E Diel, 1 Nëntor 2026

Ami: Sekreti im? Jam origjinale!

Amarda Toska, e quajtur ndryshe Ami, është një prej këndpamjeve më simpatike dhe tërheqëse të "Portokallisë". Portreti dhe sharmi i saj është pjesë e pandashme e spektaklit të njohur të humorit. Nuk ka bërë gjëra të jashtëzakonshme në 5 vjet, thjesht ka shfaqur vetveten pa asnjë lloj truku e sforcimi dhe ia ka dalë të jetë e suksesshme deri në përkufizimin si të një lloj ikone në atë masë meshkujsh që dominojnë spektaklin. Në intervistën e mëposhtme, ajo flet për disa eksperienca skenike, si dhe shpalos disa prej ideve të saj mbi qenien femër dhe mbi veten...

Fillimisht, si ishte mbërritja juaj në spektaklin "Portokalli"?

Kjo, në fakt, nuk është më një gjë e re për publikun mendoj, sepse e kam thënë shpeshherë nëpër intervista, megjithatë... Para se të vija në "Top Channel" kam qenë pjesë e trupës së baletit në "TV Klan". Ditën kur m‘u ofrua të isha pjesë e "Portokallisë" e mbaj mend, çuditërisht, shumë saktë dhe me çdo detaj. Ka qenë një nga ditët e fundit të gushtit, ditë me shumë diell dhe kam qenë në periferi të Tiranës duke drekuar me familjen time, kur marr një telefonatë nga koreografi im i atëhershëm, Albi Nako, i cili, pasi kishte folur me pjesëtarë nga "Top Channel", më propozon të jem pjesë e audicioneve për prezantuesen e "Portokallisë". Edhe pse me joshi shumë kjo ide dhe ky kalim, nuk e mohoj që si fillim hezitova, sepse ishte një moment shumë delikat dhe një hap shumë i rëndësishëm që do të vendoste për rrjedhën e karrierës sime më pas. Më mungonte paksa siguria te vetja që unë mund të mbaja peshën dhe përgjegjësinë për spektaklin.

Në krijimin e një figure potente dhe origjinale, çfarë aftësish keni përdorur dhe çfarë ju kanë këshilluar të tjerët?

Jam munduar të jem tepër e kujdesshme në çdo hap apo zgjedhje që kam bërë, sepse ndërtimi i imazhit kërkon një kohë relativisht të gjatë dhe më e bukura në të gjithë këtë histori është se diçka fare të vogël mund të të rrëzojë. Unë natyrisht jam munduar të përdor gjithë potencialin tim, por besoj se origjinaliteti gjithmonë fiton.

Cilat ishin vështirësitë e fillimit?

Në periudhën parapërgatitore të "Portokallisë" kisha shumë tension të brendshëm se si do të pritesha nga publiku dhe nga ata që ma besuan mua këtë përgjegjësi.

Jeni e hijshme, pa dyshim. Megjithatë, i jeni ruajtur abuzivitetit mediatik me këtë cilësi. Keni ndonjë vërejtje për t`u bërë mediave lidhur me prirjen për të mos parë tej hireve të një femre VIP? VIP thashë... Më jepni dhe një përgjigje tjetër, ju pëlqen kjo fjalë?

Me tepër mendoj se duhet thënë person publik. Për sa i përket abuzivitetit mediatik mendoj se ekziston në të gjithë botën. Paraqitja e jashtme e femrës ka qenë në çdo kohë në qendër të vëmendjes e më pas është parë femra si forcë e pushtetit apo fuqi inteligjence. Me keqardhje, por... jetojmë në një botë akoma maskiliste. Gjithsesi, (përveç disa talenteve muzikore që shfaqen nëpër klipe boshe e të pakuptimta) nuk mendoj se vlerësimi i një femre mediatike stopon tashmë te paraqitja e saj. Dua të besoj që kohët kanë ndryshuar!

Do donim të dinim ca sekrete nga spektakli. Më saktësisht, ndonjë rrëfenjë tuajën për ndodhi të pazakonta në paskuinta, apo në skenë...

Në atë spektakël të mbushur me humor, batuta, hyrje-dalje të shpejta me shumë ritëm dhe me një staf të madh, ku të gjithë duhet të jenë të sinkronizuar me njëri-tjetrin, patjetër që ka edhe lapsuse, të cilat krijojnë situata komike. Sidomos po të shikoni dhomën e grimit, kur disa personazhe grimohen e disa të tjerë ribëhen për të dalë sërish në skenë. Unë do të veçoja nga të gjithë sezonet rastin e vetëm, kur më duhej të dilja në materialin e Ramadanit për t‘i dhënë atij një letër, por ngaqë sandalet ishin me rripa shumë të hollë dhe më vrisnin, me idenë se kisha kohë i kisha hequr dhe në momentin që dëgjoj Ramadanin duke thirrur emrin tim nuk m‘u besua... dhe ai si përfundim erdhi pas skene dhe e mori vetë letrën, sepse unë nuk mund të dilja zbathur apo jo? Ha ha ha....

Nga ana artistike, a ju mbush tërësisht "Portokalli", duke e pasur pak të lënë mënjanë kërcimin?

Mendoj se po, sepse prezantuesja mund ta bëjë edhe balerinën, siç ka ndodhur.

Në fund, vërini një emër metaforik vetes suaj. Krahasojeni me diçka....

E kam pak të vështirë ta përkufizoj veten me një fjalë, por përpos të tjerave do të theksoja, tip që përshtatet dhe paaaak egoiste. Gjithmonë me kuptimin e mirë ëëë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›