OSBE bojkoton presidencialet ruse
Organizata më e madhe evropiane e monitorimit të zgjedhjeve ka tërhequr vëzhguesit e saj nga zgjedhjet presidenciale ruse, duke fajësuar Moskën për pengesa, një hap ky që do të pasohet me një tjetër dëmtim të imazhit të Rusisë që edhe më herët është kritikuar si shtet jo demokratik. Dimitri Medvedev, një aleat besnik i Presidentit aktual, Vladimir Putin, është favoriti kryesor në zgjedhjet e 2 marsit. Krahu monitorues i OSBE-së, ODIHR, që nga qeveritë perëndimore shihet si vlerësuesi më i mirë nëse zgjedhjet në një vend të caktuar janë të lira dhe të ndershme, nuk do të jetë në Rusi për të dhënë një opinion të tij mbi zgjedhjet, për shkak se kufizimet e imponuara nga Moska e kanë bërë misionin e tij të pamundur. Rusia ka reaguar pa humbur kohë, duke thënë se vendimi i ODIHR-it është i papranueshëm. Asambleja Parlamentare e OSBE-së iu bashkua ODIHR-it, duke thënë se edhe ajo nuk do të monitoronte votimet. Asambleja i monitoron zakonisht zgjedhjet bashkë me ODHIR-in, por zakonisht luan një rol më të vogël. "Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të nisur misionin tonë", tha drejtori i ODIHR-it, Kristian Strohal, "...Federata Ruse ka krijuar një bllokadë që nuk na lejon të kryejmë monitorimin e zgjedhjeve". Tërheqja nga misioni vjen pas disa javësh përplasje në lidhje me përmasat e misionit dhe qëllimin e tij. Rusia kishte vendosur një kufi për vëzhguesit dhe i kishte lejuar ata të hynin në vend vetëm 11 ditë para zgjedhjeve. Vetë organi monitorues ka deklaruar se kjo kohë nuk ishte e mjaftueshme. I vetmi grup perëndimor që nuk është tërhequr ende është një ekip i Këshillit të Evropës, që zakonisht nuk luan rol parësor në monitorimin e zgjedhjeve të rëndësishme. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme ruse tha se ODIHR-i, që nga fillimi, as nuk ishte përpjekur të gjente një pikë të përbashkët dhe një akord për kushtet e monitorimit. Ndërkohë, Sllovenia, Presidente e radhës e Bashkimit Evropian, tha se ishte e shqetësuar për faktin se masat shtrënguese të Rusisë kishin detyruar ODIHR-in të tërhiqej dhe të mos zbatonte kështu mandatin e tij. Mosmarrëveshja në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar retorikat e saj kundër Perëndimit. Moska ka thënë se nuk do të tolerojë më leksionet e qeverive perëndimore për demokracinë e saj. Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur para se ODIHR-i të lajmëronte tërheqjen e tij, tha se agjencia monitoruese ishte përpjekur ta vinte Rusinë para një ultimatumi. "Një vend që e respekton veten nuk pranon asnjë ultimatum", kishte thënë ai në një konferencë për shtyp. Ndërkohë, në vend, sondazhet i japin të përzgjedhurit të Vladimir Putinit, Dimitri Medvedev, 70 për qind të preferencave. Vetë Putini e ka të ndaluar me Kushtetutë të kryejë edhe një mandat të tretë radhazi. Analistët gjithsesi parashikojnë se do të jetë sërish ai pushteti i vërtetë pas kuintave, në Presidencën e Medvedevit. Partitë opozitare ndërkohë i kanë quajtur zgjedhjet një farsë, duke kritikuar mbi të gjitha mbulimin e fushatës së Medvedevit nga ana e televizioneve dhe skualifikimin e kritikut të Kremlinit, Mikhail Kasianov nga zgjedhjet. Por, mbështetësit e Medvedevit thonë se popullariteti i tij është i natyrshëm në një vend që po kalon një bum të vërtetë ekonomik, në një gjeneratë ku shumë votues e shohin atë si një vazhdimësi të administratës popullore të Putinit.