Berisha dhe Basha pa imunitet amerikan
Qeveria, dhe personalisht Kryeministri Sali Berisha, po bën të gjitha përpjekjet për të unifikuar akuzat e opozitës dhe, madje edhe hetimin mbi procedurat e tenderit për një segment të rrugës Durrës-Kukës, me sulmet mbi vetë rrugën. Ai nuk lë vend pa përmendur se ajo është një vepër shumë e rëndësishme, që është arteria e kombit, një vepër jetike për zhvillimin e kombit etj. Në fakt, ato që Kryeministri thotë mbi rëndësinë e këtij korridori rrugor janë plotësisht të vërteta. Ajo rrugë është jo vetëm arteria, por edhe shtylla kurrizore (megjithëse me disa vertebra të thyera në segmentin e "vdekjes" Fushë-Krujë - Milot) e që do të lidhë Shqipërinë me shtetin e ri kosovar, që do t‘i japë frymëmarrje lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, e do të afrojë tregjet e 7 milionë shqiptarëve në Ballkan.
Nuk mund të ketë shqiptar që të mendojë se ndërtimi i kësaj rruge është një gabim, ndaj nuk ia vlen të zgjatemi më me përkufizime mbi rëndësinë e saj. Por hetimi i tenderit për një pjesë të kësaj rruge është një gjë krejt tjetër nga vetë rruga. Madje, tashmë ai është një çështje që nuk mund të mbyllet, ndërsa deklaratat e Kryeministrit mbi sulmet ndaj rrugës janë bërë më shumë se bajate. Ajo që duhet të bëjë qeveria tani është të bashkëpunojë për hetimin dhe të sigurojë firmën ndërtuese që procesi nuk drejtohet kundër asaj. Dhe se firma duhet të vazhdojë punën, edhe me tri turne, për ta bashkuar Shqipërinë me Kosovën sa më parë.
Deri pak ditë para votimit në Parlament për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha, Berisha i kishte dhënë një tjetër drejtim avokatisë përballë hetimit, që kishte hapur prokuroria dhe akuzave të opozitës. Do të na mbetet gjatë në kujtesë deklarata, ose më saktë ngërdheshja e tij përballë deputetëve që kërkonin hapjen e rrugës për hetimet e tenderit të segmentit Rrëshen-Kalimash. "Nuk keni brirë ju t‘i dilni përballë kësaj çështjeje. Mos u merrni me këtë punë se... nuk mund të mateni ju me ‘Bectel‘-in. Jeni të vegjël ju përballë saj, sepse ajo është ‘Bectel‘, ajo është Amerika...".
Në mënyrë të pashembullt dhe të paskrupullt, Kryeministri i një vendi po përdorte emrin e një vendi tjetër për të mos lejuar prokurorinë e vendit të tij të ushtronte funksionet e ligjshme. Në mënyrë të habitshme, Kryeministri ynë nuk tha se tenderi nuk kishte shkelje, por nxori para deputetëve emrin e Shteteve të Bashkuara. Duke ditur që "Bectel" është një shoqëri në bashkëpronësi të zëvendëspresidentit amerikan, Kryeministri ynë deklaroi triumfues se "ju s‘keni ç‘i bëni ‘Bectel‘-it". Në fakt, askush nuk e kishte me "Bectel"-in, por me mënyrën e zhvillimit të tenderit që fitoi "Bectel". Berisha po përdorte kështu emrin "Bectel" apo emrin e Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar hetimin e procedurave të tenderit. Berisha mendonte se në këtë mënyrë, ai u mbyllte gojën opozitës dhe hetimeve, e bashkë me to, rriste aksionet e tij politike në Uashington.
Por Berisha duket se i kishte bërë vetëm llogaritë, pasi në Uashington, shoqëritë, qofshin edhe të zëvendëspresidentit, nuk kanë imunitet para drejtësisë, ndaj dhe për pasojë nuk mund të importojnë imunitet për Berishën dhe ministrin e tij në Shqipëri. Na duket naivitet të mendosh se Berisha apo Basha kanë marrë para, pra janë korruptuar, për ta favorizuar shoqërinë "Bectel". Ata pranuan t‘i shkelin ligjet me koshiencë, sepse menduan se kështu po forcojnë pozitat politike si proamerikanë. Por, përmes (sh)përdorimit të emrit të Shteteve të Bashkuara, si barrierë për të bllokuar një hetim, qeveria po jepte një mesazh të keq: Në emër të interesave të shoqërive amerikane, apo të vetë Shteteve të Bashkuara, ajo ishte e gatshme t‘i shkelte ligjet e vendit të saj dhe t‘i dëmtonte interesat e popullit të saj. Dhe Shtetet e Bashkuara, vendi simbol i drejtësisë, e toleronte këtë gjë.
Por, një sjellje tillë nuk duhet të ketë lënë shije të mirë në Uashington, pasi dhe sinjalet nuk vonuan të vijnë. Në mënyrë të papritur, redaksia qendrore e "Zërit të Amerikës" në Uashington, intervistoi njëri pas tjetrit dy zyrtarë të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së, me seli po në Uashington. Ata iu përgjigjën të njëjtave pyetje dhe dhanë të njëjtat përgjigje. "1. Nuk i kemi sugjeruar qeverisë shqiptare ndonjë firmë për të qenë fituese e tenderit për segmentin Rrëshen-Kalimash; 2. Në tender nuk kishte konkurrencë". Të dy zyrtarët u intervistuan tre dhe një ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të votonte heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. E bindur se do të bënte një shou politik me gatishmërinë që tregoi për heqjen e imunitetit të Bashës, pa u trembur për ndëshkime, "pasi prapa është Amerika", qeverisë iu desh të përballet papritur me një mesazh të qartë: Shqipëria është e lirë ta bëjë drejtësinë në vendin e saj, pa qenë nevoja të përdorë emrin e Amerikës, Bankës Botërore apo FMN-së.
Pas kësaj, Berisha hoqi dorë nga avokatia amerikane dhe iu kthye asaj kombëtare. Ata që kërkojnë hetime mbi tenderin, tashmë nuk janë antiamerikanë, por antikombëtare, antikosovarë etj. Padyshim që opozita do të shfrytëzojë çdo gurë të shkuar dëm në këtë rrugë për të bërë politikë, pasi kjo është detyra e saj. Por, ajo që na shqetëson dhe duhet të na shqetësojë ne të tjerëve jashtë politikës është domosdoshmëria për të bërë drejtësi, pavarësisht subjektit. Përveçse një çështje, të cilës doemos i duhet dhënë një përgjigje ligjore, ky hetim është një gur i madh prove për prokurorinë post-Sollaku. Jo një gur prove për Ina Ramën, por për prokurorinë, e cila nuk luftonte korrupsionin, pasi deri tani kishte në krye një njeri, që sipas Kryeministrit, ishte i lidhur me krimin, me korrupsionin, me politikën etj. Për këtë arsye, tashmë Berisha duhet ta stimulojë prokurorinë të hetojë, qoftë edhe duke sakrifikuar ndonjë nga njerëzit e tij.
Në të kundërt, ky organ nuk do të ketë të drejtë morale të ngrejë qoftë edhe një akuzë kundër ndonjë prej ish-zyrtarëve të majtë, që e lanë pushtetin në kulmin e dhjamosjes prej korrupsionit. Po ashtu, kjo prokurori nuk do të mund të ngrejë akuza të tjera ndaj pushtetarëve aktualë të korruptuar, pasi ashiqare do t‘i duhet të pranojë se punon me dy Kode Penale. Me pak fjalë, organi i akuzës do të dështojë në luftën e vërtetë kundër korrupsionit dhe Berisha do të jetë ai që do të mbajë përgjegjësinë, jo vetëm politike, për këtë dështim. Ai tani nuk ka asnjë barrierë për t‘i dënuar hajdutët e shtetit dhe për të keqen e tij nuk ka më armiq përballë për t‘u faturuar humbjen.