E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionët, pa kushtet minimale për stërvitje

Sportistët shqiptarë, rekordmenët që kanë arritur rezultate të shkëlqyera nëpër kampionate të ndryshme, nuk kanë ku të stërviten. "Fiks Fare" ka filmuar kushtet e vështira në të cilat stërviten rekordmenët shqiptarë të atletikës dhe sporteve të tjera. Në mes të errësirës, në mes të të ftohtit, mbi bordurat e fushës së stadiumit "Qemal Stafa", të mbuluar me batanije, sportistët shqiptarë stërviten. Askush nuk kujtohet t‘u krijojë kushtet më minimale. Asnjë dhomë zhveshjeje, asnjë tualet i hapur, asnjë dritë e ndezur në stadium. Atletja shqiptare Klodiana Shala denoncoi në "Fiks Fare" pengimin e saj dhe të kolegëve të tjerë për të hyrë në ambientet e stadiumit "Qemal Stafa" për t‘u stërvitur. "Neve nuk na jepet e drejta për të hyrë në stadium ku të stërvitemi në oraret që ne duam", tha ajo. Sipas Shalës, ka një urdhër nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të stadiumit "Qemal Stafa" që nuk u japin një dhomë zhveshjeje këtyre atletëve. Madje as nuk u ndezin dritat gjatë kohës kur stërviten. Sipas pamjeve të publikuara dje në "Fiks Fare", këta atletë stërviten nën dritën e hënës dhe të pallateve që janë rreth e rrotull stadiumit. Ndërkohë që mes sportistëve që përgatiten ka edhe nga ata që përgatiten për Pekin 2008, për Kampionatin Evropian, Kampionatin Botëror dhe Kampionatin Ballkanik. Rekordmeni në kërcim për së gjati, Admir Bregu, tregon se as tualeti nuk është i hapur për ta kur stërviten. Gjithçka mbyllet me çelës. "Detyrohemi të shkojmë në lokalet rreth e rrotull stadiumit për të kryer nevojat tona personale. Edhe ai thekson se "është një urdhër i drejtorisë së stadiumit që nuk na lejon të stërvitemi në kushte normale. Nuk kemi as banjo, as dhomë zhveshjeje. Madje punëtorët e stadiumit na thonë që kemi urdhër për të mos ju lënë të hyni". Në fund të intervistës së tij ai deklaron se shumë kolegë të tij së bashku me të do të detyrohen të kërkojnë të ikin jashtë Shqipërisë, ku të stërviten në kushte normale me shpenzimet e tyre. Të njëjtën gjë pohon përpara kamerës së "Fiks Fare" edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, z.Fatos Shehaj. "Disa herë nuk na lenë të futemi në stadium, pa folur për dhoma zhveshjeje dhe për ngrohje". Sipas tij, këtyre atletëve u lihet një orar i papërshtatshëm për t‘u stërvitur. Sheha pohoi se orari 2-3 nuk është optimal, sepse duhet marrë edhe mendimi i trajnerit. Nëse flasim për dushe, që janë ndër kushtet minimale gjatë stërvitjes për çdo sportist, larja në stadiumin "Qemal Stafa" cilësohet "luks". Presidenti i FSHA-së kërkon që atletët shqiptarë të stërviten në pistën e sponsorizuar nga vetë ata e nga organizatat botërore joqeveritare. Për të siguruar kushtet minimale të stërvitjes, kjo federatë ka bërë shumë kërkesa zyrtare, miqësore, joformale, por askush nuk i dëgjon. Drejtuesit e federatës kanë propozuar mes të tjerave që të instalonin projektorët përgjatë pistës dhe shpenzimet do të paguheshin nga vetë ata, por edhe në këtë pikë nuk janë lejuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›