Spanjë, në pranga 14 të dyshuar për terrorizëm
Katërmbëdhjetë militantë islamikë janë arrestuar dje nga policia spanjolle, pasi dyshoheshin se po planifikonin një aksion terrorist në Barcelonë. Sipas ministrit të Brendshëm spanjoll, Alfredo Perez Rubalcaba, pritet që në ditët në vijim të kryhen arrestime të tjera, ndërkohë që e gjithë policia dhe shteti janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie. Gjatë natës së kaluar janë kryer operacione bastisjesh në shumë shtëpi e baza të dyshuar për fshehjen e terroristëve dhe si rezultat i këtyre kërkimeve kanë ndodhur edhe arrestimet. Në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur pajisje që shërbejnë për ndërtimin e bombave me sahat dhe me telekomandë. Arrestimet e kryera në Barcelonë u nxitën nga informacionet që i mbërritën policisë spanjolle nga disa agjenci zbulimi evropiane, sipas të cilave në këtë qytet kishte aktivitet të jashtëligjshëm, i cili mund të çonte edhe në ndërmarrjen e sulmeve terroriste. Ndër të arrestuarit, 12 janë pakistanezë dhe 2 janë nga India. Sipas burimeve të vetme dhe të kufizuara të policisë, ka shumë të ngjarë që ata i përkasin një rrjeti terroristësh, qëllimi i të cilëve është organizimi i sulmeve në Spanjë. Të gjitha veprimet e policisë janë organizuar në bashkëpunim me organet e shërbimit sekret. Spanja është goditur rëndë në mars të vitit 2004, kur si pasojë e një sulmi terrorist me bombë humbën jetën në stacionin e trenit të kryeqytetit 191 vetë, ndërkohë që u plagosën rreth 2000 të tjerë. Që nga sulmet e 11 shtatorit në Nju-Jork e Uashington në vitin 2001, policia spanjolle ka arrestuar qindra të dyshuar si terroristë islamikë, pjesa më e madhe e të cilëve kishin lidhje me sulmin e Madridit. Vitet e fundit, policia është fokusuar edhe te celulat e dyshuara për rekrutime të muhaxhedinëve dhe kamikazëve. Sulmi i përgjakshëm i Madridit u mor përsipër nga Al-Kaeda, e cila deklaroi se ai ishte pasojë e dërgimit të trupave spanjolle në Irak në kuadrin e forcave të koalicionit.