E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinemaja ne Tirane

The Kingdom/ Mbretëria

Premtimi për hakmarrje, terapi për të lehtësuar dhimbjen

"Do t‘i vrasim të gjithë". E njëjta fjali e shqiptuar një herë në anglisht nga një agjent special i FBI-së (për të qetësuar kolegen e vet për humbjen e të dashurit në një akt terrorist) dhe një herë në arabisht nga mbesa jo më shumë se 10 vjeç e një terroristi islamik. Çuditshëm, regjisori Perter Berg jep hakmarrjen si recetë për të të shëruar dhimbjen. "The Kingdom" ("Mbretëria) fillon si një histori e komplikuar mbi terrorizmin në Lindjen e Mesme, saqë shpreson që je duke parë një "Syriana", por në fund del me shijen e një episodi të "Alias" ku Jennifer Garner është sërish një agjente speciale.

20 minutat e para të filmit jepen 70 vite të historisë së Arabisë Saudite deri datën e 9 shtatorit; janë histori incidentesh, rivalitetesh mes shërbimeve të fshehta, financime terroriste në zemër të SHBA dhe interesa të saj për pasuritë e naftës në thellësi të tokës saudite. Nuk mungon as gazetarja e "Washington Post", në gjurmim të "skupeve" politike, por si gazetarja e Times, Meryl Strep te "Lions For Lambs" (skenaristi është i njëjti, Matthew Carnahan) arrin të përdoret nga pushteti.

Si dhe në filmin e Redford, dialogu si montazhi është i shpejtë, ka ritëm dhe të krijohet ndjesia sikur të fshehta të mëdha do të shpërthejnë.

Ngjarjet ndodhin mes Uashingtonit dhe Riadit në Arabinë Saudite. Qindra amerikanë mbeten të vrarë pas një sulmi të papritur nga ekstremistë të maskuar si ushtarakë. Ata ishin të gjithë punonjës civilë të një kompanie nafte amerikane. Gjithçka ndodh në një ditë të qetë fundjave. Por këta qindra vetë ishin vetëm karremi. Gjahu i vërtetë ishin ata që erdhën për të dhënë ndihmën e parë. Mjaftoi shpërthimi i një ambulance për t‘i dhënë fund edhe grupit tjetër të amerikanëve. Mes tyre ndodhej dhe një përfaqësues ligjor i FBI. Kaq mjafton që kolegu i tij në Uashington, agjenti special Fleuri (Jamie Fox) të dojë të niset menjëherë për të hetuar mbi incidentet në Riad. Për logjikën e ndërhyrjes së tepruar në biznesin e naftës, pengesa i vijnë nga Departamenti i Drejtësisë, sepse shtetit amerikan i volit ta quajë këtë një krim që duhet ta zgjidhë vetë shteti saudit me organet e tij.

Jamie Fox, shoqëruar nga kolegia Jennifer Garner e tre specialistë të tjerë arrijnë të zbresin një natë më vonë në aeroport të Riadit. Për pesë ditë u duhet të ndeshen me xhelozinë e rregullat strikte të policisë saudite e Gardës së Republikës.

Por shpejt fitojnë besimin e kolegëve dhe arrijnë të zbulojnë që autor i krimeve është Abu Hamza, një ekstremist i betuar kundër biznesit perëndimor në Saudi. Një histori e dhunshme, e vjetër sa vetë mosha e Mbretërisë.

Deri në këtë moment vazhdon tensioni, për t‘u kthyer jo më në një kureshtje ndodhie, por në një batare armësh e një lufte paksa të tepruar prej gati 20 minutash në një kompleks banimi në Riad- baza e Abu Hamza. Ky arrin të vritet, por duket se bashkë me të mbaron dhe fantazia e një komploti që në të vërtetë nuk ekzistonte.

The Kingdom / Mbretëria

Gjinia: Aksion, Aventurë
Regjisor: Peter Berg
Aktore: Jamie Fox, Jennifer Garner

Dita e premierës: Shtator 2007

Shfaqur në Tiranë : Janar 2008

Kohëzgjatja: 100 min

I përshtatshëm për moshën mbi 17 vjeç

Leje për martesë

Komiku Robin Williams preferon ndarjen kundrejt pasigurisë, nëse çifti që do të martohet është djali që nuk shkruan dot premtimet, John Krasinski dhe vajza më shumë romantike seç duhet, Mandy Moore

Nëse një film do të kishte vlerën e një terapie, "Licence to wed" ("Leje për martesë"), mund t‘u këshillohej çifteve të pavendosur. Por kjo vetëm nëse dy partnerët do të ishin dy të rinj si Mandy Moore e John Krasinski, që e marrin jetën lehtë; që në momentin e parë kur u lidhën, vendosën të bashkëjetonin e më pas të vinin kurorë në kishë. Por mungonte një detaj i vogël, duhej patjetër të kalonin kursin e përgatitjes martesore që udhëhiqej nga prifti, komiku Robin Williams.

Në fillim duhet të sajonin zënka, për të dituar a do të dinin t‘i zgjidhnin më vonë, të mos kryenin marrëdhënie dhe të shkruanin vetë premtimet që do të duhet t‘i thoshin njëri-tjetrit ditën që do të vinin kurorë.

Gjithçka do të ishte më e thjeshtë, nëse prifti Williams nuk do t‘i kishte marrë këto sfida kaq seriozisht; nuk do t‘i ndiqte hap pas hapi e për më tepër të vinte përgjues në dhomën e tyre të gjumit (gjithmonë për t‘u siguruar që dy të rinjtë do t‘i rezistonin tundimit).

Nuk mungojnë batutat e situatat komike, të paktën deri në momentin kur Mandy e John janë për të thënë po-në e parë.

Ajo është vetëm një jo nga Mandy, sepse kupton që nëse i dashuri nuk kishte arritur dot që për tre javë të shkruante edhe një premtim të vetëm, atëherë kjo lidhje nuk kishte baza.

Çifti ndahet e vajza shkon me familjen e saj të pasur në Bahamas, aty ku kishte planifikuar të bënte muajin e mjaltit.

Ndërsa fundi është ai i çdo komedie romantike, madje pak më i stisur se zakonisht, sepse një mëngjes Mandy zgjohet e thirrur nga John, i cili e kishte kaluar gjithë natën duke shkruar premtimet e dashurisë në rërën e plazhit.

Këtu mbaron dhe përralla me një fund të lumtur dhe me një kurorë të vënë në plazh po nga prifti Williams, i cili u gjend aty në momentin e duhur. Është paksa brenda një klisheje që përfundon me një zgjidhje jo shumë inteligjente, por të paktën mund të të dhurojë një pasdite moskokëçarëse. E.Z.

Licence to wed/ Leje për martesë
Gjinia: Komedi, romancë
Regjisor: Ken Kwapis
Aktorë: Robin Williams, Mandy Moore, John Krasinski, Eric

Dita e premierës: Korrik 2007
Kohëzgjatja: 100 min

Shfaqur në Tiranë: Janar 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›