Fjalor i ri për termat nazistë
Sikur të mos u mjaftonin tri gjinitë, fjalët pafundësisht të gjata dhe fjalitë e ndërlikuara, gjermanët kanë edhe një telash më shumë me gjuhën e tyre. Është një telash linguistik, paksa delikat, njëfarë "kurthi", në të cilin mund të bien si gjermanët, ashtu dhe të huajt dhe që është shumë më i keq se sa një gabim me nyjet, apo parafjalët. Provoni të përdorni për shembull fjalën "endlosung" (zgjidhja përfundimtare) për të përshkruar zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm, ose t‘i thoni dikujt fjalën "selection" (përzgjedhje), teksa po i shpjegoni preferencën tuaj në lidhje me një sërë opsionesh zgjedhjeje. Nëse do t‘i thoni këto fjalë, e të tjera të ngjashme në Gjermani, do ta shihni veten të rrethuar nga vështrime të çuditura e vetulla të ngritura. Arsyeja është shumë e thjeshtë: fjalët e sipërpërmendura kanë marrë një ngjyrim aq të thellë nga përdorimi që u është bërë në epokën e nazizmit, saqë tashmë janë shndërruar në tabu të vërteta. Për gjermanët e vjetër, apo të rinj qofshin, fjala "endlosung" (zgjidhja përfundimtare) do të ketë përjetësisht lidhje me teorinë e Hitlerit në lidhje me "Zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve", ndërsa fjala "selection" (përzgjedhje) është tashmë një folje non grata, për shkak të përdorimit të saj që kishte të bënte me zgjedhjen e hebrenjve që shkonin në kampet e përqendrimit. Kjo fjalë ishte eufemizëm i fjalës "ekzekutim".
Së fundi, ka dalë në treg një fjalor i ri, i cili shqyrton rolin që fjalë, apo shprehje të kthyera tabu, për shkak të përdorimit gjenocidal që patën në periudhën e nazizmit, kanë aktualisht në psikikën kolektive gjermane.
"Wörterbuch der ‘Vergangenheitsbeëältigung‘" (Fjalori i përballjes me termat e së shkuarës), shqyrton 1000 fjalë dhe fraza, duke nisur që me "Anschlus", e përdorur si referim për "aneksimin" në vitin 1938 të Austrisë, deri te fjala "Wehrmaht", emri që kishin Forcat e Armatosura naziste. Në këtë libër shqyrtohet evoluimi i kuptimit, apo përdorimit të këtyre termave, që nga periudha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e deri në ditët tona.
Termat nazistë, tabu
Profesori gjerman, Georg Stötzel, i cili është bashkautor i fjalorit së bashku me Thorsten Eitz, shpjegon se si u zhdukën pak e nga pak fjalët tabu nga përdorimi i përditshëm, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, vetëm një pjesë shumë e papërfillshme termash, që kishin lidhje me të kaluarën naziste të vendit, vazhduan që të përdoreshin në vend pas vitit 1945. Në fakt, në lidhje me fjalët, apo frazat tabu është shkruar dhe folur shumë në Gjermani. Madje, që nga fundi i viteve ‘40, intelektualët gjermanë, të tillë si Dolf Sternberger dhe Wilhel Susind, babai i Patrik Suskind, autori i romanit të famshëm të përkthyer edhe në shqip, "Parfumi", kanë shkruar për termat tabu të nazizmit. Për shumë studiues, por edhe njerëz të thjeshtë, fuqia negative e fjalëve të mësipërme ishte shumë e madhe. Për viktimat e nazizmit dhe të afërmit e tyre ishte shumë e rëndë që të përballeshin me terminologjinë e personave që u shkaktuan tragjeditë e jetës. Sipas një studiuesi, askush nuk donte më të përballej me fjalën "lager", e cila përkufizonte kampet e përqendrimit, ku humbën jetën miliona vetë gjatë periudhës së nazizmit. Një tjetër arsye për shmangien e termave nazistë në fjalimet, apo diskutimet publike është fakti se lektori, apo personi që flet mbart rrezikun e akuzave për simpatizim të nazizmit. Shpesh në Gjermani mjafton përmendja e një fjale tabu në gazeta, apo në fjalime publike, që folësi apo shkruesi të etiketohet si filonazist. Dhe kjo është shumë e rëndë në Gjermani. Një rast i tillë është ai i ish-kreut të Këshillit Qendror Hebraik, Pol Siegel, kur kritikoi politikën gjermane, sipas së cilës hebrenjtë u lejuan të emigronin nga ish-Bashkimi Sovjetik përmes një neni të veçantë, në të cilin përmendej termi me konotacionin nazist "përzgjedhje". Një rast tjetër është ai i peshkopit katolik të Këlnit, Joakim Meisner, i cili, një vit më parë, u kritikua ashpër kur përdori fjalën "entartete" (i degjeneruar), në një fjalim që kishte të bënte me artin. Fjala e mësipërme është një tabu, për më tepër në kontekstin artistik, pasi ajo u përdor nga nazistët për të dënuar dhe stigmatizuar artin modern.
"Holokausti në pjatë"
Gjermania është e ndjeshme edhe ndaj krahasimeve që mund të bëhen me Rajhun e Tretë, kur flitet për pushtete të veçanta diktatoriale, apo me Hitlerin, kur bëhet fjalë për diktatorë gjakatarë e të dhunshëm. Krahasime të tilla tërheqin menjëherë vëmendjen mediatike, e cila shpesh reagon me indinjim dhe i dënon ashpër. Peshkopi i sipërpërmendur u bë gjithashtu objekt kritikash, edhe kur bëri një krahasim të nënkuptuar mes tabletës kundër shtatzënisë dhe Zylikon B., gazit me helm që u përdor nga nazistët në dhomat famëkeqe të ekzekutimeve masive në kampet kryesore të përqendrimit, si ai i Aushvicit. Katolikë të tjerë, në fjalimet e tyre krijuan termin "babycaust", në analogji me termin "holokaust" dhe kjo për të dënuar fenomenin e abortit. Ndërsa aktivistët gjermanë, që mbrojnë të drejtat e kafshëve, kanë përdorur, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e shtypit, termin "holokausti në pjatën tuaj", duke iu referuar kështu konsumatorëve të mishit. Por, në Gjermani mund të kesh belara për shumë më pak se kaq, madje edhe pa përmendur fare termat, apo fjalët me ngjyrim nazist. Po të përdorësh, për shembull, teknikat retorike të "mbretit" të propagandës së Rajhut të Tretë, Josef Goebbles, apo liderëve të tjerë nazistë, e ke të sigurt se do të jesh në qendër të një sherri të madh. Ish-zëvendëskancelari gjerman, Franz Muntefering, nuk do ta harrojë lehtësisht problemin e madh që pati në vitin 2005, kur i krahasoi investitorët armiqësorë në Gjermani me "locusts"-et. Müntefering, që i përket krahut të majtë të Partisë Social Demokrate, u kritikua për faktin se krahasoi njerëzit me kafshët, një figuracion ky që parapëlqehej shumë në praktikat propagandistike naziste, zakonisht kur bëhej fjalë për krahasimin e hebrenjve me krimbat, apo parazitë të tjerë. "Gjashtëdhjetë vjet më vonë, njerëzit ende vazhdojnë nga dikush të krahasohen me kafshët si në kohën e nazizmit", shkroi menjëherë pas fjalës së ish-zëvendëskancelarit një analist në shtypin gjerman.
Ku është Gjermania Lindore?
Çuditërisht, ato grupe, që në mënyrë të fshehtë admirojnë më shumë nazistët, janë edhe më të kujdesshmit në përdorimin e frazave, që mund t‘i bëjnë jehonë një të kaluare. Këto kategori bëjnë kujdesin më të madh që të shmangin përdorimin e terminologjive tipike naziste, pra tipike të Rajhut të Tretë. Partitë e së djathtës ekstreme, të tilla si Partia Nacional Demokrate e Gjermanisë (NPD,) flirtojnë me ideologjinë naziste, ndërkohë që i shmangin shumë termat nazistë. "Sigurisht që në fjalimet, apo dokumentet e këtyre partive mund të dallosh nënkuptimet e ndryshme të termave, por nuk mund të vësh re asnjë lloj përdorimi të hapur të fjalëve, apo shprehjeve të ndaluara. Kështu, për shembull, politikani i Partisë Social Demokrate Gjermane, Holger Apfel, ka diskutuar në lidhje me ambiciet e partisë së tij për të fituar vende në "Reichstag", Parlamenti gjerman, duke përdorur një term të para 1945-ës për qeverinë gjermane, në vend të termit aktual "Bundestag". "Reichstag", në gjermanishten politike korrekte gjermane mund të përdoret vetëm kur i referohesh godinës historike të Parlamentit, e jo institucionit. Në mënyrë të ngjashme, politikanët e së djathtës ekstreme preferojnë që t‘u referohen shteteve të ish-Gjermanisë Lindore me termin "Mitteldeutschland" (Gjermania Qendrore), një nënkuptim ky që të çon në pretendimin se pjesa lindore e vendit është Polonia, që nuk thuhet drejtpërsëdrejti, por sigurisht nënkuptohet. Me gjithë ndjeshmërinë ekstreme të institucioneve të ndryshme, por edhe të vetë gjermanëve ndaj termave të përdorur në një nga periudhat më të errëta të kombit, por edhe të vetë Evropës, pritet që me kalimin e kohës "frika" që shoqëron terma të tillë të fashitet pak e nga pak. Le të marrim, për shembull fjalën "Madel", një fjalë dialektore, që do të thotë "vajzë", një term i parapëlqyer nga nazistët. Lidhja e kësaj fjale me Rajhun e Tretë duket se ka humbur tashmë, pasi shumë gjermanë kanë kohë që e përdorin atë pa ndrojtje në fjalorin e tyre të përditshëm, kur duan ta përdorin me ironi. Kjo fjalë dhe të tjera me "probleme" nga e shkuara, përdoren kryesisht nga të rinjtë, të cilët gjithnjë e më tepër po distancohen nga një e kaluar, që me gjithë dhimbjen e saj ka mbetur në shekullin që lamë pas.