e administratës së saj për të promovuar qeverisjen e mirë dhe më pas pa praninë e tyre qytetarët diskutonin dhe votonin për të arritur konsensus në dhënien e pikëve në kartat raportuese. Këto të dhëna u përpunuan nga zyra qendrore e ACAC në Tiranë. Procesi i monitorimit përfshiu bashki e komuna si ato të Elbasanit, Krujës, Shkodrës, Orikumit, Librazhdit, Kukësit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Pezës, Novoselës, Shushicës, Korçës, Durrësit etj. ACAC, si një strukturë në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë, ka në bazë të këtij projekti forcimin e bashkëpunimit mes të zgjedhurve lokalë, të dalë nga zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 (kryetarët e rinj të bashkisë) nga njëra anë dhe qytetarëve, komunitetit që votuan për ta në anën tjetër, përmirësimin e transparencës së pushtetit lokal apo promovimin e praktikave më të mira të qeverisjes së mirë.