E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët: Berisha, hiqe Xhuvelin

Etiketohet kurbani i parë i ndryshimeve brenda qeverisë. Aleatët e PD-së kanë kërkuar nga Kryeministri Berisha të largojë nga kabineti ministrat që gjatë zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 nuk kanë qenë përkrah të djathtës. Nga kjo deklaratë bën përjashtim PBDNJ-ja, e cila para zgjedhjeve të 3 korrikut shpalli pozicionin e saj se do të bëjë marrëveshje me cilëndo parti që do të vijë në pushtet. "Daullet" në këtë rast bien për largimin e ministrit më të vjetër të qeverisë, Lufter Xhuvelin. Pas Dules, Mediut dhe Zogajt, ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, i cili ka kërkuar që të përjashtohet nga koalicioni qeveritar, Lufter Xhuveli. "E djathta duhet reformuar në vlerën e 3 korrikut 2005. Kjo do të thotë që disa parti, të cilat janë shfaqur në mënyrë aksidentale, duhet të kthehen në origjinën e tyre, përjashtuar Dulen, që është prononcuar edhe para zgjedhjeve", tha Lesi. Ndaj presionit të deputetëve të Partisë Demokratike për ndryshime në qeveri, aleatët kanë drejtuar gishtin nga kryetari i agraro-ambientalistëve, duke thënë se nuk ka më vend për atë në koalicion. Të fshehur nën petkun e reformimit, aleatët e PD-së, kush në mënyrë direkte dhe kush në mënyrë indirekte, kërkojnë përjashtimin e agrarëve. "I mbetem partizan idesë që duhet ndryshuar qeveria në maj, menjëherë pas Samitit të Bukureshtit", tha Lesi, i cili nuk ka ngurruar të tregohet ironik ndaj agrarëve, duke thënë se "i shfrytëzuari mbetet i shfrytëzuar përherë".

Edhe Partia Demokratike ka kërkuar që të jetë më përfaqësuese në qeveri, për vetë faktin se zgjedhjet e 3 korrikut i fitoi PD-ja dhe ndërkohë pushtetin po e gëzojnë më shumë aleatët e saj, sesa deputetët që fituan nën siglën e Partisë Demokratike. Deputetët e PD-së kundërpërgjigjen ndaj aleatëve, duke u shprehur që "të shikohen raportet me ministrat aleatë në ekzekutiv". Më shumë militantë të punësuar ka Partia Demokrate Reformatore dhe Partia Demokristiane, të cilat kanë larguar nga vendet e punës si mësues dhe mjekë ata që ishin vënë me urdhër të njerëzve të caktuar të Kryeministrit Berisha. Pra, pakënaqësia e ndarjes së pushteteve ka detyruar që edhe aleatët të vendosin nën shënjestër, aleatin më të dobët të qeverisë, Lufter Xhuvelin, i cili ka në Kuvend vetëm dy vota të vlefshme për mazhorancën. Nga ana tjetër, Vangjel Dule ka qenë i pari që ka kërkuar ndryshime në qeveri, për të cilat është shprehur se sakrifikon edhe postin e ministrit nën siglën e PBDNJ-së për hir të funksionimit të koalicionit në mënyrë më të mirë. Zërat për ndryshime janë pasuar edhe nga Partia Republikane. Aleatët më besnikë të PD-së kanë bërë me dije dje se në koalicion duhet të bëjnë pjesë vetëm ato parti që kanë program të djathtë. Riformatimi i së djathtës mbetet përsëri në qendër të diskutimeve të aleatëve të Partisë Demokratike, duke synuar në këtë pikë flijimin e një ministri aleat. Kryetari i PR-së, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka deklaruar

se ndryshimet në qeveri duhet të bëhen pas Samitit të Bukureshtit. Ministri Mediu pohoi se "është e drejtë e Kryeministrit që ta konsiderojë riformatimin e kabinetit. Asnjë nga ne nuk është i përhershëm në qeveri. Gjithsecila ministri dhe institucion ka përcaktuar planin e vet të veprimit dhe detyrimeve që ka dhe në bazë të kësaj mund të bëhet analiza".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›