Shqipëria e Han, barazim në miqësoren e parë
Shqipëria nuk arrin më shumë se barazimi 2-2 përballë skuadrës modeste nga Kazakistani, Kazaskin. Në këtë mënyrë, trajneri Ari Han merr zhgënjimin e parë në aventurën në krye të kombëtares (edhe pse në një miqësore jozyrtare). Zhgënjim edhe sepse kuqezinjtë kanë dominuar pjesën më të madhe të ndeshjes, duke krijuar volum loje dhe shumë raste për shënim. Formacioni 3-4-3 i përdorur nga tekniku holandez nuk ka dhënë rezultatet e duhura, edhe sepse pjesa më e madhe e futbollistëve të aktivizuar ishin me tipare sulmuese. Në ndeshjen e luajtur në Antalia, mbi të gjithë të tjerët, ka spikatur sulmuesi Migen Memelli, autor i dy golave të "zboristëve". Ndërkohë, është vënë re edhe mungesa e futbollistëve të grumbulluar nga Tirana. Edhe pse fillimisht klubi dhe FSHF-ja ranë dakord që gjashtë lojtarët bardheblu të ishin pjesë e kontingjentit të paktën në ndeshjet miqësore, kjo nuk ka ndodhur. Kampionët në fuqi kanë nesër një tjetër miqësore (Han i ka ndjekur në aksion edhe në miqësoren me një ekip turk), e për këtë arsye, ka preferuar të ketë më shumë hapësira për lojtarët e tjerë, të cilët ende nuk i ka parë në aksion në një ndeshje të vërtetë.
Duke u kthyer te ndeshja e zhvilluar dje, Han ka preferuar që në portë të aktivizojë nga minuta e parë Enea Koliqin, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Lila, Teli dhe Agolli. Në mesin e fushës Lika dhe Muzaka janë pozicionuar nga krahët, Veliaj në rol difensiv, ndërsa Paulin Dhëmbi disi më i avancuar. Treshja sulmuese përbëhej nga Memelli, Kuli dhe nga i riu i talentuar i Shtutgart II, Ismaili. Pavarësisht se kandidatët për një fanellë me kombëtaren kanë luajtur më mirë, në minutën e 26-të, kazakët kanë kaluar në avantazh. Vetëm pas 5 minutave, kuqezinjtë kanë pasur mundësi të reagonin, por mesfushori Gjergji Muzaka ka gabuar një penallti të akorduar në favor të skuadrës. Gjithsesi, përpara mbylljes së pjesës së parë, Migen Memelli, i vetëm ka përmbysur shifrat, duke shënuar dy gola të shpejtë në minutat 38 dhe 39.
Në pjesën e dytë, trajneri Han ka aktivizuar edhe lojtarët e tjerë, që përveç portierit Ilion Lika ishin me tipare të theksuara ofensive. Me futjen e Bakajt, Shkëmbit, Sukajt, Ngjelës e Abilaliajt, Shqipëria është bërë shumë sulmuese, duke regjistruar edhe shumë raste përpara portës, por ekuilibrat në skuadër janë prishur. Kjo bëri që në minutën e 78-të, Kazaskin të shënonte edhe golin e dytë në portën e "zboristëve", duke bërë që takimi të mbyllej në barazim.
Gjithsesi, sipas stafit të FSHF-së, që ndodhet në Antalia, trajneri Han është shprehur i kënaqur me zbatimin e detyrave taktike që i kishte dhënë skuadrës. "Trajneri Han është shprehur i kënaqur me lojën e skuadrës në përgjithësi dhe me futbollistët, që kanë zbatuar me korrektësi detyrat taktike", kanë pohuar burime zyrtare në FSHF. Tashmë stafi kuqezi po punon që të sigurojë edhe një ndeshje tjetër miqësore në tokën turke, por emri i kundërshtarit dhe dita ende nuk janë vendosur.