Vargje ne province
Ajo nuk e ka braktisur asnjëherë këtë qytet që shiu e bën aq romantik. Ca rrugë i kujtojnë fëmijërinë, kohët kur përpiqej të kuptonte tingujt e pianos që dilnin nga duart e një gruaje të huaj, një tjetër rrugë trishtimin dhe diku në apartamentin ku ende sot ndan jetën ndodhet ai, burri me të cilin ndau jo vetëm dashurinë. Janë shumë gjëra që një grua në moshën e saj mund të thotë për të shkuarën. Aq më tepër kur kjo e shkuar, ka qenë një rrugëtim jo i lehtë për të mbajtur atë çfarë ishte më thelbësore në jetën tënde, të shkruarën.
Dhe teksa nis të tregojë gjithë këtë rrugëtim përtej xhamave të qelqtë të syzeve, sytë e saj tregojnë se ajo gjithnjë ka besuar se poezia ka qenë diçka që s‘mund ta braktiste kurrë, diçka që endet ende në trupin e saj teksa ajo bën këtë rrëfim.
Është Beatriçe Balliçi, një nga poetet e njohura për lirizmin që gjithnjë e ka përshkruar, një grua që ka ditur gjithnjë të besojë te të vërtetat, e cila rrëfen më poshtë diçka më tepër për jetën e saj përkrah poezisë…
E nisim bisedën nga koha kur ju nisët të shkruanit. Si mund ta përshkruaje udhën tënde drejt poezisë?
Mendoj se poezia ka lindur tek unë përpara se të ulesha dhe të shkruaja vargun e parë. Janë ato momentet e tërheqjes mënjanë, diku në një kënd të fshehtë, marrja e një libri në duar dhe marrja gjatë me të, përpjekja për të thënë diçka... Kështu e kujtoj së paku. Ndoshta prandaj them se poezia tek unë ka filluar më përpara se unë të shkruaj. Kanë qenë shumë net, shumë pasdite, çaste nga fëmijëria që i kujtoj shpeshherë, ku kudo më shfaqet ajo tërheqja mënjanë, meditimi i gjatë reflektimi. Ndoshta se dhe fëmijëria ime ka qenë e bukur për mua, pasi e kam kaluar pothuajse mes dy familjeve. Në familjen time me prindërit e mi, dhe në familjen e kushërinjve të mi, të cilët nuk bënin fëmijë dhe më mbanin afër me dëshirën për të më birësuar. Unë isha një fëmijë me fat që isha e dashur në të dyja këto familje kaq të ndryshme. Te kushërinjtë e mi, ose daja siç e thërrisja gjithnjë ai kishte një grua të huaj, e cila kishte punuar si gazetare, pikturonte dhe i binte pianos dhe e imagjinoni sa çaste të bukura kaloja në atë realitet krejt të ndryshëm nga familja ime. Tashmë që hedh sytë në të shkuarën, mendoj se aty ndoshta e kam marrë dhe spunton e parë. Pasi aty komunikimi ishte ndryshe. Flitej për libra, për muzikë, pikturë, për autorë të mëdhenj të letërsisë. Ja një moment. Xhaxhai im kur vinte dikush dhe trokiste në derë thoshte nga brenda: "Hajde hyr brenda se jam me një burrë të zgjuar". Dhe nëna ime largohej duke i thënë se "do të vij më vonë". "Jo i thoshte ai, hajde se jam duke lexuar Gëten". Unë isha e vogël, por i regjistroja të gjitha këto detaje, dhe në momentet e mia të tërheqjes mënjanë kërkoja të gjeja paralele, ose shpjegim për të gjitha ato gjëra që shihja e jetoja aty… Ndoshta kështu filloi poezia tek unë. Nga ata njerëz që ishin aq poetikë dhe që kanë mbetur të tillë në memorien time.
Tashmë kur shikoj filma që kanë subjekte nga Lufta e Parë ose e Dytë Botërore dhe shoh aktorët që interpretojnë aty, mua më kujtohen gjithnjë ata dy njerëz aq të shtrenjtë për mua. Të tillë i shoh, pasi ata mbanin në vetvete dhe idealet e asaj periudhe ku jetuan, romantizmin dhe dëshirën për një jetë plot zhvillim. Ndoshta nga ata kam marrë dhe konceptin për punën. Sepse nuk shihja një boshllëk asnjëherë siç mund të shihja një lloj parazitizmi në jetën patriarkale që bëhej në ato kohë.
Rinia juaj u përket viteve ‘70-‘80? Cilët ishin autorët që lexoje, apo ata që ndikuan në ato çfarë ti shkruaje?
Në atë kohë ne lexonim ata poetë që përktheheshin dhe i lexonim me një kureshtje tepër të madhe. Por lexonim dhe autorët tanë të mëdhenj si Ismail Kadare ose Dritëro Agolli. Më kujtohet që vëllimin me poezi "Shekulli im" të Kadaresë në ato kohë nuk e gjeja dhe e kam shkruar me shënime në fletore. Por lexonim dhe Eseninin dhe ata pak autorë të huaj që ishin në shqip i mësonim përmendësh…
Në vitin 1973 fillon lufta kundër shfaqjeve të huaja në letërsi dhe në arte, dhe atë periudhë e quaj si një acar, një dimër të vërtetë për artet dhe brezin që unë përfaqësoj. Në atë kohë unë sapo kisha kaluar të 20-at, imagjinoni se çfarë mund të prisje të shkruanin poetët e brezit tim. Sigurisht, në një moshë të tillë kërkon të shkruash për dashurinë, ose atë përpjekje që kishte filluar për të shkruar për qenien apo filozofinë ekzistencialiste siç shkruante atëherë Xhevahir Spahiu apo Moikom Zeqo. Por të gjitha këto elemente u quajtën shfaqje të huaja dhe ra menjëherë mbi poezinë tonë si një acar do ta quaja. Një acar që të gjitha këto frymëzime i ngrinte. Filloi censura dhe autocensura. Më kujtohet thënia e një shokut tim poet që ishte më i rritur nga unë i cili më tha "Beatriçe ti nuk mund ta shkruash më poezinë". Kjo pasi në atë periudhë unë kisha filluar të njihesha si poete, kisha prezantuar një sërë ciklesh poetike në shtypin e kohës bile isha vlerësuar dhe me çmime kombëtare nga "Zëri i Rinisë", kisha nxjerrë librin tim të parë "Kush m‘i fali manushaqet" në vitin 1972. Dhe papritur nis kjo fushatë ndaj arteve dhe këshilla që miku im më dha ishte "Nuk mund të shkruash ndryshe ti, por do të bësh mirë të shkruash letërsi për fëmijë". Dhe nga ai moment unë kam shkruar shumë libra për fëmijë dhe aty pata sukses, pasi lirizmi që përshkonte poezinë time, e gjeti shumë mirë veten te poezia për fëmijë. Kam shkruar libra për fëmijë që janë pritur mirë. Madje, më 1974-ën kam marrë pjesë në një konkurs kombëtar me librin "Kam bërë një buqetë" dhe jam vlerësuar me çmimin e tretë. Tashmë mendoj që ajo këshillë më ka bërë mirë, sepse së paku nuk e lashë poezinë, nuk e braktisa, por e mbajta gjallë brenda vetes.
Të ndalemi sërish tek ajo periudhë, e cila nuk duhet të ketë qenë e lehtë për një poete si ju kaq lirike. Çfarë ndodhi me poezinë tuaj, vazhduat të shkruanit?
Vazhdova të shkruaja, aktivizohesha në festivale të ndryshme të këngës për fëmijë dhe të rritur, shkruaja cikle, madje t‘ju them të vërtetën u përpoqa të përshtatja kërkesën e kohës me poezinë time. E bëra një përpjekje të tillë. Mendova se në qytetin ku jetoja ndodhej Kombinati Metalurgjik, pse të mos shkoj të bëj një takim me punëtorët, ndoshta gjej frymëzim dhe atje dhe shkruaj. Kam shkuar deri në katet më të larta, në oxhakun më të lartë të Kombinatit dhe shkrova një reportazh për punëtorët, u përpoqa të bëja dhe poezi, por të them të vërtetën poezia doli një stonaturë e vërtetë. Vargjet kur i kujtoj sot më ngjasojmë si tulla që vendoseshin diku në një mur, pasi nuk isha unë në to, nuk ishin ato çfarë unë vërtet do të kisha dashur të shkruaja. Kështu e ndjeva se nuk kisha asgjë të përbashkët unë si poete me poezinë e kohës me atë poezi që quhej e angazhuar.
"Arti është një proces, e tillë është dhe poezia". Çfarë ka ndryshuar me poezinë tënde gjatë viteve, si ka qenë procesi i saj për të ardhur në formën që ka sot?
Dhe poezia si arti është një proces i gjatë që mban në vetvete refleksionin, ulje-ngritjet e saj derisa vjen një moment kur ti e kupton që në të gjithë këtë hark kohor ka mbetur ajo çfarë është më esenciale te ti. Në rastin tim tipari esencial i poezisë ka qenë lirizmi dhe unë e kam ruajtur thellë atë, pavarësisht vërejtjeve që më janë bërë. Më kujtohen analizat vjetore që bëheshin në degët tona të Lidhjes. Akoma i sjell në mendje ato ditë të dëshpëruara kur vihej në shënjestër poezia ime, pasi nuk kishte lidhje me kohën, nuk kishte angazhim brenda. I kam vuajtur shumë ato kohë, ashtu siç kam vuajtur kohët kur emri im filloi të spostohej nga autorët e suksesshëm që evidentoheshin gjatë këtyre analizave vjetore. Filluan të dalin emra të tjerë në skenë dhe e ndieja veten disi të mënjanuar. Me keqardhje e kam përjetuar atë moment. Dhe nëse i referohem pyetjes suaj, mund t‘ju them se poezia ka fituar shumë nga eksperiencat e jetës, nga pjekuria si individ. Ka fituar meditacionin, ka fituar vështrimin filozofik të gjërave. Por të gjitha këto nuk e vrasin lirizmin, pasi ato mund të thuhen edhe nëpërmjet lirizmit. P.sh Eluari të cilin unë e kam për zemër si autor, mbetet një poet i madh dhe pse ka qenë i angazhuar. Kjo pasi mënyra sesi i ka përcjellë mesazhet kanë qenë nga pikëvështrime shumë humane dhe lirike, tepër njerëzore. Kështu, nëse do të bëja një bilanc të poezisë sime, ajo ka ruajtur atë çfarë ka qenë më esenciale dhe ka fituar një pjekuri dhe një tipar moderniteti në rritje.
Ju s‘e keni braktisur asnjëherë qytetin tuaj të lindjes, Elbasanin. Mund të më thoni se çfarë është për ju ky qytet?
Ky qytet është vendlindja, këtu kam ndarë të gjitha vitet e jetës sime, shoqëritë, miqësitë, kam ndarë emocione të shumta, dashurinë time. Dhe sigurisht e kam me vete, ashtu siç thotë një poet grek "Kudo që shkoj Greqinë e marr me vete si një plagë". Edhe unë e marr kudo me vete këtë qytet. Sa herë që them që do të lëviz nga ky qytet e kuptoj se është thjesht një fjalë. Por edhe sikur të largohem janë shumë gjëra që i gjej vetëm këtu. Është ullishta, janë manushaqet, është Kalaja, Normalja, janë këta njerëz të mrekullueshëm, elbasanasit autoktonë, trëndafilat, kopshtet…
Janë njerëzit që si të gjithë njerëzit kanë edhe ato anët e tyre me të cilat ndonjëherë nuk jam pajtuar. Duke qenë poete, duke qenë krijuese, kam dashur ta shoh qytetin gjithnjë e më të mirë dhe qytetarët e tij gjithnjë e më të përsosur. Ndaj ndonjëherë kam qenë në një kontradiktë të heshtur me qytetin tim, pasi kam dashur ta tejkaloj. Është i shtrenjtë si qytet më ka dhënë shumë.
Mendon se poezia e ruan ende sot forcën për të përcjellë diçka?
Poezia mund të përcjellë shumë. Kjo pasi misioni i saj ky është të përcjellë të transmetojë, ta bëjë njeriun më të bukur, më fisnik. Ta bëjë atë më të lirë, më të fortë. Ne nga letërsia dhe arti jemi rritur. Nga veprat e bukura të autorëve që kemi lexuar jemi formuar. Edhe vetë fillojmë e bëhemi pjesë e këtij grupi njerëzish që duke qenë se kanë si një thirrje të brendshme thirrjen artistike, kur shkruajnë kanë parasysh që vepra e tyre të mund të japë një lloj triumfi. Të jetë arti si një festë e njeriut kundër dëshpërimit, si një triumf kundër së keqes si një rreze drite dhe në natën më të plotë. Kam parasysh Eluarin, i cili thotë "E plotë nata kurrë s‘mund të jetë". Prandaj unë mendoj se këtë gjë e shohin të parët poetët dhe duke e shkruar këtë nuk bëjnë gjë tjetër përveçse përcjellin besimin, aspiratën, përcjellin deri në frymën e fundit idenë e njeriut të fortë, idenë e mosdorëzimit përballë së keqes, idenë e transformimit të çdo gjëje.
Poezia i flet edhe atij njeriu në dukje i keq, pasi ajo e di se edhe tek ai ka një pjesë njerëzore në vetvete, e cila mund të zgjohet nëpërmjet vargjeve.
Çfarë ndodh me ju kur uleni dhe shkruani? Nëse mund të na tregoni ato intimitete mes teje dhe poezisë?
Poezia është e tillë që ajo nuk mund të shkruhet në çdo kohë, por shkruhet në kohën kur vjen. Dhe nuk ka rëndësi ku mund të jem unë. Mund të jesh edhe në gjumë të del gjumi nga një emocion apo një përjetim i fortë, dhe mendoj se në këto raste poezia ka qenë më e vërtetë dhe më e bukur. Më ka ndodhur të kem poezi të tilla në krijimtarinë time dhe ato mbajnë emocionin e fortë brenda, pasi nuk kanë stisje kërkime për figura për metaforë, për një strukturë. Ajo vjen natyrshëm si diçka që është akumuluar ose ka ndenjur aq gjatë sa nuk mund të presë më dhe do të shpërthejë domosdo. Nuk jam dakord me poetë që thonë se kam një program dhe për poezinë. Unë mendoj se proza mund të shkruhet me program. Kurse poezia është një befasim, është një dridhje, një tronditje, një kënaqësi, një emocion që shkruhet në moment.
E ndieni veten me fat?
Unë këtë gjë nuk e dija. Kur isha e vogël e dëgjoja nga të tjerët që thoshin sa me fat është që shkruan. Fillova ta besoja dhe vetë që ishte fat në vetvete që bëjë diçka që të tjerët nuk kishin mundësi që ta bënin. Që kur isha e vogël botoja në gazetën "Pionieri" pastaj në "Zëri i rinisë", dhe nga njerëzit shihesha si një vajzë plot fat. Se në atë kohë nuk shkruanin shumë vajzat dhe unë shihesha si një e re që e gëzoja këtë fat. Në fakt, më tepër ishin të tjerët që ma bënin prezent këtë. Ndërsa tani mendoj se vërtet është fat të bësh pjesë në bashkimin e atyre njerëzve të mëdhenj që njësoj si ti kundrojnë një perëndim dielli, prekin dhe e shkruajnë provojnë emocione dhe ua dhurojnë të tjerëve. Dhe përmes dhimbjesh ata shkruajnë për të kënaqur të tjerët. Sërish është fat. Megjithëse në një poezi timen e kam quajtur poezinë dhe fat dhe fatkobi. Këtu nuk kam pasur parasysh veten time, por fatin e shumë artistëve të mëdhenj që shpeshherë arti u është kthyer në një fatalitet. Ndoshta kjo vlen për artistët e mëdhenj për ato dimensione tepër të mëdha njerëzish që shpallen në fushën e artit, të cilët dhe janë flijuar për artin. Ato mendje kaq të rralla të njerëzimit që arti u është kthyer jo në fatin e tyre, por në fatkob.
Poezia është e bukur dhe trazuese. Sa e ka trazuar jetën tënde?
Poezinë e kam parë gjithnjë si një mbështetje. Në momentet e mia më të vështira ishte poezia që më lehtësonte. Në momentet kur ishte e ndaluar të këndoje me zërin tënd, ashtu siç ju rrëfeva më lart, kur nuk mund të shkruaje çdo gjë që të vërshonte ty në shpirt mendoj se ajo bëhej aleatja ime, dhe vuante njësoj si unë. Nëse vuaja për shkak se nuk mund ta shkruaja dot poezinë, mendoj se edhe ajo vuante njësoj, pasi dukej sikur e kisha lënë në harresë ose e kisha braktisur përgjithmonë. Në fakt, unë se braktisa asnjëherë, nuk hoqa dorë asnjëherë nga ajo, pasi ajo ka qenë brenda meje, ka qenë bashkudhëtarja ime, ka qenë mikesha ime më e mirë, ka qeshur e qarë me mua. Nuk mund të them se ma ka trazuar jetën, ma ka bërë më të bukur. Kur isha me të ndihesha më e fortë.
I kujtoni vargjet e fundit që keni shkruar?
Kohët e fundit kam shkruar disa poezi. Ndoshta me kalimin e viteve të gjithë poetët kërkojnë të shkruajnë për vdekjen. Dhe unë padashur kam shkruar për të. Por nuk kam shkruar për vdekjen nga frika. Por kur shohim kaq vdekje gjërash, dhe harrim ajo vjet te ti në një formë ose një tjetër. E rëndësishme është që vdekjen të mos e kesh frikë. Një jetë njerëzore e zakonshme mjafton që ne të realizojmë një aspiratë ose disa aspirate.
Unë nëse e shkruaj këtë kohët e fundit, e ndiej që ajo vjen e më trazon në aspektin filozofik të trajtimit të saj. Sepse ka shumë të vdekur të gjallë, ashtu siç ka dhe shumë të gjallë të vdekur.
Harpa
Vajzë e re kur isha
Një harpë se ku binte
Sa herë flokët krihja
Thinjën e parë mes gishtash
E prek tani me ngadalë
Dhe s‘ndiej askund me harpë