Prizreni synon medalje në Evropë
Mundësi shqiptar, Sait Prizreni, synon të shkruajë emrin e tij mes fituesve në Evropianin që do të zhvillohet në fillimin e prillit në Tampere të Finlandës. Prizreni ka siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Pekin 2008, falë vendit të tretë në Botërorin e zhvilluar në shtatorin e vitit 2007, por dëshiron që aktivitetet e këtij viti t‘i fillojë me një medalje evropiane. "Falë formës që po kaloj dhe stërvitjeve intensive në Evropian do të shkoj me synimin për të marrë medalje, edhe pse e kam siguruar që tani pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. Aktualisht jam zhvendosur në Prizren, ku po stërvitem në kushte shumë të mira, nën mbikëqyrjen e trajnerit tim, Sulejman Shala. Dua që të bëj një përfaqësim sa më dinjitoz në Evropian, ku tani shihem nga të gjithë si një pretendent", tha Prizreni.