Moxhi mbante kontakte me zyrtarë të FIGC e të Juves
Luçiano Moxhi, i akuzuari kryesor për "Calciopolin", vazhdon të hapë debate në futbollin italian. Pas përgjimeve më të fundit telefonike është zbuluar se "Big Luçiano" vazhdonte të jepte sugjerime për Juventusin dhe ka mbajtur lidhje të ngushta edhe me drejtues të lartë të Federatës Italiane (FIGC). Gjithçka lexohet në katërqind e shtatë faqet e dorëzuara në Prokurorinë e Napolit. "Nga provat dëgjimore, shkruajnë hetuesit, del në dritë sesi Moxhi ka vazhduar të ushtrojë aktivitetin dhe influencën e tij në disa sektorë të botës së futbollit, duke mbajtur aktivë interesat e tij". Numri i telefonatave që i janë regjistruar ish-drejtuesit të klubit bardhezi, por edhe bashkëpunëtorëve të Moxhit ndërmjet periudhës tetor 2006-maj 2007, janë të shumta. Për të kuptuar se deri në çfarë pike ai vazhdon të ketë influencë te Juventusi, shërbejnë përgjimet e telefonatave me drejtorin sportiv, Alesio Seko. Moxhi i ka idetë të qarta rreth asaj që duhej bërë për skuadrën, duke i treguar drejtuesit bardhezi se çfarë hapash duhej të ndërmerrte për të mbrojtur trajnerin nga sulmet e jashtme. Në dialog të krijohej ideja se ishte duke folur një drejtues i pezulluar përkohësisht dhe jo një person që është pezulluar për 5 vjet nga çdo lloj lidhje me futbollin. Edhe telefonatat e Roberto Betegan (ish-pjesëtar i "Triadës") zbulojnë shumë: mbi të gjitha është folur për Al Sadi Gedafin, djalin e kolonelit libanez, që momentalisht stërvitet te Sampdoria.
Në telefon me Moxhin kanë folur edhe tre këshilltarë të federatës, Gabriele Gravina, Karlo Tavekio dhe Uilliam Punxhelini. Ky i fundit, që mban edhe postin e presidentit të Serisë D, është shfryrë tek ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit për vendimet e dhëna nga drejtësia dhe komenton "presionet ua kanë bërë të tjerëve". Punxhelini ka folur edhe për presione të ardhura nga "shumë lart". Gravina ka biseduar rreth postit të drejtorit të Përgjithshëm në federatë (në atë periudhë posti mbahej nga Virxhinia Filipi, e cila dha dorëheqjen në nëntor), ndërsa Tavekio bëhen muhabet të thjeshtë, duke iu ankuar Moxhit për faktin se nuk i kishte telefonuar më parë. Për hetuesit Filipo Beatriçe dhe Xhuzepe Narduçi, marrëdhëniet kanë mbetur shumë të ngushta dhe ata kërkojnë të zbulohet se çfarë fshihet nga mbrapa. Mjaft interesante telefonatat ndërmjet punonjësit të federatës, Xhulio Pacaneze dhe shoferit të besuar të Moxhit, Armandino Aurbri: tema e bisedës ishte rreth kërkesës për apel te CONI dhe Pacaneze i ka konfirmuar Aurbrit se Moxhi nuk do të përfitonte ulje të dënimit. Moxhi i ka telefonuar edhe presidentit të Torinos, Urbano Kairo, të cilin e ka kritikuar për mënyrën si drejton klubin, por i ka pohuar se bashkohet me akuzat e drejtorit sportiv të Palermos, Rino Foski, se disa media (interiste apo milaniste) kanë tendencën që atë që ndodhi në futbollin italian ta etiketojnë si "Moxhopoli". Biseda ka pasur edhe me drejtuesin e Romës, Daniele Prade, ku "Big Luçiano" e ka këshilluar të shpërndajnë bileta falas.
Regjistrimet
Ja telefonatat që i janë përgjuar Moxhit
Telefonatat e përgjuara nga hetuesit deri në majin e kaluar janë të panumërta, mbi të gjitha ato që dilnin dhe vinin në telefonin e Moxhit.
ME PUNXHELININ (president i Serisë D)
Punxhelini i tregon Moxhit se është marrë në pyetje nga prokurorët e Napolit
Moxhi: "Është e pabesueshme. Që Karraro fshihej pas të gjithë kësaj, as që kisha dyshime. Ai arriti ta hiqte skualifikimin që i kishin dhënë"
Punxhelini: "Në fund të dënuan vetëm ty dhe Inoçencon"
Moxhi: "Edhe Xhiraudon. Shiko se si gjithçka që është thënë nga Interi deri më tani ishin gjëra pa peshë"
Punxhelini: "Edhe mua më thirrën në Napoli. Natyrisht sepse në disa prej përgjimeve jam në mes edhe unë. Kërkojnë të dinë. Në Napoli kërkojnë të dinë nëse ti ke ushtruar presion ndaj meje. Ata kërkojnë ta dinë, por unë të vërtetën ua thashë: donin ta dinin. Gjithsesi, ndaj meje presione kanë ushtruar persona të tjerë"
Moxhi: "Por, këto gjëra askush nuk i tregon"
Punxhelini: "Ta hodhën bukur, si artistë"
ME SEKON (10 prill 2007)
Seko: "Ja ku jemi"
Moxhi: "Më në fund"
Seko: "Ahhh ahhh"
Moxhi: "Me pak mundim. Më dëgjo mirë, tani duhet të bësh diçka"
Seko: "Po?"
Moxhi: "Është shumë e rëndësishme... Duhet të mbrosh trajnerin..."
Seko: "Po".
Moxhi: "Dhe duhet të thuash se më duken absurde edhe..."
Seko: "Po?"
Moxhi: "Më duken absurde të gjitha kritikat ndaj Deshamp, jemi të parët në klasifikim (në atë kohë Juventusi luante në Serinë B) dhe kemi pasur dhjetë mijë dëmtime. Mbase skuadra nuk ka zhvilluar ndeshje të bukura në disa momente, por nuk duhet harruar se prej dëmtimeve kontingjenti nuk ishte i plotë. Dhe kur të rikuperohen, nuk janë asnjëherë..."
Seko: "Sigurisht"
Moxhi: "Në formën optimale dhe trajneri ka punuar mirë... Trajneri do të qëndrojë, lojtarët kanë besim tek ai. Bëje këtë pasi..."
Seko: "Sigurisht"
Moxhi: "Synojnë të hapin probleme, mos harro. Kjo duket që 1 kilometër larg"
Seko: "Ok, ok, ok"