E Diel, 1 Nëntor 2026

Anatema e një rruge

Nuk dihet se ç‘mallkim, si qëmoti prej "Bjeshkësh të Namuna", mori hua politika vitin që shkoi, për ta mallkuar e shigjetuar kryerrugën e shqiptarëve. Cila Ajkunë u ngrit prej kushedi ç‘eposi dhe e mallkoi atë, si një gjëmë që po pllakoste këtë vend të bekuar, në vitin e shtatë të mijëvjeçarit të tretë, kur rruga Durrës-Kukës-Prishtinë nisi të shtrihej brigjeve të Fanit, si projekti më i madh shqiptar. Ata që kanë kujtesë, apo që kanë mbajtur shënim nga historia e tyre e afërt, kujtojnë si ngrihej furia mediatike kur ndërtoheshin veprat e mëdha, që e nxirrnin vendin tonë nga shtigjet e fshatit të madh kombëtar në rrjedhat e një qytetërimi sado të brishtë. Fjala vjen, kur ndërtohej Fierza dhe diga e saj, ishte kthyer në një simbol të triumfit modern. Do t‘ia kishim gjetur ndonjë kleçkë "komuniste" asaj Fierzës, nëse nuk do t‘i kishim prapë sytë atje, ngase po na mban me dritë dhe sot e kësaj dite, kur nuk bëjmë dot më diga. I bie që ajo propaganda për gjigandin e dritës, të ketë qenë e mirë, jo vetëm për atëherë, kur ndikonte në moralin e ndërtuesve të saj, si një lloj "marketingu" politik që njerëzit të mos i tuteshin Fierzës, tri ditë udhë larg nga kryeqyteti, por dhe sot, kur po ato turbina, janë shpresa e vetme dhe lavdia e Qeverisë për ta mbajtur këtë vend me dritat ndezur.

Por ndryshe nga dikur, tash e kemi gjuhën brisk, jo vetëm nuk lavdërojmë e shenjëzojmë atë që duhet, po ku të gjejmë një ngërç, që të ngrihemi mbi çdo gjë risore, teksa qëllon që i bëjmë publicitet një diçkaje të përgjysmët. Kemi kaq vite që, për sa u përket veprave publike, presim më së shumti shirita rikonstruksionesh, edhe për herë të tretë në të njëjtin objekt, dhe rrallë kemi prerë shirita veprash të reja në këto 17 vite. E reja është bash kjo rruga me "sëmundje", kjo rruga që po na "grin" buxhetin e shtetit, që nuk ia kemi bërë si duhet projektin, procedurat e tenderimit, që nuk ia kemi vënë mirë supervizorët, që e dyshojmë orë e çast. Apo, pikërisht për atë që është ndryshe nga të gjitha rrugët e tjera, nuk mund të bëhet pa shamatë. Politika sikur e ka bllokuar atë, ka ngritur një si prokurori politike kundra saj, edhe pse të zotët e punës, prokurorët e shtetit, e kanë çështjen në shqyrtim dhe nuk nguten si politikanët. Por duhet të jetë ai mallkimi i madh që i rri në themele, që parasheh fli dhe kurbane, kuçedra dhe dragonj... Përndryshe, cili ekip xhirimi shkoi atje për të bërë ndonjë telereportazh, përveç TV-së së Kosovës, që fundja e kishte më larg se këto të Tiranës? Sepse po shkove te rruga, po xhirove mbi të, sikur i bie ndesh frymës së "shenjtë" antirrugë. Në këtë vend duhet me qenë medoemos në linjë me zhurmën kombëtare, me dashje apo pa dashje. Ah, për rrugën, është fjala?... Sikur ka diçka atje, diçka që nuk shkon… Rruga ka marrë erë... Diçka e rëndë po të luhet atje. Ish-ministrit të Transporteve, Basha, kot nuk iu hoq imuniteti parlamentar. Prit të shohim njëherë, do të ketë apo jo pranga rruga?… Pastaj a nuk është stil i vjetër, të thurësh himne sot për veprat e mëdha? A nuk bie erë monizëm kjo gjë?... Jo, jo, duhet me qenë modern… Është tjetër gjë në modë sot, gazetaria vrapon pas skup-it, ka lajm, s‘ka lajm… Ku ta gjesh atë përdhunuesin e së bijës, që ta nxjerrësh në fotografi në të gjithë shëmtinë e tij, t‘ia qepësh kronikën e perveristetit të pashembullt cep e më cep gazetës… Një javë rresht. Kjo po, kjo është sot! Kurse rruga nuk përbën lajm, edhe pse është e para rrugë shqiptare në parametra evropianë, edhe pse është e para rrugë që lidh dy "copat" shqiptare që i ndanë shekujt, edhe pse ndërtohet jo nga firmat tona, shpesh me dy makina e një betoniere, po nga kompani ndërkombëtare me zë në të gjithë botën, edhe pse askush nuk ka shpuar një gisht (kur dihet se ç‘po ndodh me Bulqizën me aksidentet e njëpasnjëshme në galeri); edhe pse kjo rrugë kaherë është një ëndërr e mbarëshqiptarëve pa dallim krahine, feje dhe ideje etj.

Ja, kështu u mbyll një vit, pa një kartolinë për ata mijëra ndërtues, që flasin në disa gjuhë të këtij planeti, që janë dhe nuk janë nesh. Sepse, ku të lë politika që çirret në Tiranë, në Parlament, në konferenca shtypi, pro dhe kundra rrugës, të shohësh përtej sherrnajës së ditës, që kur bëhet një punë e mirë, duhet me thënë: të lumtë. Kaq (pa)seriozitet ka këtu, kaq (pa)ndershmëri, sa nuk dihet se si do të kishin ndërruar fjalët, nëse ata që do ta ndërtonin, do të kishin qenë, si me thënë, të krahut tonë… Asokohe, kur Kryeministri ynë krijonte një fond të veçantë me emrin e rrugës, ne nuk kishim ndonjë inat me rrugën, përkundrazi, atëherë inatin e kishin ata që sot e (keq)qeverisin rrugën. Ju kujtohet si e bënë blozë demokratët e Doktorit atë taksën "Majko"? Bile atëherë për rrugën u krijua dhe një lobim me nja nëntëdhjetë deputetë, në krye të të cilit ishte njëri sosh, jo rastësisht prej Jugu. Se, mjerisht, dhe këto gjëra shihen në këtë politikën tonë, që nuk përpiqet të dalë nga paranoja e vet. Tani jemi një vit më vonë. Ndoshta gjërat me rrugën do të ndryshojnë, se mund të ketë qenë ters dhe ai numri 7, e tash kemi një numër të ri, sado që nëse kujtohemi për 8 Nëntorin, mund të jetë sërish ters, pasi ai është një numër i paikur, i pakallur, i fshehtë, në pjesën ish-komuniste, por për paradoks, shpesh dhe në atë antikomuniste, ngaqë ende jemi robërit ideologjikë të tij? Bash atëherë, gjërat patën nisur të shiheshin fiks bardhë dhe zi, si në këtë qëndrimin ndaj rrugës, ku klisheja politike të krijon idenë e gabuar, sikur ky investim madhor, për gjysmën (politike) bën dhe për gjysmën tjetër jo - me arsyetimin e kësaj të fundit se nuk janë zbatuar si duhet procedurat, kostoja është e madhe etj.

Kësisoj, fyerja ndaj rrugës ka qenë e dyfishtë, si për ata djem azganë parlamentarë apo analistë, që nuk kanë shkuar njëherë deri te tuneli i Thirrës, por si për ironi të qeveritarëve, e lakojnë pa sens atë fjalën "patriotike"; ashtu si dhe për palën tjetër, atë shtetërore, që nuk pranon se me rrugën mund të ketë pasur gabime në procedurat teknike etj., që sigurisht duhen rregulluar, apo dhe ndëshkuar, pasi në Evropën e integruar nuk shkohet duke bërë gabime të asnjë natyre. Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Orsali Kalanzopulos, thoshte disa ditë më parë se projekti ka një ndikim të qartë pozitiv zhvillimi, se përbën një mundësi për të shfrytëzuar më mirë investimet e kryera në Portin e Durrësit etj. "Është gjë shumë e mirë ta lidhësh këtë pjesë të Evropës, nga Durrësi në Kukës, Morin e deri në Korridorin e 10-të". Por, sipas saj, studimi inxhinierik nuk duhej të ishte bërë nga kompania ndërtuese, apo se ishte shumë e rëndësishme për qeverinë të vendoste disa pika kontrolli në sistem për të mënjanuar rritjen e kostos, vonesat apo të papritura të tjera… Veçse a janë shkak këto vërejtje e mangësi serioze për një mallkim? Për të zhurmuar për "skandal" në segmentin Rrëshen- Kalimash, për aq kohë sa drejtësia nuk ka folur? Deri tani jemi duke u marrë vetëm me dyshime, "në qoftë se ka ndodhur kështu, apo ashtu". Po a mund të ngrihet një furtunë në gotë, me "në qoftë se"? Ku tjetër në vendet e zhvilluara ngjet kështu? Nuk mund të jemi më të besueshëm me atë psikologjinë tonë të mbrapshtë, njëri thumbit, tjetri patkoit, ku të gjithë i paragjykojnë të gjithë, opozita qeverinë, qeveria opozitën etj. Nëse Prokuroria e Përgjithshme kërkon kasetën e mbledhjes së Qeverisë, ku është diskutuar për rrugën, kjo është një gjë normale dhe cili është meraku që ne hamendësojmë e debatojmë pa fund (pro dhe kundra) rreth këtij detaji, që ka të bëjë thjeshtë me anën hetimore. Apo se dikush kishte besim te Prokuroria e Përgjithshme dje, dikush tjetër sot, sikur kjo Prokurori të mos jetë një institucion i ligjit, që ngre akuza, pavarësisht se cili ishte dje, apo është sot, kreu i tij. Ky është problemi që ne kemi me veten dhe me institucionet. Në rastin e rrugës duhet ndarë njëherë e mirë aksi i saj nga "aksi" i ç‘akorduar i politikës. Nuk mund të shkojnë pazgjidhshmërisht ata të dy paralel, ku për rastësi, përfundimi i rrugës përkon me vitin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare, që mund të nënkuptojë mbajtjen e pishtarëve ndezur deri atëherë, jo aq për rrugën, se sa për përfitim elektoral të ndërsjellët. Nuk do të ishte e hijshme që sherri i njohur politik të shtrihej mbi një rrugë që vetëm me politikën nuk mund të jetë në simbiozë.

Rruga është një test për të gjithë, në radhë të parë për qeverinë, që ka dhe përgjegjësinë e këtij investimi kaq të madh, në këtë kontekst, dhe për zotin Basha, i cili përflitet për procedurat, por jo dhe për afera korruptive që lidhen me rrugën. Mund të jesh opozitar i thekur i Sali Berishës në vite, por kjo nuk duhet të pengojë të çmosh vullnetin dhe vendosmërinë e tij si Kryeministër dhe të Qeverisë që ai kryeson për ta bërë këtë vepër. Aq më tepër që nga rruga mund të mësojnë të gjithë, dhe ata që tymosin me orë të tëra para filxhanit të kafesë, dhe pastaj me një lloj deliri dalin para kamerave dhe flasin pro dhe kundër rrugës. Alkooli, rutina, ecejaket në orarin e punës, atje te rruga janë të huaja, të ndaluara. Tjetër janë ritmet atje, ku punohet dhjetë orë në ditë dhe me dy turne, që të mbërrihet caku 2009, kur rruga duhet të përfundojë. Pra, duhet kuptuar rruga, që të kuptohen këto gjërat e "vogla", si disiplina e hekurt e punës atje, duhet kuptuar filozofia e procesit, që pastaj ta duash këtë gjymtyrë të re, të paqenë më parë, të Atdheut tënd. Drejtori amerikan i punimeve, gjatë një veprimtarie në Rrëshen, i ftonte njerëzit që ta vizitonin rrugën, jo për t‘i dhënë ndonjë dekoratë atij personalisht dhe "Bechtel"-it, por për ta njohur më mirë rrugën. Për të parë nga afër (jo thjeshtë në letra, por në terren) një rrugë që të ngjan se ndërtohet në "ajër" majë kodrinave dhe kreshtave të Fanit të Vogël, ku lumi ka humbur shtratin nga 27 urat dhe veprat e tjera të artit në ndërtim, ku gjysma e Shqipërisë është kthyer në kantier ndërtimi, ku punojnë mbi 2000 punëtorë të huaj dhe vendas, ku lëvizin mbi 1000 makineri e ku një kapitull më vete është tuneli "unikal" i Thirrës etj. Këtë pamje Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë më parë, dhe prapë as ky fakt si duket nuk përbën ngjarje në këtë vend. Ama askush nuk duhet të dyshojë se veçse me kolosë të tillë infrastrukturorë, kjo Shqipëria jonë dëshmon se është duke e lënë prapa tranzicionin. Me apo pa "projekt", po ama ku gjithçka matet, peshohet dhe kronometrohet. Shto dhe se është e para rrugë nën "pushtimin" e teknologjisë më të fundit… Ndaj ajo ftesë duhet mirëkuptuar. Siç shkoi atje këto ditë zv.ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, apo siç ka qenë disa herë ministri aktual i Transporteve, për të zgjidhur probleme e për të dhënë mbështetje, mund të vënë dhe të tjerë. Pa thënë se ndonjë "drekë pune" e Presidentit të Republikës me deputetë miq, mund të shijonte jo vetëm në Durrës, por dhe në ato vise të epëra me shumë ndërtues e me pak kamera. (Kur ky shkrim sapo kishte mbërritur në redaksi, u njoftua vizita e Kryeministrit Berisha në tunelin e Thirrës, të shtunën, ku kishte dhe ndër ata "shoqërues" të tij që venin për herë të parë atje!?) E habitshme është ndërkohë se, teksa të gjithë flasin për segmentin e anatemuar Rrëshen-Kalimash, thuajse askush nuk ndalet të thotë se rruga nuk është vetëm kjo pjesë, por vetëm një segment i saj, madje dhe të pyetet, pse po vonon fillimi i punimeve në segmentin Milot-Rrëshen etj.?

Pasaporta e rrugës nuk është gjithsesi ajo politike. Sigurisht që do t‘i bëhej mirë rrugës, nëse politika, media, kontrollorët e ndryshëm do t‘i bënin oponencë çdo çast, pasi ajo nuk është e imunimizuar nga gabimet, defektet, shpërdorimet. Por jo të denigrohet me apo pa dashje. Eshtë e dhimbshme të mendosh se krahas faktorëve të ndryshëm, që mund të mos ta kenë dëshiruar rrugën, ka ndërkohë dhe plot individë të tjerë që kanë dashur të përfitojnë nga rruga padrejtësisht, nga shpronësimet etj., çka do të thotë se rrugës i duhet të bëjë luftë dhe me këtë psikologji (patologji) shqiptare, të japë dhe këtu modelin, si për vendësit (me apo pa mandat) që iu erdhi zogu në dorë, por mbase dhe për të huaj, që mund të kenë pozicione monitoruese e të tjerë. Tek e fundit, një imunitet parlamentar më pak, nuk do të thotë asgjë mbi fatin e rrugës. Është më së shumti një sinjal për qeverinë, ministrat, shtetarët, për t‘i marrë punët me gjithë përgjegjësinë e duhur. Në vetvete, rruga e ka të pacenueshëm "imunitetin" e saj. Mbi rrugën kanë tagër shqiptarët. As qeveritë, as partitë. Edhe për faktin se ajo ndërtohet me paratë e tyre. Por dhe se ata nuk janë asnjëherë pjesë e "lojës", pro apo kundra, që mund të luhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›