Artemisa dhe Apolloni "kthehen" në atdhe
Greqia i ka rikthyer dje Shqipërisë dy shtatoret antike që ishin grabitur në Butrint dhe Finiq gjatë trazirave të vitit 1997. Ceremonia e kthimit të këtyre shtatoreve u zhvillua dje në Athinë, ku merrte pjesë dhe ministri i Turizmit dhe Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Kjo ceremoni ka përkuar dhe me përurimin e Muzeut të ri Arkeologjik Grek, pranë Akropolit. Hapja e muzeut u bë pikërisht me kthimin e dy objekteve të vjedhura në territorin shqiptar, 11 vjet më parë. Pas gjithë kësaj periudhe, shtatoret e Apollonit dhe të Artemisës rikthehen në vendin e origjinës, me një histori të lashtë. Interesante është dhe deklarata e bërë nga ministri i Kulturës greke, Liapis. "Greqia riatdheson objektet e trafikuara të trashëgimisë kulturore, me shpresën që do të ketë edhe imitues të të tilla veprimeve, në vende të tjera. Objektet u evidentuan në 2003 në Pire si objekte, të vjedhura në Butrint. Trafikuesit janë ndjekur penalisht. Me këtë akt, shteti grek i jep fund trafikimit të objekteve kulturore. Ftoj homologët për një periudhë të re bashkëpunimi midis muzeumeve, në mënyrë që edhe ata të kthejnë të gjitha objektet e vjedhura, që kanë nëpër muzeumet e tyre. Kjo do të jetë një nismë, në mbrojtje të vlerave, që na rrethojnë", ka thënë ministri grek i Kulturës. Kjo deklaratë është mbështetur nga homologu i tij shqiptar, i cili është shprehur se i mirëpret bashkëpunimet e mëtejshme". Kjo nismë është në zbatim të Konventës Evropiane për kthimin e objekteve të vjedhura. Ceremonia e sotme, është pjesë e integrimit evropian, frymë shumë e ngrohtë dhe fillim i një bashkëpunimi të gjatë dypalësh, për të kthyer në Greqi dhe në Shqipëri, edhe monumente të tjera, që ndodhen nëpër Evropë", ka thënë Pango. Dy ministrat kanë pasur dhe një takim ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Mësohet që ministri shqiptar e ka ftuar homologun grek të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila është mirëpritur. Ministri Liapis është shprehur se ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Ylli Pango, është ministri i parë që viziton muzeun e ri arkeologjik të Akropolit.
Një ditë para vajtjes në Greqi, ministri Pango këtë afri të dukshme kohëve të fundit me grekët, e ka lidhur me frymën që po ndërtojnë vendet e Evropës për të bashkëpunuar dhe integruar midis tyre, sidomos mes vendeve që spikasin për trashëgiminë e pasur kulturore si Italia, Greqia dhe Shqipëria.
"Ka një koncept të ri për trashëgiminë; është të bërit pjesë në patrimoninë e madhe evropiane ku të gjithë kanë vlerat brenda një shtëpie", është shprehur Pango. Ndërkohë që kjo përkon me reklamën e madhe për të gjithë vendet e Evropës për kthimin e monumenteve në vendet e tyre.