E Diel, 1 Nëntor 2026

"Hetimi i paligjshëm, nuk kam pasur përkthyes"

Ka nisur me "sulmin" e palës mbrojtëse procesi ndaj administratorit të pronave të Yassin Kadi. Avokati i Hamzeh Abu Rayyan ka paraqitur 24 kërkesa paraprake, të cilat kishin në thelb të tyre shpalljen nga ana e gjykatës të pavlefshmërisë absolute të procesit hetimor dhe kërkesës për gjykim të bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në bazë të të gjitha këtyre kërkesave ishte fakti se gjatë procesit hetimor të akuzuarit nuk i ishte siguruar një përkthyes zyrtar. Duke qenë se ai është një shtetas jordanez, sipas mbrojtjes, prokurori duhet t‘i kishte garantuar një përkthyes, çka parashikohet në legjislacionin shqiptar në fuqi, por në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën vendi ynë e ka nënshkruar në vitin 1996.

Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ka nisur procesi ndaj të pandehurit Hamzeh Abu Rayyan, i akuzuar për fshehje të fondeve për qëllim terrorizmi, vepër e parashikuar nga neni 230 pika b/1 i Kodit Penal. Rayyan është shtetas jordanez dhe ka punuar në Shqipëri si administrator i bizneseve të Yassin Kadi. Ky i fundit ka qenë i përfshirë në listën e OKB-së si financues i organizatave terroriste. Në këtë kuadër, edhe në Shqipëri atij i janë bllokuar pjesa më e madhe e bizneseve dhe madje është kërkuar derdhja në thesarin e shtetit të të ardhurave që vijnë nga objektet që ai ka dhënë me qira këtu në Shqipëri. Pikërisht për fshehjen e këtyre të ardhurave është akuzuar Abu Ryyan. Por në muajin dhjetor, akuza për financim terrorizmi është rrëzuar nga prokuroria për mungesë provash dhe në këtë mënyrë mbrojtja e Abu Rayyanit pretendon se edhe procesi ndaj tij nuk ka asnjë bazë ligjore. Gjithsesi, në seancën e djeshme, avokati Sajmir Visha ka përdorur të tjera argumente për të nxjerrë të paligjshëm procesin hetimor dhe atë gjyqësor.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryetari i trupit gjykues, Sandër Simoni, i ka dhënë fjalën mbrojtjes për paraqitjen e kërkesave paraprake. Avokati ka deklaruar se klientit të tij gjatë gjithë procesit hetimor nuk i ishte vënë në dispozicion një përkthyes zyrtar i gjuhës jordaneze dhe për këtë arsye kërkoi pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim dhe të gjitha dokumenteve të siguruara gjatë procesit hetimor. Prokurori i çështjes, duke iu përgjigjur interesimit të trupit gjykues, deklaroi se në procesverbalin e mbajtur në datë 18 tetor 2006, i pandehuri është pyetur nëse dëshironte përkthyes, ndërsa ai ka deklaruar se e njeh shqipen dhe nuk do përkthyes. Vetë Abu Ryyan ka deklaruar se ai, duke punuar për shumë vjet në Shqipëri, ka njohuri të gjuhës shqipe, por jo njohuri të plota lidhur me terminologjinë juridike apo ekonomike, që është përdorur gjatë hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›