E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA zyrtarizon "problemin" shqiptar

Vetëm data 21 shkurt mban ende gjallë shpresën për një mospërjashtim të futbollit shqiptar nga aktivitetet ndërkombëtare. Lajmi i publikuar dje nga FSHF-ja rreth vendimit të Komisionit të Federatave të FIFA-s për ultimatumin e fundit ndaj Shqipërisë, është konfirmuar dje edhe në faqen zyrtare të internetit të organizatës që drejton futbollin botëror. Nëse deri dje, punonjësit e MTKRS-së kërkonin lajmërimin zyrtar rreth vendimeve të FIFA-s, nga sot ata do të kenë mundësinë ta marrin atë thjesht duke hapur faqen e internetit të këtij institucioni ndërkombëtar, që e ka cilësuar Shqipërinë si situatën më problematike dhe ka shkruar qartësisht se ajo po shkon drejt përjashtimit pranë fundit të këtij muaji.

Vetë kryetari i Komisionit të Federatave, Geof Tompson, është prononcuar në faqen e internetit të FIFA-s, duke bërë referime të qarta për Shqipërinë dhe situatën që ajo po kalon. "Është mirë kur dëgjojmë që po bëhen përpjekje për të zgjidhur luftën për pushtet në federata të ndryshme anëtare të FIFA-s. Por ne vazhdojmë të kemi disa probleme, si lufta brenda grupeve në federata të ndryshme dhe ndërhyrje politike nga qeveritë apo ministrat e sportit. Ne duhet të jemi të vendosur të ndalojmë gjithçka që mund të rrezikojë pavarësinë e federatave të futbollit", u shpreh Tompson, që është njëkohësisht edhe presidenti i Federatës Angleze të Futbollit. Në raportin e publikuar nga FIFA, janë trajtuar 14 raste shtetesh të ndryshme, ku vetëm në Shqipëri nuk është bërë ende asnjë përpjekje për marrëveshje mes palëve me qeverinë shqiptare, që nuk ngurron të vërë në rrezik edhe praninë e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

"Shqipëria-ndërhyrje politike. Ministria e Sportit ka kërcënuar vazhdimisht pavarësinë e federatës dhe janë bërë akuza të ashpra ndaj presidentit të federatës nga ana e ministrit të Sportit. FIFA kërkoi prova për akuzat, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Statuti i federatës nuk është firmosur, pasi Ministria e kundërshton atë. Asaj i është dhënë një ultimatum për të ndaluar ndërhyrjet e saj dhe të lejojë firmosjen e statuteve para datës 21 shkurt, në të kundërt, kjo federatë do të pezullohet", shkruhet në faqen e internetit të FIFA-s rreth përfundimit të mbledhjes së ditës së martë. Gjatë kësaj mbledhje janë trajtuar edhe çështje të shteteve të tjera, ku në të gjitha rastet, pala shtetërore është tërhequr në të mirë të futbollit. Më i veçantë është rasti i Turqisë, ku Parlamenti po bëhet gati të miratojë një statut të veçantë për Federatën e Futbollit, meqenëse statuti normal bie ndesh me ligjet, një sakrificë që Shqipëria duket se nuk është ende gati ta bëjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›