E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Qeveria po dështon me kartat e identitetit

"Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti është një mision i pamundur". Ky është konstatimi i nxjerrë nga LSI-ja, e cila nëpërmjet sekretares organizative, Brisida Gjikondi, ka deklaruar se ende nuk ka asnjë informacion dhe transparencë për procedurat që po aplikohen nga Ministria e Brendshme në lidhje me këtë proces me vlerë kombëtare. LSI-ja i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare, si dhe informon mbarë opinionin publik se procedurat për realizimin e prodhimit dhe pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti realisht tashmë ka nisur dhe nga koha e pakët që ka mbetur është një mision i pamundur. "Nuk ka asnjë informacion dhe transparencë për procedurat që po aplikohen nga Ministria e Brendshme në lidhje me këtë proces me vlerë kombëtare. Infrastruktura e munguar, e cila është thelbësore në këtë proces, të bind që fatkeqësisht sërish jemi përballë dështimit të radhës", është shprehur Gjikondi. Sipas saj, mjafton të evidentojmë mosngritjen dhe mosfunksionimin e sistemit adresor në mbarë vendin, element ky shumë i rëndësishëm, që do zbardhet në kartën e identitetit, ose mosrealizimin e përshtatjes dhe modernizimit të zyrave të gjendjes civile për të kuptuar dështimin e paralajmëruar të këtij procesi. Gjithashtu, është shprehur Gjikondi, rikujtojmë se deri më tani shteti shqiptar ka treguar një joseriozitet ligjor në mënyrën e paqartë dhe kaotike si ka proceduar me mënyrat e ndryshme të tenderimit. Aktualisht, tenderi i radhës, por këtë herë i konceptuar tender me koncesion, është shpallur më 28 shkurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›