Alonso: Titulli me Reno në 2008 është utopi
Fernando Alonso duket se nuk beson shumë te skuadra e tij e re, Reno. Spanjolli ka deklaruar dje për radion "Cadena Ser", se nuk beson te fitorja e një titulli që këtë sezon me ekipin francez, ndonëse nën urdhrat e Flavio Briatores është ngjitur dy herë në majën më të lartë të podiumit në sezonet 2005 dhe 2006. Ndonëse ai është i sigurt se mund ta ndihmojë Renonë të kthehet përsëri në pretendente, nuk mendon se kjo do të thotë të luftojë për titullin. "Të mendosh se mund të fitojmë Botërorin në këtë moment është një utopi. Do të duhej të bëhej një hap shumë i madh para, në mënyrë që të kërkohet fitorja në Botëror që në vitin 2008", deklaroi ai. Megjithatë, ai është i bindur se projekti që i ka paraqitur Briatore është më se i vlefshëm, ndaj do të vazhdojë të qëndrojë me ekipin francez, sido që të shkojnë punët, ndonëse kontrata e tij ka një klauzolë që e lejon të largohet. "Nuk jam lloji i personit që firmos me një skuadër për një edicion të vetëm, me qëllimin për t‘u larguar menjëherë. Unë kam firmosur vetëm dy javë më parë me Reno, për t‘u kthyer te fitoret. Nëse një gjë e tillë ndodh, është e sigurt që nuk do të largohem. Gjithsesi, tani jam shumë i përqendruar te puna që më pret dhe dua të bëj më të mirën e mundshme për Renonë. Kush më shtyu të ndërroj skuadër? Personi më i shqetësuar në familjen time ishte gjyshja, e cila ngulmonte që unë të largohesha sa më parë nga MekLaren", ka treguar piloti spanjoll. Alonso duket i qetë për sa i përket rolit që do të ketë si lider i skuadrës, ndërsa nuk beson se Nelsinjo Pike do t‘i kthejë problemet e sezonit të kaluar kur ai debatonte me Luis Hemilton. "Unë kam besim të plotë te skuadra dhe jam i bindur se Briatore do ta menaxhojë mirë situatën. Në fund të fundit, gjithçka do të varet nga unë, mjafton që të jem më i shpejtë se shoku i skuadrës. Në media është shkruar shumë për ato ngjarje, por unë kam vuajtur vetëm për 10% të asaj që është thënë. Deri 20 xhiro para fundit të Botërorit kisha shanse ta fitoja atë për herën e tretë radhazi, ndaj largimi nga MekLaren nuk ka qenë i hidhur", tha ai.