Aleatët e Berluskonit: Duam zgjedhje të reja
Aleatët e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni e vunë dje nën presion Presidentin italian, Giorgio Napolitano, për të thirrur zgjedhjet e parakohshme, për të cilat sondazhet thonë se do të rikthejnë në pushtet konservatorin miliarder. Presidenti Napolitano zhvilloi ditën e tretë të bisedimeve për zgjidhjen e krizës me liderë të politikës që synojnë të mbushin vakumin e pushtetit, të krijuar kur Kryeministri i qendrës së majtë, Romano Prodi, dha dorëheqjen javën e kaluar pas 20 muajve në pushtet. Napolitano mund të emërojë një qeveri të përkohshme, një opsion i favorizuar nga koalicioni i qendrës së majtë të Prodit. Por lëvizjet e tij për konsensus kanë dështuar deri tani për të ndikuar në qendrën e djathtë të Berluskonit, për të cilët analistët thonë se do t‘i leverdiste zhvillimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve, ndërkohë që rrëzimi i Prodit është ende i freskët në mendjet e votuesve. Gazetat italiane shkuan dje për kërcënimet e Berluskonit për protesta masive në rrugë, në rast se Presidenti Napolitano dështon të thërrasë zgjedhjet e parakohshme. "Ne i kërkuam Presidentit të Republikës të shpërndajë Parlamentin dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme", tha Roberto Maroni i partisë së krahut të djathtë, Liga e Veriut pas bisedimeve me Napolitanon. Ky i fundit duhet se parapëlqen të rishikojë ligjin elektoral, i cili ka krijuar paqëndrueshmëri politike përpara se t‘i nxjerrë italianët në votime. Media gjithsesi thotë se ai kërkon mbështetje për një qeveri të përkohshme ndoshta e kryesuar nga Presidenti i Senatit, Franko Marini. Por situata e rënduar politike nuk i jep zgjidhje tjetër Napolitanos, veçse të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.