Aleksandër Hleb i premton besnikëri Arsenalit
Pas zërave të merkatos, se Aleksander Hleb është shndërruar në objektivin kryesor të Barcelonës, menaxheri i mesfushorit ka këmbëngulur se lojtari dëshiron të qëndrojë tek Arsenali. Që prej vitit 1995, kur u transferua nga Shtutgarti, Hleb është bërë një element kyç për formacionin e drejtuar nga Arsen Venger. Menaxheri i 26-vjeçarit, Niki Spilevski, ka konfirmuar se klienti i tij nuk mendon të ndryshojë skuadër në fund të këtij sezoni. "Mund ta kuptoj fare mirë përse Barcelona është e interesuar për Aleksin", tha Spilevski për tabloidin "The Sun". "Megjithatë, atij i pëlqen shumë jeta tek Arsenali. Hleb ndien se luan për klubin më të mirë në botë. Aty ka trajnerin ideal, është shumë i lidhur me shokët e skuadrës dhe dashuron Londrën. Përse do të donte të largohej?". Kapiteni i përfaqësueses bjelloruse ka shënuar dy gola në 21 takime të luajtura gjatë këtij sezoni në Premiership, ndërkohë që "topçinjtë" kryesojnë renditjen, me 2 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Mançester Junajted.
Por, pasi ka marrë fjalën e njërit prej lojtarëve kryesorë, Venger rrezikon të humbasë një tjetër element të rëndësishëm, si Xhilberto Silva. Mesfushori ka deklaruar publikisht se "nuk sheh të ardhme tek Arsenali", pasi ka humbur vendin e titullarit gjatë këtij edicioni. Braziliani ka luajtur vetëm pesë herë si titullar në kampionat, duke vuajtur formën e mirë që po kalojnë Mathiu Flamini dhe Çesk Fabregas, të cilët kanë monopolizuar dy vendet si mesfushorë qendre. "Në këto momente mendoj se nuk kam të ardhme në këtë klub", deklaroi 31-vjeçari, Xhilberto për të përditshmen britanike, "The Guardian". "Do të shoh se çfarë do të ndodhë në muajt në vazhdim, deri në fund të sezonit dhe nëse nuk do më jepet shansi të luaj si titullar, atëherë do të largohem. Qëndrimi në stol më vret shumë dhe nuk mund ta duroj një tjetër sezon si zëvendësues".