Kombëtarja Shpresa, e pafat në Vlorë
Dy shtylla dhe një penallti e humbur nga Bakaj në pjesën e parë: ndoshta edhe fati nuk ka qenë me përfaqësuesen Shpresa të Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Artan Bushati ka humbur 0-1 miqësoren me bashkëmoshatarët e tyre maqedonas, edhe pse duhet theksuar se rezultati nuk iu përgjigj lojës së zhvilluar. Nga ana tjetër, maqedonasit sulmuan më pak, por në të vetmin rast të rrezikshëm realizuan golin me Gligorov, pas pasimit deciziv të mesfushorit me origjinë shqiptare, Halili.
Me katër mungesa në formacionin titullar, tre prej tyre në sulm (Malindi, Çani e Sukaj, nuk kanë mundur t‘i përgjigjen ftesës), trajneri Bushati ka pasur mundësi të provonte elementë të tjerë të skuadrës. Gjithsesi, edhe pse ka mbetur përgjithësisht i kënaqur nga paraqitja, ai ka vendosur theksin mbi problemin kryesor të skuadrës. "Ndoshta katër mungesat që kishim ndikuan në këtë ndeshje, por e theksoj që vihemi gjithmonë në vështirësi kur pësojmë gol dhe më pas e kemi shumë të vështirë të rikuperojmë", tha tekniku shkodran. "Gjithsesi, prisja më shumë nga disa elementë, të cilët u aktivizuan sot, edhe pse në vija të përgjithshme nuk luajtëm keq. Të shpresojmë në rikthimin e lojtarëve të dëmtuar për një rezultat pozitiv në takimin ndaj Greqisë, i cili do të jetë tërësisht ndryshe nga ai që pamë në Vlorë". Loja ka filluar me dominimin e kuqezinjve "të vegjël". Hyka e Abilaliaj kanë shkaktuar panik në mbrojtjen kundërshtare. Madje, në të 13-ën, sulmuesi vlonjat i Partizanit fiton edhe një 11-metërsh, i cili nuk shndërrohet në gol nga Bakaj. Portieri Tofiloski ka kuptuar krahun dhe neutralizoi ekzekutimin e fantazistit të 21-vjeçarëve. Edhe pse ky episod i ka goditur psikologjikisht, të besuarit e Bushatit kanë vazhduar sulmet, duke qenë edhe shumë pranë golit të avantazhit. Në minutën e 30-të, Zeqiri devijon me kokë një goditje dënimi të Likës, por shtylla shpëton portën maqedonase. Pas këtij momenti, miqtë fillojnë të shfaqen në zonën e Moçkës dhe gjejnë golin që në rastin e parë të rrezikshëm. Në të 34-ën, Gligorov hyn në zonë, pas një pakujdesie të mbrojtjes shqiptare dhe mposht Moçkën. Kuqezinjtë kanë ngulmuar edhe në pjesën e dytë, por pa pasur saktësinë e duhur në tentativat për të barazuar rezultatin. Pavarësisht se ka qenë miqësore, skuadrat e kanë mbyllur takimin me nga 10 futbollistë: në të 75-ën Bakaj ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Pak sekondave pas tij, të njëjtin fat kishte edhe maqedonasi Çuçuli.