E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela, protagonist në Azi, shënon ndaj Kinës U23

Ervin Skela po kalon një formë të shkëlqyer në këtë periudhë të vitit dhe këtë e ka treguar edhe dje në një miqësore që Energi Kotbus ka zhvilluar kundër përfaqësueses Olimpike të Kinës. Duke shfrytëzuar pushimin e kampionatit, shumë skuadra gjermane janë drejtuar drejt Azisë ku do të zhvillojnë turne dhe ndeshje të ndryshme me ekipet vendase. Kotbusi ka zgjedhur të luajë kundër përfaqësueses U23 të Kinës, pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm, në ndeshjen e saj të parë në Azi. Skela e ka filluar takimin nga stoli, për t‘u aktivizuar vetëm në 45 minutat e dyta për skuadrën e tij. Por ai ka qenë protagonist i të gjitha aksioneve sulmuese të Kotbusit gjatë kësaj pjese loje, ndërsa në minutën e 84-t ka shënuar edhe golin e barazimit 1-1 me një gjuajtje spektakolare në hyrje të zonës, duke bërë që të 10 mijë të pranishmit në stadiumin e Fushan të duartrokitnin gjestin teknik të futbollistit shqiptar. Mesfushori do të ketë mundësi të përsëritë driblimet e tij para tifozëve kinezë pas pak ditësh, kur Energi Kotbus do të vihet përballë përfaqësueses së Kinës. Skela ka pasur një rritje të ndjeshme të lojës së tij në javët e fundit të Bundesligës, duke ndihmuar skuadrën të kthehet në luftë për mbijetesën. Në takimin kundër Hanoverit të fituar 5-1 nga Kotbus, ai është vlerësuar me notën 2.5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›