E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliarderët që "shpronësojnë" fëmijët

Nikola Horlik ose siç e konsiderojnë botërisht "supermamaja" për faktin se ka pasur gjithmonë punëra me shumë përgjegjësi si menaxhere e disa firmave të rëndësishme në Citi (zona financiare londineze) dhe ka rritur njëherazi 5 fëmijë, ka një pasuri të fituar nga profesioni që i kalon të 50 milionë dollarët. Që prej disa kohësh ajo ka deklaruar se ka vendosur që të mos i mbajë për vete gjithë ato para. Po ku do t‘i çojë? Së fundi ka bërë të ditur se 25% të të ardhurave vjetore do ta japë për bamirësi dhe ajo çka është më e çuditshmja ka marrë vendimin që fëmijëve t‘u lërë vetëm një pjesë të vogël të parave. "Mendoj se dëmi më i madh që mund t‘u bëjmë pasardhësve tanë është t‘u lëmë shuma të mëdha parash si trashëgim, pasi kjo, më besoni, do t‘u shkatërronte jetën". Por Nikola nuk është e vetmja që del publikisht me një deklaratë të tillë. Bill Gejts ka derdhur në llogarinë e fondacionit të bamirësisë që e udhëheq së bashku me të shoqen, Melinda 30 miliardë dollarë. Kësaj shume iu shtua edhe 24 miliardëshi i derdhur po për bamirësi nga njëri prej njerëzve më të pasur të planetit, Uorren Bufet (një ndër biznesmenët më të suksesshëm amerikanë. Por Bufet ka qenë gjithmonë i qartë në lidhje me mënyrën se si duhet të sillej ndaj fëmijëve. E bija rrëfen se shpesh nuk ka pasur lekë në xhep. Vetë Bufet mendon se fëmijët e të pasurve duhet ta nisin nga e para dhe se të kesh prindër të pasur nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh i pasur. Gjatë një fjalimi në një kolegj amerikan, ai tha se trashëgimia e parave nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe se të mendosh se fëmijët e të pasurve duhet të jenë detyrimisht të pasur është si të mendosh se skuadra olimpike amerikane e vitit 2004 duhet të përbëhet nga trashëgimtarët, pra fëmijët e skuadrës olimpike të Amerikës së vitit 1980. Anita Rodik, themeluesja e famshme e linjës "Body shop" (kompania më e suksesshme britanike e produkteve kozmetike, e cila vdiq vitin e kaluar), u tha fëmijëve se ata nuk do të përfitonin prej saj asnjë qindarkë. Paratë që ajo fitoi nga biznesi i madh kanë shkuar të gjitha në llogarinë e fondacionit "Body shop" misioni i të cilit, ndryshe nga ai i shumë fondacioneve të bamirësisë që është vetëm shmangia e taksave, është ndihma ndaj të pastrehëve. Një tjetër pasanik i kësaj "linje të re" është edhe miliarderi i parë skocez, Sir Tom Hunter. Korrikun e kaluar ai deklaroi se miliardat e tij do t‘i jepte të gjitha për bamirësi. Vetëm dy javë më parë trashëgimtari i familjes Hilton që ka në zotërim zinxhirin e hoteleve të famshme me të njëjtin emër, Barroni Hilton shpalli publikisht se do të vepronte në të njëjtën mënyrë si edhe skocezi me 97% të pasurisë së tij, e cila vlerësohet të jetë 5 miliardë dollarë. Ndaj një vendimi të tillë mbesa e Baronit, Paris Hilton, e njohur për mënyrën e saj ekstravagante të jetesës mbushur me veprime të padenja për një vajzë normale, ka reaguar ashpër, pasi ajo priste paratë e gjyshit për të vazhduar qejfet e saj të shfrenuara. Por vendimi është vendim dhe ajo nuk mund t‘i kundërvihet testamentit. Gjithë shembujt e mësipërm, gjithë veprimet drastike të ndërmarra nga disa miliarderë për të mos ua dhënë paratë fëmijëve të tyre e kanë një nxitje që i bashkon: frika se mos në vend të personave të denjë paratë e tyre do t‘i shndërrojnë pinjollët në njerëz me vese, të kotë e kokëboshë të ngjashëm me modelin më të keq të një trashëgimtareje të pasur të mishëruar në figurën e Paris Hiltonit. Thjesht ata nuk duan që të prodhojnë më Paris Hiltona të tjerë. Një ndër këshillat që pasanikët marrin çdo ditë nga psikologët dhe këshilltarët e tyre familjarë është të shmangin fatin e keq të shndërrimit të fëmijëve të tyre në Paris Hiltona. Horlik, për shembull, shprehet se do që fëmijët e saj të kuptojnë se në jetë ka gjëra më interesante dhe me vlerë se a organizimi i blerjeve në King‘s Road dhe se jeta nuk fillon e mbaron te përzgjedhja e celularit të fundit. Ajo është krenare se ka mundur t‘i rrisë fëmijët me një sens konkret të asaj çka kjo botë është në të vërtetë, se cili është realiteti që shtrihet përtej mureve e pishinës të një vile në lagjen e pasur londineze, Çelsi. "Fëmijët e mi nuk janë fëmijët tipikë të llastuar të pasanikëve të zakonshëm që e kalojnë jetën nëpër klube, duke thithur kokainë dhe fytyrat e tyre nuk mund t‘i shohësh në faqet e revistës "Hello". Ata punojnë. Ata jetojnë në jetën konkrete dhe e dinë mirë se për të pasur një mirëqenie materiale të shëndetshme duhet të punosh e të djersitësh." Këshilla të tilla nga goja e një gruaje që veçse rrit 5 fëmijë është edhe një ekzemplar i rrallë i suksesit femëror në botën mashkullore të financave britanike që dëgjohet nga shumë njerëz. Tendenca e viteve të fundit është studiuar edhe shkencërisht nga disa psikologë, të cilët në studimin e tyre të botuar në revistën amerikane "Filantropia" nënvizojnë se ndërsa numri i të pasurve sa vjen e rritet, një pjesë e madhe e tyre gjithnjë e më tepër preferojnë që një pjesë të të ardhurave ta kalojnë për bamirësi, duke ia hequr kështu paratë nga llogaritë trashëgimtarëve të tyre të ligjshëm. Edhe pse nuk mund të flitet ende për një veprim në masë, gjithsesi kjo është një tendencë në rritje. Pjesa më e madhe e pasanikëve që ua heqin trashëgiminë fëmijëve janë ata që e kanë bërë vetë paranë dhe nuk e kanë trashëguar nga familja. Pikërisht këta lloj pasanikësh kanë një qëndrim krejt të ndryshëm ndaj parasë në krahasim me trashëgimtarët e pasur. Këta të fundit nuk e kanë të lehtë të ndahen prej milionave e pronave që i kanë trashëguar brez pas brezi. Këta lloj pasanikësh e kanë në AND-në e tyre mesazhin që paratë duhet të qëndrojnë vetëm brenda familjes dhe duhet të shtrohen e jo të shpërndahen. Ata që kanë pasuri të trashëguara në njëfarë mënyre luajnë rolin e "rojeve‘ të aseteve të familjes dhe detyra e tyre është shtimi dhe trashëgimi i tyre në brezat e tjerë, pasi e tillë është tradita e një pasurie që vjen nga shekuj më parë. Në të kundërt ata që i kanë bërë vetë paratë janë edhe më të lirë dhe me më pak paragjykime për të. Shpesh duke u nisur nga përvoja e tyre personale, ata e dinë se paraja shkon e vjen dhe se një para e madhe e cila nuk është fituar me djersën e ballit në më të shumtën e rasteve e shkatërron njeriun, duke e shndërruar atë në një parazit me vese që nuk ia gjen dot kuptimin ekzistencës. Pikërisht kjo kategori përbën edhe numrin më të madh të milionerëve dhe miliarderëve, të cilët preferojnë që paranë e tyre të madhe ta japin për bamirësi në vend që t‘ua lenë fëmijëve. Këta pasanikë nuk është se u lënë gjë mangët fëmijëve, madje ata u japin atyre gjithë mundësitë dhe liritë që ata vetë në moshë të njomë nuk i patën, por ama nga ana tjetër mendojnë se përderisa ata vetë ia dolën mbanë dhe u bënë të suksesshëm edhe pa pasur miliona në llogaritë bankare, kjo mund të ndodhë edhe me fëmijët e tyre. Këtu lind pyetja: Po sikur fëmijët të mos e duan një gjë të tillë? Po sikur ata të mos kenë të njëjtin fat si prindërit e tyre, sepse veç të tjerash është edhe çështje fati? Pasanikët që i kanë fituar gjërat vetë mendojnë dhe vlerësojnë shumë faktorin punë. Për ta puna është një vlerë kryesore dhe duke u nisur nga kjo fëmijët e tyre duhet të punojnë me patjetër. Në këtë rast për gjeneratën e dytë të pasanikëve të "vetëndërtuar" paraja thjesht është një anë lehtësuese, vetëm kaq. Sipas Uorron Bufet" një individ shumë i pasur duhet t‘u lërë fëmijëve aq para sa ata të mund të bëjnë gjithçka që duan, por do të ishte një budalla i vërtetë nëse do t‘u linte sasi të tilla marramendëse parash aq sa fëmijët e tyre të mos donin të bënin asgjë në këtë jetë dhe të përfundonin në njerëz pa dëshira e ëndrra". Sjellje më interesante dhe më "të shëndetshme" kanë pasanikët e milionave, pra ata që nuk kanë në llogaritë e tyre më shumë se 10 milionë dollarë. Ata i kanë idetë më të qarta në lidhje me fëmijët e tyre. U sigurojnë atyre kushte shumë të mira jetese, i çojnë në shkollat më të mira të botës dhe më në fund i punësojnë jashtë biznesit të familjes dhe në këtë moment ua ndërpresin mbështetjen financiare, duke i lënë trashëgimtarët të jetojnë me atë që kanë mundësi të fitojnë me djersën e ballit dhe me zotësinë e tyre. Në Britaninë e Madhe mosha kur një trashëgimtar tradicionalisht mund të kishte akses në trashëgiminë e tij ishte 21, ndërsa sot ajo sa vjen e po rritet gjithnjë e më tepër duke shkuar në 25, 30 e në disa raste edhe 35 vjeç. Me gjithë avantazhet shumë të mëdha që të ofron pasuria, paraja, në lojë është diçka shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se ajo: lumturia. Shpesh pasuria është thikë me dy presa të ofron mundësi, por po të abuzosh mund të të marrë atë për të cilën të gjithë ne kemi lindur: të qenurit të lumtur. Sipas një studimi të bankës britanike "Barklei" në lidhje me paratë dhe lumturinë 30 vitet e fundit të ardhurat e popullsisë të Evropës Perëndimore janë rritur në masën 80%, por po sipas këtij studimi për të njëjtin hark kohor gjendja e të ndjerit të lumtur është rritur vetëm me 1.36%. Rruga kryesore drejt lumturisë është ajo përmes punës, ajo që na çon në arritjen e objektivave të paravendosur përmes mundit të përditshëm, përmes vënies në punë të kapacitetit tonë intelektual, e fizik. Një ndër njerëzit më të pasur të Anglisë, biznesmeni Paul Sykes ka thënë: Nuk kam parë kurrë ndonjë lidhje mes parave dhe lumturisë, por kam parë gjithmonë lidhje mes suksesit dhe lumturisë". Dhe e dini se çfarë do t‘u lerë ai fëmijëve të tij djalit dhe tri vajzave: asgjë. Kjo është e vërtetë, por relative, pasi edhe ata fëmijë që nuk do të trashëgojnë asgjë nga prindërit nga pikëpamja financiare kanë pasur gjithsesi një fëmijëri e rini të mirë, një shkollim të mirë dhe ky, sipas shumë pasanikëve, është starti i duhur për të nisur një jetë në kërkim të suksesit, përmes punës që të çon në arritjen e lumturisë. Një tjetër partizan i shmangies së fëmijëve nga trashëgimia e madhe është edhe Stiv Forbs, edhe ai një biznesmen shumë i pasur amerikan. Ja se çfarë thotë ai: "Nëse fëmijët e tu i kanë pasur të gjitha avantazhet që mund të sigurohen përmes parasë në fëmijërinë e tyre, nuk do të ishte e drejtë për ta që prindërit në të ri t‘i "bombardonin" me para". Hamish Ogston, një biznesmen britanik shumë i pasur është i qartë në pikëpamjen e tij: "Unë jam i bindur se më e mira që mund të bësh ndaj fëmijës tënd është rritja e mirë, shkollimi dhe dhënia e disa mijëra dollarëve për të filluar realizimin e ëndrrës së tyre. Çdo gjë tjetër është shkatërruese dhe e dëmshme". Ky mentalitet mbështetet edhe në një sondazh psikologjik që është bërë në lagjet e pasura te fëmijët e moshës 12-vjeçare. Sipas studimit ata janë 5% deri në 9% më të depresionuar se fëmijët e lagjeve të tjera ku jetojnë njerëz të zakonshëm. Mes këtyre fëmijëve krijohet iluzioni fals që ata janë ndryshe, janë më të zotë më të fuqishëm, çka i bën mendjemëdhenj dhe mbi të gjitha i largon nga realiteti dhe i kthen në qenie të izoluara, sepse të pasurit janë pak. Mbi kokët e tyre qëndron nderur si Shpata e Demokleut frika se mos shndërrohen në qenie që nuk kanë përse të luftojnë, pasi nuk u duhet të arrijnë më asgjë. Madje ka edhe nga ata fëmijë që pikërisht suksesi i prindërve i kthen në qenie inaktive, sepse e shohin veten të pazotë të krahasohen me ta. Njerëzit me mjete mesatare jetese, ndërkohë kanë më shumë aspirata: synojnë të shkruajnë më mirë romanin, të dalin më mirë në një konkurs punësimi, të kenë rezultate më të mira në shkollë. Si përfundim shpesh paraja përkon me fjalën "I palumtur". Këshilla e shumë studimeve dhe e shumë psikologëve jo vetëm për të pasurit, (edhe pse së fundi ata po ia vënë shumë veshin) por për këdo është ndjekja e një jete normale, kryerja e një pune, ushqyerja e ëndrrave për gjëra që na bëjnë të lumtur dhe jo të pasur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›