Medvedev: Do eci në hapat e Putinit
Presidenti i ardhshëm i Rusisë, Dimitri Medvedev, premtoi të hënën se do të ndiqte rrugën e nisur nga Vladimir Putin, pas një fitoreje të lehtë në zgjedhjet e kritikuara nga vëzhguesit perëndimorë si jo të lira e as të ndershme. Duke vënë theksin te dyshja që do të drejtojë Rusinë, duke filluar që nga maji, Medvedev doli përkrah Putinit në skenën e një koncerti të madh rok në Sheshin e Kuq, vetëm pak pas publikimit të rezultateve zyrtare dhe premtoi se do të ecte nën hapat e Presidentit Putin. Medvedev fitoi 70.23 për qind të votave, kjo pasi u regjistrua një numër i madh zgjedhësish që ushtruan të drejtën e tyre. Ndërkohë, vendet perëndimore, me shpresën e përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën, pas një faze të acartë në vitet e fundit të Putinit në detyrë, evituan kritikat për zgjedhjet në reagimet e tyre të para. SHBA tha se priste një bashkëpunim të ngushtë me liderin e ri të Kremlinit. "Është në interesin tonë të punojmë së bashku në fusha me interes të përbashkët, si armatimi, terrorizmi apo krimi transnacional", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Xhondroe. Bashkimi Evropian gjithashtu përgëzoi Medvedevin dhe theksoi se priste që zgjedhja e tij të përforconte lidhjet BE-Rusi, si edhe i kërkoi Presidentit të ri të përmbushte angazhimet e marra përsipër. Kritikat më të mëdha erdhën nga delegacioni i vetëm perëndimor që monitoroi zgjedhjet, ai i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. "Ne besojmë se nuk kishte liri në këto zgjedhje. Rezultatet janë reflektim i vullnetit të një elektorati, potenciali demokratik i të cilit fatkeqësisht është shtypur", thanë drejtuesit e këtij delegacioni. Autoritetet zgjedhore ruse hodhën poshtë kritikat, duke iu referuar thirrjeve për transparencë më të madhe, Vladimir Çurov, shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha: "Çfarë duhet të bëj unë, nuk mund t‘i nxjerr anëtarët e komisionit nudo...". 42-vjeçari Medvedev do të jetë lideri më i ri rus që nga koha e Car Nikollës së Dytë, në kohën kur ai do të bëjë betimin, më 7 maj. Ai i ka kërkuar ish-spiunit të KGB-së, Vladimir Putinit, të bëhet Kryeministri i tij. Vetë Putin, 55 vjeç, e ka pasur të ndaluar nga Kushtetuta të kërkonte një mandat tjetër në detyrën e Presidentit, pas ezaurimit të dy mandateve radhazi. "Unë mendoj se presidenca ime do të jetë një vazhdimësi", tha Medvedev, duke iu referuar tetë viteve të Putinit në detyrë, një periudhë kjo e shënuar nga përqendrimi i pushtetit në Kremlin dhe nga dëshira për të sfiduar Perëndimin në politikën e jashtme. Medvedev, një ish-profesor në Fakultetin e Drejtësisë. që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij duke punuar nën hijen e Putinit, tha se nuk do ta lejonte Kryeministrin e tij të pushtetshëm të cenonte autoritetin e tij.
Presidenti
42-vjeçari Dimitri Medvedev do të jetë lideri më i ri rus që nga koha e Car Nikollës së Dytë, në kohën kur ai do të bëjë betimin, më 7 maj. Ish-profesori i drejtësisë e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij duke punuar nën hijen e Vladimir Putinit