E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidencialet në SHBA: votat kyç në Nevada e Karolinë e Jugut

Gara për në Shtëpinë e Bardhë sa vjen e po bëhet më interesante, ndërkohë që mbetet gjithmonë e hapur dhe e paparashikueshme. Votuesit e Nevadës dhe Karolinës së Jugut kanë vendosur dje për kandidatët, të cilët pak a shumë janë në të njëjtat vlera, sipas sondazheve. Në Karolinën e Jugut, republikani Xhon Mekein dhe Majk Hukabi po luftojnë për supremaci në një garë të përqendruar kryesisht në çështjet e brendshme ekonomike, ndërkohë që rivalët e partisë Mit Romeni dhe Fred Thompson shpresojnë të depërtojnë në krye të shtetit, në të cilin republikanët kanë supremaci. Që nga viti 1980, republikani që ka fituar në këtë shtet ka dalë në finalen e partisë së tij. Çështjet e ekonomisë kanë zënë linjat e para të fushatës elektorale si për republikanët, ashtu edhe për demokratët. Frika për një periudhë rënieje në ekonominë e vendit e ka spostuar vëmendjen e të gjithëve në ngjarjet që mund t‘i përkasin gjithsecilit në shtëpi, pasi një rënie ekonomike bashkëngjitet me shtimin e papunësisë, rritjen e çmimeve dhe krizat financiare. Në Nevada rivalët demokratikë, Obama dhe Klinton, janë në një duel shumë të ashpër dhe shumë pranë njëri- tjetrit me pikë. Në vitin 2004, vetëm 9000 demokratë morën pjesë në votën e Nevadës, ndërkohë që askush nuk mund të bëjë parashikime për këtë herë. Edhe republikanët votojnë në Nevada, por e gjithë vëmendja e tyre është e përqendruar në Karolinën e Jugut. Ajo çka të bën përshtypje është se pavarësisht votave askush nga kandidatët nuk është distancuar dukshëm nga tjetri dhe si pasojë është ende herët për të bërë parashikime. Romnei, ish-guvernatori i Masaçusetit, i cili fitoi në Miçigan do të ndeshet me ish-senatorin e Tenesit, Fred Thompson, për vendin e tretë në votën e Karolinës së Jugut. Në Nevada, Obama dhe Klinton janë "përleshur" për votën nëpër kazinotë e hoteleve, sidomos në Las Vegas. Minoritetet përbëjnë 40% të banorëve të Nevadës dhe Klinton, e cila mund të jetë femra e parë Presidente e SHBA-së, ka shanse të fitojë edhe pse Obama është pjesëtar i komunitetit të pakicave. Për sa u përket republikanëve, sondazhet thonë se ish-guvernatori i Arkansasit, Hukabi Shoreson, do të fitojë 53% të votës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›