E Diel, 1 Nëntor 2026

Melsi Labi, kreu i ri i QK "Aleksandër Moisiu"

Melsi Labi është drejtori i ri i qendrës kulturore "Aleksandër Moisiu" në qytetin e Durrësit. Me detyrë zëdhënës i degës lokale të LSI-së, ai vjen në këtë post pas diplomimit në degën e Historisë, një specializimi për arkeologji në Britaninë e Madhe, si dhe eksperiencës së fituar gjatë pjesëmarrjes aktive në disa ekspedita gërmimesh arkeologjike në Butrint, Durrës, Finiq, Lezhë, Sarandë dhe Tiranë. Që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar Qendra Kulturore që mban emrin e aktorit shqiptar me famë botërore kishte mbetur pa drejtues, ndërsa kandidatët nuk përmbushnin kriteret e kërkuara nga titullarët e bashkisë pas largimit nga kjo detyrë e Ermion Arapit në Krishtlindjet e fundit. Melsi Labi, i riu që zuri vendin vakant të drejtorit edhe në bazë të marrëveshjes politike mes aleatëve të majtë, e konsideron emërimin mbi të gjitha një sfidë të rëndësishme personale. Me të marrë detyrën, ai ka nisur menjëherë punën për t‘u njohur me situatën në të cilën ndodhet qendra kulturore dhe infrastruktura e saj. Labi shprehet se "nomenklatura ekzistuese do t‘i nënshtrohet një rikompozimi të plotë për ta kthyer në eficensën e duhur me qëllim rritjen e standardeve kulturore që i ofrohen qytetit dhe qytetarëve durrsakë, të cilët nuk e meritojnë gjendjen në të cilën ndodhet jeta artistiko-kulturore në qytet". Nga vëzhgimet paraprake, konstatimi i menjëhershëm i drejtorit të ri ka qenë i njëjtë me atë të krerëve të bashkisë. Një amulli e plotë që duhet spastruar. "Kjo situatë është shkaktuar si rezultat i keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të fondeve, ndërsa dokumentacioni lë për të dëshiruar", thotë drejtori i ri ndërsa e vlerëson Pallatin e Kulturës si një godinë pa kushtet e përshtatshme teknike për të punuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›