E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona: ëndërroja Olimpiadën

Diego Armando Maradona ka treguar se dëshironte të merrte pjesë në Olimpiadën e Pekinit, si trajneri i kombëtares argjentinase të futbollit. fakti që drejtuesit e Federatës Argjentinase nuk e kanë marrë në konsideratë kandidaturën e tij ka zemëruar shumë "El Pibe D‘Oro", i cili pretendon se do të kishte bërë një punë shumë të mirë në këtë detyrë, duke udhëhequr këtë kombëtare që synon të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë. "Jam i kënaqur që ajo kombëtare iu besua Serxhos, por ajo ishte perfekte për mua dhe do të kisha dashur ta drejtoja unë në Lojërat Olimpike", u shpreh Maradona në një radio argjentinase duke konfirmuar në këtë mënyrë se dëshiron të jetë përsëri aktiv në futbollin e luajtur dhe jo më vetëm një spektator i thjeshtë.

Kombëtarja Olimpike e Argjentinës është një prej skuadrave më të kuotuara për të fituar medaljen e artë në Pekin 2008, edhe për faktin se ka në gjirin e saj talente të jashtëzakonshme si Mesi dhe Aguero, futbollistë që e bazojnë lojën e tyre të veprimet spektakolare, pa harruar edhe Rikelmen, që do të jetë i ftuar si lojtar mbi kuotën. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore pse Diego Armando Maradona ëndërronte që të ishte ai në drejtimin e saj gjatë turneut prestigjioz veror. Por Federata Argjentinase ka vendosur që t‘i besojë ekipin Serxho Batistës, ish-shok i skuadrës me Maradonën në përfaqësuese gjatë viteve ‘80. "Mua më pëlqen shumë zgjidhja e tij, por do të më kishte pëlqyer më shumë nëse do të më kishin zgjedhur mua. Kjo kombëtare është e ndërtuar sipas dëshirës time, do të kisha dashur që ta drejtoja unë në Olimpiadë, por është e qartë se nuk isha në asnjë prej listave të atyre që marrin vendime", u shpreh legjenda e futbollit argjentinas që nuk kursen as batutat kundër presidentit Hulio Grondona, mik i afërt i Blater. Njëkohësisht, Maradona ka kritikuar edhe presidentin e Boka Juniors, Pedro Pompilio. "Ai më premtoi se do të isha koordinator i përgjithshëm, por në fund harroi gjithçka. Më ka tradhtuar", ishin fjalët e tij.

Më pas, Maradona ka hedhur poshtë gjithçka që është shkruar në gazetën britanike "The Sun" rreth faljes që ai u ka kërkuar anglezëve për golin e shënuar me dorë në botërorin e vitit 1986. "Është një gazetë skandalesh që kërkon më të keqen e mundshme. Unë kam thënë se nuk kërkoja falje, pasi historia nuk mund të ndryshojë. Për Bekam kam thënë se është një lojtar i madh me një harkim të mirë, por ata kanë shkruar se sipas meje ishte një lojtar si shumë të tjerë. Të vetmet falje në jetën time do t‘jua kërkoj tifozëve të Boka Juniors, pasi kam humbur 5 penallti radhazi me këtë skuadër", u shpreh Maradona. Ai nuk ka kursyer as batutat ndaj ish-shokëve të kombëtares në vitin 1986. "Ajo që më tërbon më shumë është se nuk më telefonoi asnjëri prej tyre. Unë e identifikoj veten me atë ndeshje kundër Anglisë ku fituam në fushë dhe i bëmë që të ulin kokën. Në atë periudhë, shokët e mi të skuadrës vraponin përkrah meje", tha Maradona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›