Gjendet i vdekur në banesë një 61-vjeçar
Një burrë 61 vjeç nga Rrethi i Lushnjës është gjendur i vdekur nga të afërmit në banjën e shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Thanasaj, të Komunës Fiershegan të Rrethit të Lushnjës, kur Idajet Toska është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Burimet policore lokale bëjnë të ditur se Toskaj ka qenë i vetëm në banesë në momentet e vdekjes. Sipas policisë, familjarët e tij, djali dhe bashkëshortja, e kanë gjetur atë në banjën e shtëpisë. "Ai nuk jepte shenja jete, ndërsa ishte ftohur i tëri. E gjetëm gjysmë të zhveshur dhe të ulur në dysheme",- kanë thënë për policinë djali i Idajet Toskës. Gjithashtu të afërmit kanë pohuar se ishin larguar qysh një ditë më parë për vizitë në një qytet tjetër dhe e kishin lënë të vetëm plakun. Trupi i Idajet Toskës është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, por mjekët kanë pohuar për "Shqip" se Toska ka mbërritur i vdekur aty, madje, sipas tyre kishte kohë që kishte ndërruar jetë. Menjëherë bluzat e bardha kanë njoftuar komisariatin e policisë, ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit. Sipas burimeve policore të Lushnjës, mësohet se nga ekspertiza mjekoligjore nuk janë vërejtur shenja dhune në trupin e 61-vjeçarit, ndërkohë që policia ende nuk është e bindur nëse vdekja ka qenë natyrale, apo një vetëvrasje. Për këtë arsye, janë marrë në pyetje të gjithë të afërmit e tij, të cilët kanë konfirmuar se shëndeti i 61-vjeçarit ka qenë normal dhe se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje, por edhe se nuk kishte asnjë problem mendor apo shpirtëror.