E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shitje vepra e fundit e një Van Gogu të lumtur

Në javët e fundit të jetës së tij të trazuar, Vinsent Van Gog përkundej mes gjendjeve të skajshme emocionale. Periudha të zgjatura torturash shpirtërore e depresioni të thellë ndërpriteshin nga shpërthime hareje dhe kreativiteti. Rezultati? Me tone krejt të ndryshme nga punët e zymta e plot mëri të prodhuara menjëherë përpara vetëvrasjes janë punuar një seri portretesh të një fëmije që rrezatojnë optimizmin dhe dëlirësinë fëmijënore.

Tani, për herë të parë në më shumë se 90 vjet, një prej punëve më të vlerësuara të kësaj serie është hedhur në shitje. "L‘Enfant à l‘Orange" (Vogëlushi me portokall), pikturë e frymëzuar nga një vogëlush që banonte pranë fshatit të tij, do t‘i shitet gjatë këtij muaji Ekspozitës së Arteve të Bukura Evropiane në Mastriht për 30 milionë dollarë. Ajo u hodh në treg nga bashkëshortët Artur dhe Hedi Hahnloser, të cilët e blenë veprën në vitin 1916.

Portreti i Raul Levertit, i biri i një marangozi të zonës, u pikturua në fund të qershorit të vitit 1890. Ajo shënon edhe një fazë të shkurtër lumturie në jetën e autorit përpara depresionit dhe sëmundjes mendore, që e shtynë të qëllonte veten në gjoks në korrik të po atij viti.

Vetëm pak përpara se të zhvendosej në Auvers, në majin e vitit 1890, pas një viti qëndrim në spitalin mendor të Shën Remit, kaloi disa ditë në shoqërinë e të vëllait, Teos, kunatës Johana, dhe djalit të tyre, Vinsentit, i cili qe pagëzuar me emrin e të ungjit.

Teo dhe Johana kishin mbetur pa fjalë nga gjendja e tij mjaft e qëndrueshme mendore dhe kohë më vonë Johana kujton: "Prisja që ta shihja të sëmurë, por ja tek m‘u shfaq një burrë shpatullgjerë e i bëshëm, me çehre të shëndetshme, me një buzëqeshje të dukshme në fytyrë dhe me gjendje shpirtërore mjaft të çelët".

Pas zhvendosjes në Auvers, joshja piktoreske e fshatit dhe kënaqësia që kishte parë nipin e vogël, rezultuan elementët që e çuan në një shpërthim të vërtetë artistik javët e fundit të jetës.

Van Gogu ndihej jashtëzakonisht i kënaqur në këtë ambient të ri. Ndërsa gjendej aty, shkroi: "Këtu jemi shumë larg Parisit për të thënë se gjendemi në një qytet të vërtetë, por pavarësisht gjithçkaje... ndryshimi është i këndshëm. Përreth gjenden shumë vila dhe shtëpi të shtresës së mesme, që të gjitha plot dritë e të mbuluara nga lulet. Dhe kjo në një zonë thuajse luksoze, ku një shoqëri e re po shpërthen. Atmosfera nuk është aspak e pakëndshme: në ajër gjendet shumë mirëqenie".

Gjatë 70 ditëve të qëndrimit në atë fshat, Van Gogu krijoi me frenetizëm më shumë se 80 vepra. Më 5 qershor i shkroi së motrës, Vilhelminës, mbi pasionin për "Portretin modern": "Ajo çfarë më shkakton më shumë pasion - më shumë se gjithçka tjetër - është portreti, portreti modern".

Portretet që krijoi gjatë javëve të fundit të jetës përfshijnë shumë punë në qendër të të cilave janë vendosur fëmijë, të frymëzuar nga dashuria që ushqente për Vinsentin e vogël, megjithëse ishte i bindur se Parisi do të ndikonte për keq në shëndetin e vogëlushit. Ndoshta kjo bëri që të portretizonte fëmijët e fshatit në veprat e fundit si vogëlushë të lumtur, me faqe të kuqe, gjë që mund të shihet edhe si testamenti i tij për jetën e shëndetshme që ofronte jeta rurale.

Xheims Rundell, drejtori i shitjeve në galerinë e artit "Dickinson‘s", i cili është përgjegjës për blerjen e veprës, tha se vepra i përkiste një serie "portretesh veçanërisht të gjallë e të hareshëm", të cilën e punoi në muajin e fundit të jetës.

"Penelatat energjike dhe ngjyrat e pasura e mbushin pikturën me gjetjen e gëzimit të jetës, e cila nuk ka të bëjë aspak me tragjedinë që pasoi gjatë javëve në vazhdim. Van Gogu, i kënaqur dhe i lumtur që kishte shkuar edhe një herë në veri, lejon këtë shpërthim të fundit shpirtëror të ushqyer nga peizazhi dhe nga banorët", tha eksperti.

Raul Levert, djali dyvjeçar i Vinsent Levert, paraqitet me veshjen tipike të fëmijëve të zonës, ku spikat një buzëqeshje e fortë, e bërë edhe më e dukshme nga ngjyrat e gjalla. Identiteti i fëmijës është konfirmuar së fundmi përmes letrave të Adelinë Ravua, bija e pronarit të bujtinës ku bujti ato ditë Van Gogu, e cila shfaqet në një fotografi të bërë po atë vit bashkë me Raulin.

Van Gogu u afrua së tepërmi me familjen Levert. Mendohet se marangozi kishte punuar edhe kornizat e pikturave të artistit, mbase përfshi edhe atë të punës në fjalë.

Dashuria për të nipin është temë e përhershme e letrave të tij dhe takimi me të vëllanë në qershor nuk ka asnjë dyshim se i ka shtuar edhe dëshirën për të pikturuar fëmijë të vegjël. Johana shkruan mbi vizitën: "Vinsenti doli të na priste në stacionin e trenit dhe solli me vete një çerdhe zogjsh për t‘ia dhuruar vogëlushit. Këmbënguli që ta mbante djalin vetë në krahë dhe nuk e lëshoi deri në çastin kur nuk i tregoi të gjitha kafshët që gjendeshin në oborrin e bujtinës".

Pas vdekjes, trupi i Van Gogut u vendos në një dhomë të zbukuruar të bujtinës, si nder nga ana e banorëve të fshatit. Në kujtimet e nderimeve që iu bënë menjëherë pas vdekjes zonja Revua shkruan: "Nëpër të gjithë dhomën, Teo vendosi punët e Vinsentit: ‘Kishën e Auversit‘, ‘Vogëlushin me portokall‘... në fund të arkivolit qenë vendosur penelat dhe paletat. Një prej fqinjëve, zoti Levert, me profesion marangoz, vendosi edhe kambalecat. Djali i tij dyvjeçar ishte pikturuar nga Van Gogu në veprën ‘Vogëlushi me portokall‘. Qe gjithashtu zoti Levert ai që punoi arkivolin".

Brenda mendjes së trazuar të artistit të madh

Megjithëse edhe sot mbetet i paqartë lloji i depresionit mjekësor prej të cilit vuajti Van Gogu, dihet se puna përbën një dritare në jetën e tij të trazuar. Si ekspresionist, gjendjet e tij shpirtërore paraqiteshin rregullisht në punët artistike. I shkruante vëllait të tij të dashur Teos: "Edhe në atë mjerim të thellë, ndjeja të më rigjallëroheshin energjitë dhe i thashë vetes: pavarësisht, duhet të ngrihem përsëri më këmbë, duhet ta marr penelin në dorë". Mendohet se gjendja e tij shpirtërore u përkeqësua veçanërisht shumë me zhvendosjen në Paris, në moshën 33-vjeçare, ku u përzje edhe me elitën artistike të qytetit. Kishte një sistem nervor tejet të brishtë, të cilit nuk i vinte në ndihmë as përdorimi i alkoolit, i duhanit, apo dieta shumë e keqe ushqimore, ku ndonjëherë përfshihej edhe ndonjë copë e pikturave të veta.

Psikologët që kanë studiuar punët e Van Gogut besojnë që u zhyt në depresion për shkak të perceptimit si kërcënime të raporteve që kishte me njerëzit që i qëndronin pranë, mes të cilëve më i rëndësishmi ishte Teo, martesën e të cilit artisti e konsideronte si rrezik se do ta largonte nga i vëllai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›