E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy duar për një kokë

Ndryshe nga ç‘thotë shumëkush, liria e dikujt nuk mbaron aty ku fillon ajo e tjetrit. Meriton të sqarohet që në fillim se ky parim, në kontekstin moralist që përdoret, vlen po aq sa hartimi me të njëjtën temë i një virgjëreshe që ende lexon gjëra si "Tre shokët" dhe ëndërron eksperienca të pjekura me depresivë që bëhen dhogë me Kalvados e vetëvriten në nikotinë. Duke respektuar veten më shumë se kaq, duhet pranuar se liria mbaron bash aty ku thotë ligji. Të paktën, në Shqipëri liria nuk konturohet sipas të drejtës natyrore, por sipas të drejtës së ligjit. Dhe qofshin Dhjetë Komandimet e Moisiut, një sistem i sofistikuar rregullash, apo thjesht një grykë pushke që ruan gardhin, në çdo rast kemi të bëjmë me ligj. Mund të mos na pëlqejë formulimi, por këtu, ligji është i vetmi instrument që dikton lirinë, duke i dhënë formë maketit të demokracisë, e cila është një optimizëm i nevojës së pakufizuar të njerëzve për këtë aset, përballë mundësive të kufizuara. Është çështje menaxhimi. Ai që zotëron frerët e ligjit, kontrollon lirinë, jo si koncept abstrakt, por si e përditshme njerëzore. Duke shpërfillur patetizmin heroik-romantik të propagandës apo analistikës profesioniste në media, liria në praktikë nuk është ndonjë qëllim më i lartë, por thjesht një licencë. Licencë për të thënë atë që mendon, për ta shkruar, për të ushtruar biznes, për të sharë, për të bërë seks, për të dëgjuar muzikë, për të falur apo për të vrarë. Të gjitha këto, më fort se morali, etika, apo etiketa, i dirigjon ligji, i cili i përkthyer në diçka të prekshme, fizike, s‘është tjetër veç atyre ndërtesave të kohës së Italisë pushtuese që parakalojnë nga të dy anët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" e ca të tjerave, që u orbitojnë përreth, si satelitë të një sistemi që quhet Shtet.

Si rregull, kush parakalon përmes bulevardit në fjalë, dikton formatin e tij të lirisë. Si rrjedhojë, liria e shqiptarëve pati variante të ndryshme përmbajtjeje e paketimi në varësi të kohës e regjimit. Nga modeli fshatar-aristokratik i Zogut (para pushtimit), tek ai italo-lapangjoz (gjatë pushtimit), komunist-katundar-jugor (pas çlirimit), komunist-stalinist, komunist-kinez, thjesht kinez pa komunizëm, demokratik-alpin etj., etj. Liria (përmbajtja) dhe ligji (kallëpi) në këtë vend nuk u diktuan as u shkruan me duar, por me këmbë. Në varësi të çizmeve, apo opingave që parakaluan mbi rrugën që shtroi Musolini, mileti shqiptar mori recetën me dozën e përcaktuar saktë të lirisë që meritonte. Sipas simites së kokës është vënë kapela, kësula apo qeleshja.

Ndaj, kush kontrollon shtetin, kontrollon lirinë e përbashkët, morinë e lirive tona individuale. Duke kontrolluar lirinë e dikujt, nuk kontrollon thjesht një gjendje të caktuar fizike apo emocionale; kontrollon vetë njeriun. Kur flasim për uzurpim pushtetesh e kapje shteti, flasim në të vërtetë për kufizim të lirisë, deri në robërim të qytetarëve të një vendi. Dhe njerëzit e robëruar qeverisen më kollaj. Nga ky çast, gjithçka tjetër është thjesht çështje mase e vullneti të sovranit (i cili në rastin konkret nuk është më populli), nëse do ta shndërrojë sistemin në një totalitarizëm diktatorial, apo në një variant më diskret të autokracisë, siç është demokracia e kontrolluar e Vladimir Putin.

Ndryshe nga ç‘përçart ndonjë analist profesionist, "kjo e jona" ("sistemi qeverisës në Shqipëri", do sqaronte dikush që ka më shumë respekt për lexuesin) nuk është diktaturë. Nuk është diktaturë, se ndryshe nuk do kishim mundësi të protestonim, të grindeshim nëpër gazeta, t‘i hakërreheshim qeverisë e Kryeministrit. Nuk do të kishim mundësi të shkruanim qoftë edhe këto pak rreshta. Ndoshta, nuk kemi mbërritur as te varianti post-bolshevik i demokracisë së kontrolluar. Ndoshta, jemi në atë fazën e parë, kur institucionet e pavarura, ato që garantojnë paprekshmërinë e sistemit nga një vullnet i vetëm, po rrëzohen një nga një, në duart e një pushteti individual. Jemi pikërisht në pjesën më të brishtë të procesit, ku ndahen rrugët e të ardhmes së demokracisë së një vendi. Pikërisht, në udhëkryqin ku matet për të njëmijtën herë pesha që ka vullneti sovran i gjithsecilit për të vendosur se ç‘qeverisje e ç‘cilësi jete do të ketë nesër. Ky është një çast shumë i rëndësishëm. Ky është çasti kur ëndrrat mund të shndërrohen në makth, të drejtat të shpërndahen sipas tollonëve përkatës e vetë liria të shndërrohet në një shpjegim të censuruar të Revolucionit të Tetorit në fjalorët apo librat e historisë. Si në fjalorin anglisht-shqip të kohës së komunizmit, ku përkthimi i "syndicate" është "bashkim profesional".

Kur preket liria personale e dikujt, ai person gëzon të drejtën natyrore të ngrihet për ta parandaluar "keqbërjen". Format janë të shumta: nga një protestë paqësore në rrugë, deri te varianti i frikshëm i revolucionit të armatosur. Këto janë çmimet që popujt kanë paguar për më shumë liri. Dhe rezultatet kanë qenë të larmishme në lavdinë e tragjedinë e tyre. Kur institucionet që vendosin veton për TV-të e radiot, për pronat, për ndërtimet, për punësimin, për abuzimet e burgun, deri te përcaktimi i fatit të votës, centralizohen në duart e një njeriu, pa dyshim që liria është në rrezik të madh. Grumbullimi i pushtetit rreth vetes është më së paku dëshmi e vetë dëshirës për pushtet. Dhe të mos harrojmë se siç thotë Ciceroni, "liria është pushteti i natyrshëm i njeriut për të bërë ç‘dëshiron". Sigurisht, "derisa forca e ligjit ta pengojë". Por, kur një njeri i vetëm i disponon të dyja, edhe dëshirën për pushtet edhe ligjin, çfarë ndodh? Janë dy duar për të njëjtën kokë. Koka ime dhe e jotja, në fakt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›