"Ura mbi oqean" e Albana Mëlyshi Lifschin
Jeta e Albana Mëlyshi Lifschin në këto dy dekadat e fundit është mishërimi i njeriut në "kërkim të kohës së humbur", siç u shpreh në fillim të viteve ‘90 me terma prustiane në një artikull të tij, profesori i nderuar, Ylli Popa.
Dikur gazetare në "Zërin e rinisë" dhe në emisionin për fëmijë në RTSH, Albana do të kapërcente oqeanin në kërkim të një jete të re, dhe do të bëhej qytetare e një bote të re, duke e bartur megjithatë me vete gjenin e papërsëritshëm shqiptar.
Vitet e saj të emigrimit janë aq të ngjeshura me veprimtari sa të lënë pa frymë nga çudia. Kemi të bëjmë me një shpërthim të vrullshëm krijimtarie, një bulëzim veprash të njëpasnjëshme: tregime, poezi, madje një histori të shkurtër të Amerikës disi të letrarizuar...nëntë vepra në tetëmbëdhjetë vjet! Midis tyre, katër përmbledhje me tregime, e fundit prej të cilave është pikërisht kjo "Ura mbi oqean", një urë me fjalë midis dy botëve: asaj që autorja la, shqiptares, dhe asaj që gjeti e në të cilën deri diku u përshtat, amerikanes.
Ky libër është i këndshëm si një rrëfim miqësor pranë oxhakut, për të frymëzuar besim dhe kurajë te njerëzit që duhet të përballen me jetën larg vendit të vet. Por jo vetëm kaq, sepse çdo rrëfim rrezaton energji të ndërsjella, siç janë edhe lidhjet familjare apo shoqërore, mes "të ikurve" dhe "të braktisurve". Renditja e tregimeve është bërë me shumë mençuri. Dhe secili plotëson tjetrin, duke krijuar një rreth dijenish, që sa më shumë cekin hapësirën, aq më shumë i shtojnë pikat e takimit me të panjohurën. Lexuesi ka dëshirë të krijojë komunikim me autoren, si njeriu që ka nevojë për orientim, para se t‘i ketë filluar ankthi i vetmisë. Dhe madje në një çast kritik, do të donte t‘i telefononte pikërisht asaj, rrëfimtares, që identifikohet shpesh me autoren.
Libri fillon me një tregim të vogël, por domethënës "Mos trokit në dritaren time" dhe, dora - dorës, nisin e ndërthuren fijet e marrëdhënieve njerëzore, si në një rrjet informatik, që të ofrohet i infiltruar përmes një shpirti të pastër dhe një mendjeje të mprehtë, drejt pafundësisë.
Autorja ka gjetur një çelës të veçantë për thurjen e tregimeve të veta. A është trashëguar vallë nga misteri i "bauleve" të malësorëve të Shqipërisë, prej nga rrjedh?...
Tërë tregimet e vëllimit formojnë një mozaik shumëngjyrësh, po secili prej tyre ka edhe veçantinë e vet, "pavarësinë" e vet. Janë tregime me një mesazh njëkohësisht të thjeshtë dhe të thellë, që mund të komunikojnë si me një publik elitar ashtu edhe me një publik të thjeshtë. Njeriu i thjeshtë i thith menjëherë. Publiku elitar, i lodhur nga shija e çuditshme e shumë tregimeve që shkruhen sot, freskohet me çiltërsinë e këtyre krijimeve.
Thjeshtësia, spontaniteti dhe çiltërsia janë cilësi të çmueshme të këtyre tregimeve, që megjithatë shpesh kanë në bazë të tyre një "gjetje", një "të papritur", që nuk ka si qëllim të vetëm befasimin e lexuesit, po kryesisht përcjelljen e mesazhit që të befason pikërisht se kemi të bëjmë me një botë të huaj, në të cilën endemi si në një labirinth dhe autorja luan rolin e Arjanës, duke na dhënë fillin për t‘u orientuar.
Këto tregime ndriçojnë botën amerikane për shqiptarët, po mund të ndriçojnë edhe në të kundërtën, botën shqiptare për atë amerikane.
Janë tregime, në dukje të parë tradicionale se u mungon psikologjizmi i tepruar dhe përdorimi i disa mjeteve shprehëse (retrospektiva, monologu i brendshëm, përroi i ndërgjegjes), karakteristike për tregimin modern. Po dinamizmi i veprimit, konciziteti, skalitja e shpejtë e karaktereve, janë padyshim elemente moderniteti. Pra, do të thoshim se tregimet e Albanës qëndrojnë pezull jo vetëm midis dy botëve, po edhe midis traditës dhe modernitetit. Janë tregime, në thelb realiste, alla Heminguej.
Në tridhjetë e gjashtë tregimet e kësaj përmbledhjeje prej afro 200 faqesh gjejmë një galeri personazhesh me karakter shqiptar dhe amerikan, apo të kombësive të tjera. Në to ndihet kriza e përbotshme e vlerave "morale", po edhe përpjekja për të ruajtur vlerat tradicionale, apo për të krijuar vlera të reja.
Në ndonjë tregim ka një frazë "çelës" që përmbledh tërë mesazhin e krijimit në fjalë si "Mos trokit në dritaren time", që shpreh një filozofi të tërë egoiste dhe individualiste, që të rrëqeth, pikërisht atë filozofi me të cilën ndeshen emigrantët në Amerikë e gjetkë, apo "Ti ke qenë e bukur", që përmbledh një dramë tipike shqiptare, ndrydhjen e ndjenjave, mohimin e bukurisë, frikën prej saj. Nëna s‘i ka thënë kurrë së bijës se ajo ishte e bukur, nga frika se duke u ndërgjegjësuar për këtë bukuri, do ta shpërdoronte në dëm të "nderit" vajzëror, pa u kujtuar se kështu ka zgjuar tek e bija një kompleks inferioriteti. Ia thotë këtë frazë kur është tepër vonë, kur në vend që ta gëzojë, e lëndon.
Një frazë tjetër çelës, me një frymë komike - dramatike është "Mami është e keqe". Vajza e vogël e emigrantes, e rritur në Amerikë, është ndërgjegjësuar që e vogël për të drejtat e veta si fëmijë, ndaj nuk e pranon dhunën fizike, qoftë edhe një shpullë, që e ëma ia jep për t‘i ngulitur në kokë që të mos lozë me burmat e sobës me gaz, sepse është e rrezikshme, dhe e gjykon rreptë, duke e paditur deri te drejtoresha e kopshtit. Në këtë tregim edhe nëna, edhe vajza e vogël, kanë secila të vërtetën e vet, që bien ndesh. Cila ka të drejtë e cila e ka gabim? Asnjëra apo të dyja; mesazhi është ambivalent.
Vëllimi vjen në ngritje. Po ta vlerësojmë nga niveli estetik, disa nga tregimet më të spikatura janë: "Klienti im i parë", "Natyrë artisteje", "Shën Valentini për mamanë", "Emigrantët takohen në Stamboll", "Varri i vjehrrit", "Basti i kuajve"...
Vepra ngjan si një radhë kodrinash të buta dhe mbyllet me një tregim tepër të bukur me temën e mrekullueshme të luftës së njeriut për dinjitetin e vet, "Oma", dhe me koncizitetin e thjeshtësinë me të cilat mishërohet ideja.