Pranga policit të burgjeve, kërcënoi ish-bashkëshorten
Një polic burgjesh ka përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, pasi ka kërcënuar seriozisht për jetën ish-bashkëshorten e tij. I arrestuari Gjovalin Pjetri, veç kësaj ka kundërshtuar e kërcënuar edhe policin, i cili ka shkuar për të bërë shoqërimin e tij në polici. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjovalin Pjetër Pjetri, 49 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës i policisë së burgjeve, pranë Burgut 302 në Tiranë. Sipas informacioneve të uniformave blu, arrestimi i tij u bë pasi më datë 12 janar 2008, me armën e punës ka kanosur seriozisht për jetën ish-bashkëshorten e tij, Vjollca Marketit Gjergji, 38 vjeçe, dhe më pas ka kundërshtuar punonjësit e policisë për shoqërimin e tij në komisariat. Kështu ai ka penguar ekzekutimin e vendimit gjyqësor, që më datë 05 nëntor 2007 ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për Vjollca Gjergjin. Në cilësinë e provës materiale u bllokua pistoleta tip "TT", që e kishte në posedim polici i burgjeve.