E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankara, dritë jeshile shamisë në universitete

Parlamenti turk ka votuar të enjten për ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e një mase që ndalon studentet të mbajnë shaminë islamike në universitet, çka kundërshtohet nga elita laike. Në fakt, kasta laike që përfshin gjeneralë të ushtrisë, gjykatës dhe rektorë universiteti, druan se dhënia fund e kësaj mase do të dëmtonte ndarjen e shtetit dhe fesë, një nga parimet themeltare të Republikës moderne turke. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan, që kryeson Partinë Drejtësi dhe Zhvillim, me rrënjë islamike, ka premtuar se do të mbrojë deri në fund laicizmin, por thotë se do të donte të lejonte mbajtjen e shamisë së kokës në universitet, në mënyrë që të zgjerohen liritë fetare dhe personale. Dy të tretat e grave turke mbajnë shami dhe shumë prej tyre nuk kanë mundur të ndjekin shkollën e lartë për shkak se me Kushtetutë është e ndaluar të mbahet shamia në institucionet publike dhe në universitete, që prej vitit 1989. Në votimin në Parlament, amendamenti u miratua me 404 vota pro dhe 92 kundër. Amendamenti, i mbështetur nga partia e Erdoganit dhe MHP në opozitë, pritet të miratohet në raundin përfundimtar të votimit, të shtunën ndërsa dy partitë kanë më shumë se dy të tretat e vendeve në Parlament. Kjo është një nga lëvizjet më domethënëse në çështjet fetare në Turqinë e dominuar nga myslimanët, por laike, që pasi një grusht shteti në vitin 1980 çoi në një kufizim të të drejtave të njeriut. Ata që kundërshtojnë heqjen e masës ndaluese e konsiderojnë në fakt shaminë e kokës si një simbol të frikës së tyre më të keqe, asaj të rënies së Turqisë në kthetrat e ligjit islamik, sheriatit, siç praktikohet në Iranin fqinj. Masa ndaluese u forcua akoma më shumë në 1997-ën kur gjeneralët e ushtrisë turke, me mbështetjen e opinionit publik, rrëzoi qeverinë që ata e konsideronin më islamike se ç‘duhej. Më shumë se 120 mijë turq laikë në kryeqytetin Ankara dhe qytete të tjera, zhvilluan disa ditë më parë protesta kundër heqjes së masës ndaluese. Mitingjet e laikëve kundër Partisë Drejtësi dhe Zhvillim, vitin e shkuar, kundër zgjedhjes së Abdullah Gylit, një ish-islamik, si president, çuan në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Deniz Baikal, lideri i partisë më të madhe të opozitës, ka kërcënuar se do të bëjë padi në Gjykatën Kushtetuese nëse ndalimi i shamisë në universitete do të shfuqizohej. Ndërkohë, qeveria e Erdoganit është vënë kohët e fundit nën një breshëri kritikash për shkak të ngadalësimit të reformave të kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si edhe se ka dështuar të mbajë premtimet e dhëna për ndryshime thelbësore në sistemin e sigurimit social. Ndërkohë, ky amendim i fundit, i destinuar të mbajë gjallë polemikat për shumë kohë, do të lejojë shaminë islamike vetëm për studentet në universitete por do të përjashtojë mësuesit dhe shërbyesit civilë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›