E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i zemrës

Në fillim, ideja i ishte dukur çmenduri edhe Doris Taylor, pedagoge e Mjekësisë dhe Filozofisë në universitetin "Minesota", e cila në fakt, gjithmonë ka pasur një moto të sajën: "beso në idetë e çmendura". Sot në të gjithë laboratorët e botës studiuesit pyesin veten se përse e kishin lënë pas dore këtë iniciativë. Në fakt, mjafton të kopjosh atë që ka krijuar nëna natyrë, për të "ndërtuar" një zemër të gjallë, që rreh dhe që është e pajtueshme me atë çka ndien. Ndoshta për momentin mund të jetë një mi ose derr, por në të ardhmen (shpresohet) mund të jetë një njeri që pret për një transplant.

Organ i ndërlikuar

Kalim i pakapërcyeshëm në rigjenerimin e zemrës nuk ishte numri apo lloji i qelizave të nevojshme, por si të kërkojmë një strukturë tredimensionale përmbledhëse: "Zemra është një organ i mrekullueshëm", thotë doktoresha, më pas shton "dhe as nuk çohej nëpër mend që mund të ‘ndërtohej‘ në laborator".

Kjo ide i erdhi në mendje 3 vjet më parë kur u kujtua se mund të transplantonte valvulat e derrit te njeriu në këmbim të atyre defektoze. Për të shmangur flakjen duhej fillimisht të zhvisheshin nga pjesa qelizore dhe të mbahej vetëm matrica ekstraqelizore (matrica ekstraqelizore zëvendëson çdo pjesë të një indi që nuk është komponent i një qelize), pra "skeleti". Për analogji mendoi se në të njëjtën mënyrë mund të merrte një zemër nga një kufomë, ta "zhvishte" nga qelizat duke i lënë vetëm formën dhe më pas ta bashkonte me qelizat e gjalla. "Janë dashur 3 vjet punë, me gabime dhe korrigjime, por tani jemi në rrugë të mbarë", thotë Taylor e kënaqur.

Zemra e parë mbi të cilën kanë eksperimentuar është ajo e miut: nuk e kanë bashkuar me asnjë qelizë duke mbajtur matricën ekstraqelizore që karakterizon barkushet, enët e gjakut dhe valvulat. Në këtë pikë zemra e minjve nga e kuqe u bë e bardhë dhe e palëvizshme. Më pas në "skelet" injektuan disa qeliza të marra nga zemra dhe veshja e arterieve koronare të minjve të sapolindur. Më pas të gjithë zemrën e futën në një vend për t‘u zhvilluar.

Strehë e sinkronizuar

Kur mendohet për zemrën, nuk imagjinohet një grumbull qelizash të vetme. Në të vërtetë është përbërja e të gjithë llojeve të ndryshme të qelizave që i jep zemrës aftësinë të pompojë gjakun. Disa qeliza formojnë indin lidhor, shtresë të cilën doktoresha e ka përdorur për mbjelljen e saj, të tjera bëhen valvula kardiake, ndërsa të tjera janë qeliza muskulore që i japin zemrës aftësinë për të pulsuar.

Nëse shkatërrohet zemra e një embrioni (përmes enzimave të ndryshme) dhe këto qeliza vendosen në një pllakë laboratori, do të vërehet se pas pak kohësh disa prej tyre do të fillojnë të pulsojnë në mënyrë të pavarur nga tjetra, disa pulsojnë më lehtë e disa të tjera më fort. Qelizat pulsojnë në mënyrë autonome deri në momentin sa nuk do të preken me njëra-tjetrën. Por pas dy apo tri ditësh këto qeliza shumëfishohen, formojnë një shtresë unike dhe fillojnë të pulsojnë të gjitha njëherësh. Mbi muret e qelizave janë formuar disa pore përmes së cilave citoplazmat e brendshme të qelizave hynë në kontakt. Mjafton vetëm kjo që qelizat të punojnë të gjitha së bashku, duke u paraqitur si një organ i vetëm. Nëse qelizat nuk pulsojnë të gjitha njëherësh vërehet një aritmi dhe për t‘i sinkronizuar përdoret një shkarkim elektrik.

Rritje për 10 ditë

Kjo shpjegon pse studiuesit i kanë stimuluar këto zemra elektrikisht dhe bënë të mundur rrjedhjen e gjakut për 10 ditë brenda këtyre zemrave për t‘i rritur. Katër ditë pas mbjelljes së qelizave mbi pllakë është shfaqur tkurrja e parë dhe pas tetë ditësh zemrat po pulsonin. "Morëm një pjesë të këtyre zemrave të reja dhe e pamë në mikroskop. Qelizat ishin aty, si më parë. U ngjanin qelizave kardiake. Dhe jo vetëm kaq. Qelizat ishin riorganizuar në murin e zemrës: ato që duhej të bënin enët e gjakut ishin spostuar ku ndodheshin enët dhe aty kishin zënë vend dhe ato që duhej të bënin muskujt ishin angazhuar në muret e zemrës dhe kishin filluar të bënin muskul të ri", shton më tej doktoresha.

Kjo na thotë shumë gjëra, se "skeleti" i zemrës, indi ekstraqelizor përmbajnë më shumë informacione nga ç‘ishte parashikuar dhe se qelizat dinë si të përgjigjen. "Kur vumë re tkurrjen e parë mbetëm pa fjalë", thotë një tjetër studiues. Në fakt, në harkun kohor të dy javëve qelizat kishin formuar një zemër të re pulsuese.

Lamtumirë transplantimit

Sot pyetjet mbi zemrën nuk marrin ende një përgjigje. Zemrat e disponueshme për transplant janë pothuajse një e treta e atyre që nevojiten. Tani kërkuesit hedhin hipoteza se me këtë teknikë mund të prodhohen edhe organe të tjera si veshkat, mëlçia, mushkëritë, pankreasi. Nëse kjo metodë funksionon, atëherë nuk do të ketë më pacientë që do të presin për një organ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›