Topalli në Bahrein dhe Katar, lobim për Kosovën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe delegacioni që e shoqëron, në vijim të vizitës zyrtare në vendet e Gjirit Persik, është ndalur në Bahrein, ku është pritur nga personalitetet e larta të kësaj mbretërie, e dyta në Lindjen e Mesme në përpunimin e naftës. Njoftimi i bërë nga zyra e shtypit e Kuvendit, bën të ditur se kjo vizitë, e para në 17 vjet në historinë e diplomacisë dhe politikës së dy vendeve, u cilësua "historike", nga krerët e Mbretërisë së Bahreinit. Dy vendet tona, ka deklaruar Al Khalifa, janë të vogla, me një demokraci të re dhe ne, ashtu si edhe ju, kemi prioritet zhvillimin ekonomik. Kjo vizitë e juaja këtu është një gur themeli që i hap rrugë bashkëpunimit të mëtejshëm në transport, turizëm, privatizime e shkëmbime tregtare, që shpresojmë se do të pasojnë këtë vizitë. Ndërsa Topalli e ka njohur Al Khalifa me reformat e fundit fiskale në ndihmë të biznesit, gjë që ka krijuar një klimë shumë inkurajuese për investitorët e huaj, që kanë një interes gjithnjë në rritje për të investuar në Shqipëri. Ajo ka ftuar biznesmenët nga Bahreini që "të investojnë në vendin tonë në infrastrukturë, turizëm etj., si dhe të marrin pjesë në privatizimet e ndërmarrjeve të rëndësishme shqiptare". Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe ajo e fokusuar në çështjen e Kosovës. Duke theksuar qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës mbi bazën e paketës "Ahtisari", Topalli kërkoi mbështetjen e Bahreinit për njohjen e pavarësisë së saj dhe ndikimin e kësaj mbretërie edhe në vendet e tjera. "Kosova do të ketë të gjithë mbështetjen tonë dhe ju garantojmë se do të ushtrojmë edhe ndikimin tonë në vendet e tjera", tha Al Khalifa.