Kombëtarja, shitja e së drejtës TV për eliminatoret shtyhet në janar
Edhe pse ishte përcaktuar si një prej prioriteteve të fundvitit 2007, shitja e së drejtës televizive për ndeshjet që kombëtarja do të zhvillojë në eliminatoret e Botërorit 2010 është shtyrë. Vendimi ka ardhur pasi FSHF-ja synon që fillimisht të studiojë tregun, e më pas të lidhë marrëveshje me kompanitë e interesuara. "Sport Five", kompania që deri më tani kishte të drejtën e shpërndarjes së sfidave të kuqezinjve, ishte e para e cila kishte paraqitur ofertën: 3,5 milionë euro për dy edicione. Komiteti Ekzekutiv e hodhi poshtë këtë opsion dhe vendosi që fillimisht të shqyrtojnë ofertat e kompanive të tjera. "Sipas të gjitha gjasave, e drejta televizive do të shitet në muajin janar", bëri të ditur zëdhënësi për shtyp, Nurishmi. "Në mbledhjen e fundit, Ekzekutivi ngriti një komision që do të vlerësojë me kujdes tregun. Do të studiohet mënyra për të pasur sa më shumë përfitime, e më pas do të vendoset se cilës kompani do t‘i shitet. Ankandi për të drejtën televizive do të bëhet në muajin janar, sipas të gjitha mundësive pas shortit të 6 janarit në Kopenhagen, ku do të përcaktohet kalendari për grupin në eliminatoret e Botërorit 2010". Momentalisht ndeshjet e Kombëtares shqiptare mund të shiten rreth 1,3 milionë euro, ndërsa në FSHF janë të bindur se nëse kartat luhen mirë, përfitimet mund të shkojnë në afro 2 milionë euro.