Shuhet kreu i Kishës Ortodokse, Kristodopulos
Kreu i Kishës Ortodokse greke, Arkipeshkvi Kristodopulos, vdiq në moshën 69-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme. Një ndërhyrje kirurgjikale në vitin 2007 rezultoi e pasuksesshme dhe Arkipeshkvi u mund nga kanceri. Arkipeshkvi Kristodopulos, ishte në fakt një figurë e larmishme e njëkohësisht polemizuese. Ai ka mbrojtur rolin e hershëm të kishës në shtetin grek dhe ka mbështetur helenizimin, karakterin kombëtar dhe kulturor të Greqisë. Por, kritikët thonë se nën Arkipeshkvin Kristodopulos, Greqia mbeti një vend që ka diskriminuar ata që nuk ishin ortodoksë, përfshirë këtu edhe katolikët dhe besimtarët e degëzimeve të tjera të krishterimit. Arkipeshkvi i Athinës dhe tërë Greqisë, vdiq në apartamentin e tij në Athinë, konfirmuan zyrtarët. Sipas tyre, ai kishte refuzuar trajtimin në spital, në javët e fundit të jetës. Autoritetet greke kanë shpallur ndërkohë katër ditë zie dhe personalitete të larta po nderojnë Arkipeshkvin. Sinodi i shenjtë grek, organi vendimmarrës i Kishës, ka tani 20 ditë kohë për të zgjedhur pasuesin e Arkipeshkvit.