E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon drama e pengjeve në Pakistan

Autoritetet pakistaneze janë dorëzuar para kërkesave të shtatë talebanëve të ngujuar bashkë me 200 fëmijë në një shkollë në Domail, fshat në provincën e trazuar Banu, në kufi me Afganistanin, nga ku prej muajsh po vazhdon një luftë kundër militantëve talebanë dhe ushtrisë pakistaneze. Komanda, pasi kishte siguruar plotësimin e kërkesave, ka liruar nxënësit dhe mësuesit që kishte marrë peng. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Brendshme pakistaneze. Një zëdhënës kishte qartësuar menjëherë, para se të bëhej i ditur lajmi i lirimit të pengjeve, se nxënësit ishin në duart e një bande të përbërë nga shtatë kriminelë dhe jo terroristë siç ishte lajmëruar në deklaratat e mëparshme. Ministria kishte bërë të ditur se personat e armatosur ishin mbyllur brenda shkollës ku edhe ishin rrethuar nga policia e cila u ishte vënë prapa që pasi grupi kishte tentuar të rrëmbente një zyrtar të Departamentit të Shëndetit në distriktin Karak. Në largim e sipër, grupi nuk kishte ndaluar në një postbllok ku edhe kishte shkëmbyer zjarr me forcat pakistaneze. Si pasojë e këtij shkëmbimi zjarri, dy policë ishin plagosur ndërsa ka zëra edhe për vrasjen e një prej pengmarrësve. Sipas të dhënave zyrtare, menjëherë pasi kishin hyrë në shkollë, shtatë personat e armatosur (burime të tjera flasin për pesë), kishin liruar menjëherë të gjithë studentët dhe mësuesit, me përjashtim të 25 personave që i kishin mbajtur si garanci për plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas televizioneve vendase, askush nuk kish mbetur i plagosur brenda në shkollë me përjashtim të dy policëve të plagosur dhe militantit të vrarë më herët, para se grupi i militantëve të mund të hynte në shkollë. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në ditën kur Presidenti pakistanez, Pervez Musharaf, u takua me Kryeministrin britanik Gordon Braun, në etapën e fundit të udhëtimit të tij në Evropë. Një tur gjatë të cilit Musharaf ka mbrojtur institucionet demokratike të vendit të tij dhe ka garantuar se zgjedhjet politike të 18 shkurtit do të jenë të lira dhe të rregullta. Turneu evropian i Presidentit pakistanez, ka shërbyer mbi të gjitha për të rinovuar shpresën e rikthimit, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me ndihmën e vendeve perëndimore, të stabilitetit dhe kjo shpresohet të arrihet nëpërmjet luftës së përbashkët kundër terrorizmit. Në takimin në Downing Street, Musharaf, përsëriti kundërshtinë e tij të fortë për hipotezën e formuluar nga Shtetet e Bashkuara, për dërgimin e marinsave në Pakistan, ku pretendohet se është vendosur "Al Kaeda" dhe rebelët talebanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›