E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjetan Keta, shqiptari i parë në Botërorin e Thai dhe Kickboxit

Gjetan Keta është bërë sportisti i parë që përfaqëson Shqipërinë në një kampionat Botëror të Thai dhe Kickboxit: ai ka qenë prezent në aktivitetin e zhvilluar në Tajlandë nga 25 nëntori deri më 5 dhjetor. Kompeticioni i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Muaithait Amator (IFMA) ka numëruar 970 sportistë, të cilët prezantonin 102 vende të ndryshme të botës dhe afro 80 mijë spektatorë të pranishëm. Mungesa e federatës e ka bërë pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë Botëror mjaft të vështirë. "Duke shfrytëzuar miqësitë që kisha ruajtur që prej periudhës kur isha vetë aktiv në këtë sport dhe me ndihmën e presidentit të Federatës së Thai dhe Kickboxit të Gjermanisë, z.Detlev Tyrnau, i cili mori pjesë personalisht në turneun Evropian të zhvilluar në Tiranë më 29 shtator, arrita që ta paraqisja Shqipërinë si anëtare të kësaj federate", bëri të ditur trajneri i Gjetanit, Ismail Keta. Por, vështirësitë nuk kanë përfunduar këtu: "Situata u vështirësua edhe më shumë pasi disa vende ballkanike (kryesisht sllave) protestuan për përfaqësimin e Shqipërisë në kampionatin Botëror, në një moment që në vendin tonë nuk ekziston Federata e Thai dhe Kickboxit dhe nuk jemi anëtarë të Federatës Evropiane". Gjetan Keta fitoi 75 pikë me 71 përballjen e parë me polakun Rafal Antoczak. Ai triumfoi edhe përballjen e dytë me Rafaralahi nga Madakaskari me diferencë mjaft të madhe, 118 pikë me 71 pikë. Në këtë sfidë sportisti shqiptar u dëmtua në këmbë, lëndim që e kondicioni në sfidën e tretë, të humbur kundër turkut Aden Bohurt. Ky i fundit arriti që të fitonte edhe medaljen e argjendtë në peshën 71 kg. Paraqitja e Gjetan Ketës mund të cilësohet mjaft e suksesshme, edhe sepse ai ishte i vetmi sportist ballkanas (pavarësisht traditës që kanë vendet fqinje në këtë sport), që nuk u eliminua që në ndeshjen e parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›