E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhuljet Binosh

"Goditi" zemrat e meshkujve 20 vjet më parë në filmin "Lehtësia e papërballueshme e qenies", i shtoi një tension erotik e pasionant filmit "Pacienti anglez" për të cilin fitoi edhe çmimin "Oskar" në vitin 1996 dhe sot 43-vjeçarja ende vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe të konsiderohet si një burim emocionesh, të paktën kjo duket në rolet që vazhdojnë t‘i ofrohen. Filmi i fundit i francezes "Dan në jetën e vërtetë" e vendos atë në pozicionin e një objekti joshjeje për dy burra njëherazi. Ndërkohë, ka interpretuar edhe bashkëshorten e sëmurë të Riçard Girit në filmin e tij të fundit dhe të dashurën e Xhud Low në "Të thyesh e të hysh". Nuk e flet mirë anglishten, por kjo nuk do të thotë se nuk është e këndshme të dëgjosh prej gojës së saj fjalët anglosaksone të "ëmbëlsuara" me theksin frënge. Nuk është e martuar e megjithatë ka dy fëmijë me burra të ndryshëm, një djalë 14-vjeçar me emrin Rafael dhe një vajzë 8-vjeçare me emrin Hanah. Ndihet gjithmonë e dashuruar, por deri tani nuk pranon që të vërë në gisht ndonjë unazë martese. "Kam pasur shumë marrëdhënie të bukura dhe nuk jam kundër martesës, vetëm se nuk e kam ndjerë një gjë të tillë deri më tani. Kam marrë 4 propozime për martesë dy në fillim të lidhjeve dhe 2 në fund të tyre. Në të gjitha rastet nuk kam thënë as po as jo. Thjesht kam heshtur", rrëfen Binosh. Filmi i fundit të cilit Zhuljet i ka dhuruar sharmin e saj është gjithashtu një film joshjeje. "Për mua pasioni dhe dashuria janë bashkudhëtare të zakonshme. Ka ndodhur që të jem dashuruar me një person brenda tri ditësh, sikurse më ndodh në fakt edhe në këtë film dhe e bukura është se ndjenja ka qenë reciproke. Sipas meje, dashuria me shikim të parë është aftësia për të njohur në morinë e njerëzve personin me të cilin dëshiron të kesh lidhje intime, është një lidhje e magjishme gati jashtë vetes tënde që të vjen vetiu dhe ty nuk të mbetet veçse t‘i bindesh. "Ndryshe nga zonjat e bukura të Hollivudit, të cilat pjesën më të madhe të suksesit ia detyrojnë parukieres, kirurgut plastik, apo makijazhieres, Binosh është një grua "ujë e sapun". Nuk preferon grimin veç në rastin kur i duhet të dalë para fotografëve në evenimentet kinematografike. E megjithatë, është më tërheqëse se kurrë me një joshje të parezistueshme alla franceze. Në vendin e saj e thërrasin thjesht "Binosh" dhe sigurisht që e kanë renditur në vendin e parë si ikonë kinematografike ndërkombëtare, pasi ajo është ndër të tjera edhe aktorja franceze më e paguar në botë. Gjithmonë ka gjetur lehtësisht rolet që i kanë pëlqyer pa u stërmunduar. Punon vetëm kur e ndien se ka diçka për të dhënë, përndryshe refuzon të prekë skenar me dorë. "Si aktorë ne jemi me shumë fat, sepse kemi shumë në dorë për t‘u dhënë njerëzve. Kemi në dorë të përcjellim mesazhe që mund të ndryshojnë jetë, të përcjellim emocione që mund të vendosin fate, kemi në dorë forcën magjike për ta bërë botën një vend më të mirë. Kjo është arsyeja që më bën ta marr një punë vetëm kur e ndiej se e kam brenda vetes predispozitën shpirtërore për të përçuar një vlerë. Përndryshe nuk punoj", thonë Binosh. Kryesisht preferon të punojë në filma të vegjël e me buxhet të vogël brenda Francës, por që sipas saj janë krijime të mrekullueshme që qëndrojnë larg komercializmave amerikanë, pasi filmat francezë dhe ata evropianë në përgjithësi prekin thelbin njerëzor të personazheve, tentojnë të shohin brenda shpirtit të heronjve të përditshëm, ndërsa filmat amerikanë janë më sipërfaqësorë. Megjithatë, janë pikërisht ata filma që i kanë dhënë famë dhe para. I paharruar do të mbetet filmi "Chocolat" me Xhoni Dep, apo edhe filmi "Pacienti Anglez". Për këtë të fundit, që i dha edhe "Oskarin", Binosh thotë se skenaristi donte që roli fillimisht të luhej nga Demi Mur, por regjisori, Antoni Mingela këmbënguli për Zhuljetën. "Fillimisht u nis për një film të thjeshtë. Askush nuk mendonte që do të merrte një famë të tillë dhe kur kjo ndodhi të gjithë u ndiem të befasuar". Për Binosh paratë nuk kanë qenë kurrë të parat në listë, sidomos kur bëhet fjalë për profesionin e saj. "Paraja nuk është qëllimi im. Nuk ka gjëmë të keqe se të bësh filma për para, ose edhe art në përgjithësi, sepse paraja nuk të mbush, nuk të ngop. Nëse i them po një filmi, kjo është vetëm për dashuri". Për sa i përket filmit të fundit ajo e pëlqeu skenarin e "Dan në jetën e vërtetë" menjëherë. "Nuk i njihja aktorët me të cilët m‘u desh të punoja, madje as stafin dhe e vetmja tërheqje për mua ishte ndjesia se ky film kishte një mesazh interesant për të transmetuar. "Në fakt është një film komik, por me mesazhe shumë serioze. Unë e mora si sfidë dhe veç të tjerash u zbavita pa masë. Rolet e mia janë kryesisht dramatike dhe marrja përsipër e rolit në këtë film ishte si një përplasje mes dy botësh", thotë Binosh, e cila pas filmit në fjalë ka luajtur edhe në tre filma të tjerë në Paris, sigurisht bëhet fjalë për projekte të vogla, por që i kanë dhënë mundësinë që të qëndronte pranë fëmijëve. Duket se për Binosh aktrimi është gjenetik, pasi edhe e ëma e saj është aktore. Ajo bëri gjithçka që mundi që e bija të ndiqte gjurmët e saj, por vetë Binosh nuk do të donte të njëjtën karrierë për të bijtë. "Nuk do të sillem kurrë me fëmijët e mi, siç u soll me mua ime më. Do t‘i lë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre, pasionin e tyre, cilido qoftë ai. Dua vetëm që ata të jenë të lumtur dhe të mund të dallojnë se cila është rruga e tyre mesh shumë rrugësh që mund të kenë përpara për të zgjedhur. Vetëm kaq. Të gjithë jemi qenie të ndryshme nga njëra-tjetra dhe vetëm koha do të na e zbulojë të ardhmen, ndaj duhet durim, vullnet, pasion dhe kurajë". Thotë Binosh që kohët e fundit është shumë e gëzuar, pasi i biri 14-vjeçar i ka sjellë për herë të parë të dashurën në shtëpi. "Nuk përpiqem që ta kontrolloj, pasi edhe vetë ai nuk ka shumë dëshirë që të më hapet, apo të më thotë ndonjë gjë. Megjithatë, i kam thënë se unë jam aty për çdolloj rrëfimi, apo ndihmë që ai mund të ketë nevojë prej meje. Kur rrit fëmijë njëherazi rritesh edhe vetë. Rrugës mëson shumë gjëra dhe unë kam mësuar shumë nga jeta, nga vetë fëmijët e mi. Po përveç të qenurit nënë dhe aktore cilat janë pasionet e tjera të Binosh, në kohën që i mbetet? Pa dyshim udhëtimi. Kjo është përgjigjja e menjëhershme që merr nga aktorja kur e pyet për hobitë. "Para dy vitesh mora një vit pushim dhe vendosa të mos punoja, sepse në fakt nuk më tërhiqte asgjë. Unë mendoj se kemi ardhur në këtë jetë edhe të merremi me veten, me transformimin e brendshëm e jo vetëm të rendim pas punës dhe pas parasë. Gjatë kohës së lirë preferoj të udhëtoj. Isha në Budapest dhe më pas në Peru ku jam ngjitur nëpër male dhe më pas kam vizituar edhe Iranin, Teheranin. Jam magjepsur nga ata njerëz". Po ta pyesësh Binosh për filozofinë e saj në jetë ajo të përgjigjet: Të jesh i vërtetë. Të guxosh e të marrësh rreziqe mbi vete. Të duash hijen, ashtu si edhe dritën. Të gjesh misionin për të cilin ke ardhur në jetë dhe të bëhesh aktiv. Kaq!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›