Kosiga: Kosova, fundi i krizës në Ballkan
Françesko Kosiga mbart me vete të kaluara politike të stuhishme. Ka luajtur rolin kryesor në transformimin e policisë dhe shërbimeve sekrete italiane në vitet 1970, ka qenë në krye të senatit italian dhe në vitet 1985-1992 ka qenë President i Italisë. Ka pranuar se ka marrë pjesë në krijimin e organizatës së fshehtë "Gladio", e cila më vonë u përfshi në NATO dhe kishte detyrë që të bënte sabotazh e sulme guerile për të kundërshtuar depërtimin e mundshëm të sovjetikëve në Evropën Perëndimore.
Në vitin 1999, pasi u tërhoq nga posti i Presidentit, u zgjodh senator i përjetshëm i Italisë. Në vitin 1998 Kosiga themeloi një parti të vogël, e cila pati rol kyç në mbështetjen për qeverinë e Masimo D‘Alemës. Sipas Kosigës, D‘Alema erdhi në pushtet pas largimit të qeverisë së Romano Prodit, me mbështetjen e tij për të luftuar me Serbinë.
"Nedeljni Telegraf" ka botuar në dy numrat e fundit të saj intervistën me Françesko Kosigës (80 vjeç), në të cilën shpjegon mënyrën e marrjes së vendimit për të bombarduar Jugosllavinë dhe jep vlerësimin e tij për të ardhmen e Ballkanit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ai pranoi se i kishte dhënë mbështetje D‘Alemës për të ardhur në pushtet, që të luftonte me Serbinë. Kosovës ia kishin kërkuar këtë amerikanët dhe britanikët, pasi e kishin paralajmëruar se "Ballkani ishte gati të shpërthente" dhe se ju duhej ndihma e Italisë, sepse në pjesën italiane të Mesdheut ishin vendosur avionmbajtëset më të fuqishme.
Cilat janë pasojat e mundshme të pavarësisë së Kosovës?
Bashkimi Evropian tani duhet ta marrë barrën mbi vete. Prishtina nuk mundet pa ndihmën politike e financiare të Evropës. Por, as trupat tona ushtarake, detyra kryesore e të cilave tani është të mbrojnë serbët nga shqiptarët, nuk munden pa ndihmën e Evropës. Kosovën e kam vizituar para disa vitesh, pasi shqiptarët akuzuan serbët për vdekjen e dy fëmijëve të gjetur afër lumit. Atëherë e kam vizituar të gjithën. Më kanë bërë përshtypje manastiret shumë të bukura, në të cilat ishim mysafirë dhe që mbroheshin nga trupat italiane.
Serbët e kanë shpallur vendimin e bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur pavarësinë e Kosovës si padrejtësi të madhe. Çfarë do të ishte më e dobishme të bënim tani?
Duke qenë se përdorimi i forcës është i paimagjinueshëm, duhet të bisedoni me vende të caktuara, por nuk duhet ta thoni hapur. Shteti me të cilin duhet të bisedoni më shumë sigurisht është Italia, sepse ne kemi bashkëpunim mjaft të zhvilluar dhe kemi përdorur formulën e kompromisit: Pranojmë Kosovën, sepse nuk mundemi ndryshe, por vetëm Kosovën nën mbrojtjen e BE-së.
A janë të mundshme kriza të reja në Ballkan?
Shqipëria e Maqedonia duhet të futen urgjent në NATO. Në këtë mënyrë, këto dy shtete do të mbaheshin nën kontroll.
A i frikësoheni efektit domino pas pavarësisë së Kosovës?
Gjithçka varet se ku ndodhen këto vende. A e dini pse? Sepse gjithçka varet nga SHBA-të dhe Rusia. Të themi, Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse ka frikë nga ndarja e pakicës hungareze, Rumania gjithashtu. Po kështu edhe Spanja, për shkak të Baskisë e Katalonjës.
Rusët përsëri po ndihmojnë Serbinë në Ballkan, ndërsa para pak kohësh///////////////, pas disa ditësh u bënë stërvitje të përbashkëta në Mesdhe e Atlantik para porteve të NATO-s? Çfarë mendoni për këtë?
Putin është mjaft inteligjent dhe dinak. Nuk është e rastit që ai ka lindur në San Petërburg. Që Rusia të mbetet e bashkuar, i duhet të ripërtërijë moralin dhe të forcohet ekonomikisht e ushtarakisht. Prandaj i është kthyer shumë fuqi kishës ortodokse ruse. Pra, gjithçka varet nga Fuqitë e Mëdha. Rusia po bëhet prapë vend që ka shumë para, bomba bërthamore, forca të armatosura etj. Në këtë situatë, çfarë varet prej nesh, prej Serbisë, Gjermanisë, Italisë… Ne këtu nuk mund të bëjmë asgjë.
A pret Serbia copëtim të mëtejshëm?
Nuk e besoj. Ju i keni dhënë Vojvodinës autonomi të madhe, siç i ka dhënë Sllovakia pakicës hungareze. Po ashtu besoj se nuk është e mundur një ndërhyrje tjetër ushtarake e NATO-s në Ballkan, sepse në Kosovë ndodhen ushtarët amerikanë. Do të ishte ideale sikur përgjegjësia të kalonte nga NATO te BE. Por Amerika këtë nuk do ta lejojë asnjëherë, sepse Kosova ka një aerodrom të rëndësishëm të nëndheshëm në Sllatinë.
A mendoni se ky është fundi i rikompozimit të Ballkanit?
Do të doja të ishte kështu, por e gjithë përgjegjësia është te Rusia e SHBA.
Para disa ditësh keni zbuluar për publikun se si u përgatit bombardimi i Jugosllavisë. A mund të na përshkruani detaje?
Atëherë Klinton ka qenë President dhe mos harroni se është e kundërta e asaj që mendojnë njerëzit. Partia Demokratike në SHBA ka hyrë gjithnjë në luftë (Koreja, Vietnami, Kuba). Amerikanët i thanë Këshillit të NATO-s se duhet të bombardohet Beogradi. Ambasadori britanik dhe këshilltari amerikan i ministrit më thanë se "është e domosdoshme që pas rënies së qeverisë së Prodit të kemi një qeveri jo vetëm për të miratuar zgjerimin e NATO-s, por dhe kërkesën amerikane, që herët ose vonë NATO-ja të ndërhynte në Kosovë". Italia, pranoi. Mos të harrojmë se Millosheviçi udhëhoqi një politikë tjetër, ndryshe nga politika që drejtoi Tito. E kam njohur Titon. Ka qenë kroat dhe gjyshja e tij ka qenë nga Trenti, një vend në veri të Italisë. Ai e kuptoi se Kosovës duhej t‘i jepej më shumë autonomi në kuadër të Serbisë, të cilën Millosheviçi më vonë ia hoqi. Ai mbylli edhe shkollat dhe filloi kryengritja e shqiptarëve.
Në këtë intervistë flisni për njësi speciale italiane që u futën në Kosovë. Çfarë njësish kanë qenë?
Më parë morëm pjesë me forcat ajrore dhe 12 orë pas vendimit të Këshillit të Sigurimit forcat italiane hynë në Kosovë. Erdhën dhe rusët që zunë aerodromin e Prishtinës. Ne futëm njësitë speciale të forcave italiane për të studiuar situatën. Mbanin uniforma, sepse po të ishin civilë ndonjëri mund të qëllonte mbi ta. Nuk kanë hyrë në veprim, vetëm kanë studiuar terrenin ku duhej të hynin forcat italiane.
Pse u mor vendimi për pavarësinë e Kosovës?
Ky vendim është marrë për arsyen e thjeshtë se askush nuk deshi të marrë përgjegjësinë për ta vendosur Kosovën nën mbulesën e Beogradit. Tani duhet të pritet që gjërat të bien pak. Pastaj, nëse serbët e Kosovës duan të shkojnë me Serbinë, kjo do t‘u lejohet atyre edhe pse Amerika e kundërshton. Në se kjo nuk ndodh, BE duhet të marrë juridiksionin mbi enklavat serbe dhe t‘u garantojë sigurinë.