Barak Obama, ky Xhon F. Kenedi i ri
Barak Obama është cilësuar trashëgimtari i Xhon F. Kenedit nga familja e Presidentit pas fitores së thellë që arriti ai në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut. Vëllai i Presidentit të ndjerë dhe vajza e tij, po mbështesin senatorin e Illinoisit, ndërsa mundi Hillari Klintonin, me një përqindje të shkëputur votash në të parën garë demokrate në Jug të Shteteve të Bashkuara. Senatori Eduard Kenedi, një personalitet i rëndësishëm në Partinë Demokrate, planifikon të mbështesë Obamën në Uashington, thanë zyrtarët e partisë. Në fakt, mbështetja e familjes së politikanit me zë në Shtetet e Bashkuara është një shtysë tejet pozitive për fushatën e Obamës. Duke folur për televizionin ABC, Obama tha: "Do ta lë Ted Kenedin të flasë vetë. Askush nuk e bën këtë më mirë se ai. Por, sigurisht që çdo kandidat demokrat do të donte të kishte mbështetjen e tij. Unë sigurisht jam i kënaqur". Ndërkohë, Kerolin Kenedi, shkruante në një artikull në "The New York Times": "Unë nuk kam parë kurrë një President që të më frymëzonte ashtu siç kam dëgjuar të rrëfehet se babai im frymëzonte njerëzit. Por, për të parën herë, unë besoj se kam gjetur njeriun që mund të jetë ai lloj Presidenti. Jo vetëm për mua, por për një gjeneratë të tërë amerikanësh". Mbështetja e klanit Kenedi dhe fitorja vendimtare në Karolinën e Jugut i dhanë Obamës krahë për të ecur me kokën lart drejt primareve të radhës, ato të "së martës së madhe", në 22 shtete njëherësh, duke i dhënë më shumë se 1600 prej delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin e partisë në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në fund të gushtit. Sondazhet sugjerojnë gjithsesi se taktikat e mprehta të kampit Klinton, ia kanë dalë mbanë në disa raste ta shtyjnë Obamën të bjerë në kurth, si "kandidati me ngjyrë", duke e bërë akoma më të vështirë për të tërheqjen e votave të të bardhëve që do të jenë të domosdoshme për të më 5 shkurt, kur elektorati do të jetë rreth 64 për qind i bardhë. Ndërkohë, Hillari Klinton, e fokusuar në Kaliforni, Nju Xhersi dhe Nju Jork, ka lënë bashkëshortin e saj prapa, në Karolinën e Jugut, që të sulmojë Obamën me një seri komentesh raciale që gjithsesi kanë zemëruar "të vjetrit" e Partisë Demokrate. Edhe ndërsa zgjedhësit shkonin në votime të shtunën, në Karolinën e Jugut, ish-presidenti shkaktoi polemika duke e krahasuar Obamën me reverendin Xhesi Xhekson, liderin me ngjyrë aktivist të të drejtave të njeriut që fitoi dy herë në Karolinën e Jugut si garues presidencial i demokratëve. "Xhesi Xhekson fitoi në Karolinën e Jugut në vitin 84 dhe 88. Xhekson bëri një fushatë të mirë dhe Obama bëri një fushatë të mirë këtu", tha Bill Klinton. Ndërsa Obama u përgjigj duke thënë se ish-presidenti kish mbetur i mbërthyer në politikën e viteve ‘90-të. Gjithsesi, dukshëm Partia Demokrate është e fragmentarizuar nga politikat e identitetit. Sondazhet tregojnë se kandidati me ngjyrë ka fituar më shumë votat e njerëzve me ngjyrë ndërsa Hillari Klinton ka marrë votat e të bardhëve. Njerëzit me ngjyrë përbëjnë një mazhorancë të ndjeshme të zgjedhësve në primare dhe në masën 80 për qind kishin votuar për Obamën. Ky i fundit fitoi një të katërtën e votave të të bardhëve, duke mbajtur gjallë me vështirësi argumentin e tij se ai mund të grumbullojë një koalicion të gjerë demokratësh të rinj. Por përveç racës edhe ndarja e moshave është e dukshme. Sipas stafit elektoral të Obamës, ky i fundit ka fituar 52 për qind të votave të të bardhëve nën moshën 30 vjeç, një provë kjo që tregon se ai po ndërton një lëvizje për ndryshim. Strategët e ish-Zonjës së Parë, druajnë se bashkëshorti i saj ka filluar ta lërë në hije kandidaten dhe janë të shqetësuar gjithashtu edhe për refuzimin e kandidaturës së saj nga zgjedhësit me ngjyrë dhe një numër domethënës i të bardhëve, veçanërisht mes të rinjve.