E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesat e ish-pronarëve për kompensimin

Shoqata e Pronarëve reagon ndaj draftit të ri të Partisë Republikane, ku kjo e fundit kërkon që të vendosen në dispozicion të kompensimit fizik tokat në bregdet, të cilat nuk përdoren më dhe nuk janë në pronësi të askujt. Paralajmërimi i ish-pronarëve në adresë të republikanëve është se "ju po i propozoni qeverisë që ‘tokat e askujt‘, t‘u jepen për kompensim pronarëve apo ish- pronarëve, siç u pëlqen politikanëve që arsyetojnë vetëm brenda kontureve të mentalitetit etatist dhe komunist". Sipas ish-pronarëve, kompensimi për zonën turistike duhet të parashikohet vetëm për pronat që shfrytëzohen për interes publik, sipas ligjit në fuqi (rrugë ura, shkolla etj.,) si dhe për ato prona që gjatë periudhës së sundimit komunist u tjetërsuan për ndërtime banimi. Gjithashtu, është kërkuar që kompensimi i pronarëve të bëhet me ato prona që rezultojnë se janë prona të shtetit me dokumente të pronësisë të para vitit 1945 dhe zhvillimi i strukturave turistike të respektojë kërkesat ambientaliste e sociale. Nëpërmjet një letre të hapur, drejtuar kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhit, ish-pronarët kanë bërë me dije që të mos lejohet legalizimi i ndërtimeve dhe i pushtimeve të paligjshme të tokave të bëra nga persona të tretë, pas vitit 1991 në zonën turistike, për lokale shërbimi e bar restorante, por këto troje t‘i kthehen pronarit. "Të përjashtohen vetëm rastet e ndërtimeve pa leje, kur në godinat e banimit të ngritura para vitit 1991, banorët pas kësaj kohe, kanë bërë shtesa anësore, të cilat nuk bien ndesh me planin urbanistik dhe kushtet teknike", thuhet në letrën drejtuar republikanëve. Kthimi i pronës duhet të jetë detyrim i shtetit, pasi ai i ka të gjitha instrumentet, kadastrat, zyrat e regjistrimit, hipotekat, Arkivin e Shtetit, dokumentet e shpronësimeve, institutin e hartave, për të dalluar cilat janë prona të mirëfillta të shtetit dhe cilat janë pronat e shtetëzuara për arsyet e ideologjisë komuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›