E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija e triestinëve në ferrin e akullt

Vinin nga bora, kështu quhej Marola, Zaninoviç, Skarpa, Luziana, që habitën botën, duke u kthyer të gjallë nga ferri i akullt, i cili i kishte burgosur për nëntëqind ditë. Ekuipazhi i përbërë nga katërmbëdhjetë marinarë dalmatë dhe triestinë, pasi braktisi anijen, u kthye në shtëpi nga Deti Arktik, duke ecur në këmbë sipër akullit për dy vite me radhë. Ishte viti 1874, ata njerëz bashkë me drejtuesit e tyre, kishin mbërritur në gjerësinë gjeografike maksimale veriore që ishte arritur më parë, 82‘ 51" gradë të arkipelagut, i cili u quajt Toka e Françesko Xhuzepes, pika më e largët veriore e Evropës. Pas kthimit në Norvegji, pastaj në Gjermani dhe në Vjenë, u pritën si heronj. Por edhe sot e kësaj dite, emri i komandantit të tyre, Karl Juprekt, një triestin i guximshëm, është shumë pak i njohur, madje edhe për vetë italianët. 2008-a tashmë është viti i katërt polar botëror, por gjithsesi duket se ende kjo histori e mrekullueshme ka mbetur në harresë. Madje ekspedita e parë drejt Polit të Veriut, e cila u nis nga norvegjezi Nansen, ose ajo nga amerikani Peri, u përfundua nga ky triestin që kishte lindur në Gjermani dhe nga ekuipazhi i tij adriatikas. Por anglezët dhe gjermanët e njohin mirë këtë emër. Ai është shkruar në faqen zyrtare të internetit të NASA-s si babai i kërkimeve shkencore ndërkombëtare.

Ishin vitet e të ftohtit gjeografik botëror dhe hartat e botës mbartnin shumë toka të bardha të paeksploruara. Poli i Veriut ishte më i madhi dhe Karl Juprekt, togeri i një anije të madhe, pak më shumë se tridhjetë vjeç, filloi që të përgatitej për udhëtimin e madh. Ndërtoi një anije të përshtatshme për akujt e Veriut, zgjodhi njëzetetre burra dhe më datë 13 qershor të vitit 1872 u nis drejt Polit të Veriut me detyrën për të gjetur edhe një kalim për në Paqësor nga verilindja. U nis me një verë shumë të ftohtë dhe menjëherë u bllokua nga akujt pa pasur asnjë ndihmë nga rryma e gjirit, që në kushte normale duhej që t‘i kishte pastruar rrugën nga ajsbergët për disa qindra kilometra. Kur më 28 tetor dielli u zhduk dhe mbeti nën horizont, presioni i të ftohtit në bord ishte tepër i madh. Errësira ishte një faktor tjetër negativ, por komandanti për t‘i mbajtur lart moralin ekuipazhit, filloi që t‘i jepte detyra dhe punë nga më të ndryshmet, madje filloi të mbante edhe leksione. Në mesnatën e Vitit të Ri, të gjithë dolën nga anija, duke pirë nga një gotë shampanjë, ndërsa ndonjë ari i bardhë përpiqej t‘i hipte në kuvertë. Verën e ardhshme do të shihnin tokën që kërkonin, por akujt u ngushtuan përsëri dhe kështu afroi edhe dimri i dytë. Duhej të prisnin edhe gjashtë muaj për të eksploruar ishullin dhe ishin në kohë për të nisur udhëtimin në këmbë drejt shpëtimit. Një lodhje jashtëzakonisht e madhe, në një terren të përbërë vetëm nga akulli që lëvizte në drejtim të kundërt.

Karli e nisi këtë ekspeditë nën flamurin austriak. Por u rrit si triestin dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës. Aty mori edukimin shkencor e marinar dhe filloi të kuptonte vlerat e rëndësinë e këtyre ekspeditave. Thuhet se kur i tregoi gjermanëve për këtë nismë, një udhëtim drejt Detit Arktik me marinarë mesdhetarë, ata filluan të qeshnin me mosbesim. Por ai nuk lejoi që të dekurajohej, duke kujtuar se në tërheqjen e Rusisë, repartet e Napoleonit, të cilat kishin pasur më pak humbje, ishin ato të provincave të ilirëve ndërmjet Triestes dhe Dalmacisë. Edhe në anijet austriake, marinarët që sëmureshin më pak ishin bij të bregdetit Adriatik, të njëjtët burra që kishin mbrojtur Vjenën dhe Venecian nga turqit. Në Kroacinë e sotme ka një lapidar që ekzaltonte "burrat e hekurt në anije të drunjta", por që atëherë mundën "burra të drunjtë në anije të hekurta". "Burrat e hekurt" ishin armiq të Venecias, por flisnin gjuhën e tyre dhe përpara çdo betejë bërtisnin "rroftë Shën Marku", në nder të Venecias së madhe për të cilën udhëtonin prej shekujsh. "Demoge drento!" i bërtiti Tegethof timonierit të tij përpara se të përballej me anijen piemonteze, plot me marinarë napolitanë. Por në Liza, edhe Karli e fundosi anijen, dhe këtu kuptohet sepse përfundoi në arkipelagun e madh të amnezive ndërkombëtare. Trieste është vendi i kujtesës, mbi të gjitha i historive të periudhës asburge, kur ajo u bë porta e një perandorie dhe preku suksesin e saj më të madh. Por italianët nuk e dinë se aty u krijua për herë të parë helika dhe karocata e parë me topa të lëvizshëm; që basti i gërmimeve në Suez nuk nisi në Paris, por në qytetin e Shën Xhustos; nuk e dinë që në Goricia u projektuan aeroplanët e parë luftarakë ose që në afërsi të Polës u vendosën silurët e parë eksperimentalë.

Odiseja e kthimit në një det të ngrirë, i lodhi burrat, që madje ishin të shkatërruar edhe nga diarreja, era dhe lëvizjet e shpeshta të temperaturave. Karl Juprekt shkruan: "Puna konsistonte që të vinim varkat në akull, në mënyrë që më pas të ishte e lehtë për t‘i kthyer përsëri në ujë. Pjesët me akull ishin shumë të vogla dhe lundronin fare pranë njëri-tjetrit. Ndonjëherë kjo punë përsëritej njëzet herë në ditë dhe pjesa më e madhe e energjive tona humbiste pa pasur një përfitim konkret". Këto janë dëshmi të rralla, të harruara disi nga historia. Por kjo heshtje është thyer paksa nga triestini Enriko Maxoli, që i kushtoi shumë vite të jetës grumbullimit të shkrimeve dhe imazheve të kësaj aventure të madhe. Julius Paier, ushtarak i Kaiserjager, komandant i operacioneve tokësore dhe një ilustrues i jashtëzakonshëm i aventurave, kujton në një libër mbi zbulimin e tokës së Françesko Xhuzepes, se në bordin e anijes konfuzioni i gjuhëve kthehej në diçka komike. "Marinarët me njëri-tjetrin më shumë flasin gjuhë sllave, por gjatë shërbimit përdorin italishten. Në kabinë flitet gjermanisht dhe norvegjisht me Karslenin, i cili flet anglisht me drejtuesin e kuvertës, Luzinën. Doktor Kepes flet me burrat në latinisht ose hungarisht, por me Luzinën flet frëngjisht". Kaq shumë gjuhë në bord... nuk mund ta quajmë një ekspeditë austriake këtë të "Tegethof", por mbarë evropiane. Ekspedita e parë ndërkombëtare e historisë. Fashizmi e cilësonte Juprektin si një gjerman, duke harruar së kur shtypi i Oltralpe e cilësonte si të tillë, ai rebelohej. Madje ofendohej. Dhe pranonte prejardhjen e tij si triestin, sepse në portin e perandorisë ai kishte zbuluar jo vetëm detin, por edhe një vizion ndërkombëtar për shkencën. Dhe prova ishte pikërisht ajo anije që ndërtoi, shumëgjuhëshe, e cila doli fitimtare përballë një sfide që nuk njihej më parë. Në letrat e tij të fundit, komandanti deklaroi se nuk kishte të bënte fare me nacionalizmin ekstrem që atëherë po e shtynte Evropën drejt greminës. "Dua që ti të dish - i shkruan Karli pak pasi mbërriti në tokë, mikut të tij shkencëtar, Henrik von Litrou - se sa të zotët janë treguar burrat e ekuipazhit për gjatë të gjithë udhëtimit. Diçka që bën kontrast me ekspeditën e padisiplinuar amerikane të Hall! Kontraste si mungesa e kurajës, mosbindja dhe dobësia. Tek ne mbizotëroi harmonia, bindja e padiskutueshme, organizimi i gjithçkaje deri në çastet e fundit, madje në disa situata tepër të vështira, ndonjëherë të pashpresa; nuk u shfaq kurrë një mungesë kuraje, edhe pse gjithçka ishte kundër nesh dhe nëna natyrë ishte tepër e xhindosur. Ky është triumfi im më i bukur që unë e festoj me ty dhe ti me mua, sepse ti ishe një nga të paktit që ra dakord me zgjedhjen e këtij ekuipazhi".

Sapo kthehen nga Veriu, Juprekt i harxhoi të gjitha energjitë e tij për të shpjeguar se studimi i planetit Tokë kërkonte një sforco ndërkombëtare dhe polet duhet të ishin qendra e këtyre kërkimeve. Kjo bëri që në vitin 1882, të shpallej Viti i Parë Polar Botëror, dhe dhjetë vende ndërtuan katërmbëdhjetë baza në Arktik dhe Antarktidë dhe tridhjetepesë të tjera në pjesën tjetër të botës. Juprekt ndërroi jetë pak kohë më vonë pas një sëmundje të menjëhershme, por vepra e tij mbeti e gdhendur në muret e shkencës, duke bërë që në vitin 1907, kur Amundsen, Skot, Shakelton dhe Duka i Abrucëve u bashkuan për të krijuar Komisionin Polar Ndërkombëtar - që emri i tij u përdor për të thënë se nisma përfundimtare ishte ndërmarrë nga ai. I fundit që ndërroi jetë nga ai ekuipazh i mrekullueshëm ishte dalmati Antonio Zaninoviç, në vitin 1937 në Trieste, pak muaj përpara se të shpalleshin ligjet racore dhe bota të përfundonte në barbari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›