E Diel, 1 Nëntor 2026

Si humbi paketa e Ahtisarit në pjesën veriore të Kosovës

"Dikur aty ishte edhe Dogana e Kosovës. Nuk është më. Linja administrative pas 17 shkurtit, përfundimisht, nuk u bë kufi", shkruan gazeta e Beogradit, "Veçernje novosti", në një reportazh nga veriu i Kosovës, duke konstatuar me ironi se "paketa e Ahtisarit ka humbur në pjesën veriore serbe të krahinës". Për sigurinë, pohon gazeta, kujdesen disa qindra policë serbë të SHPK-së, të cilët i përgjigjen direkt administratës serbe dhe janë në listën e saj të rrogave. Administratori rajonal i UNMIK-ut i Mitrovicës, diplomati amerikan Xherald Galuçi, i pyetur nëse komuniteti ndërkombëtar do të pranojë realitetin në veri të Kosovës, thotë: "Mendoj që më drejt duhet thënë se plotësisht jemi të vetëdijshëm për realitetin". Pasi situatën e përshkruan "befasisht të qetë", ai lavdëron popullin, liderët politikë dhe policinë. Ndërkaq, i pyetur se cilat mund të jenë lidhjet e UNMIK-ut me misionin e BE-së, që planifikon të vijë në Mitrovicë, Galuçi thotë: "Kurrfarë. Nëse mendoni në transferimin e kompetencave nga UNMIK-u te misioni i BE-së, kjo nuk po bëhet. Në këtë moment po punojmë nën mandatin e Rezolutës 1244 dhe do të vazhdojmë kështu". Në pyetjen se kush mund të zbatojë ligjin në veri të Mitrovicës, pasi thekson se "popullsia lokale e përjeton gjykatën e UNMIK-ut si gjyq të shtetit ilegal", Galuçi pohon se nuk ka përgjigje për këtë pyetje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›