Ankim tek UEFA për një rreze lazer në Francë
Skuadra e Mançester Junajtid i ka kërkuar UEFA-s të hetojë për rrezet lazer me të cilën një tifoz i Olimpikut të Lionit ka shqetësuar Kristiano Ronaldon gjatë të gjithë ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave. Ka qenë vetë trajneri i Mançesterit, Aleks Ferguson, ai që ka shpjeguar çfarë ka ndodhur në fushën e lojës. "Ne e vumë re një gjë të tillë gjatë nxemjes dhe lajmëruam menjëherë përfaqësuesit e UEFA-s. Kjo situatë vazhdoi edhe gjatë takimit, por UEFA është në dijeni të gjithçkaje, pasi po monitoronte situatën. Ata bënë të ditur se po merreshin me këtë çështje, por nuk di të them për sa kohë vazhdoi shqetësimi i futbollistit tonë nëpërmjet kësaj rrezeje lazer", tregoi trajneri i "djajve të kuq". Shqetësimet me rreze lazer janë bërë të njohura në stadiume të ndryshme të Evropës gjatë kohëve të fundit. Kjo lojë kushton shumë pak dhe është e vështirë të zbulohet gjatë kontrolleve në hyrje të stadiumit. Për këtë arsye, tifozë të ndryshim marrin këto rreze lazer me vete dhe shqetësojnë kundërshtarët. Kristiano Ronaldo nuk është i vetmi futbollist që e ka pësuar gjatë kohëve të fundit. Jens Lehman, gjatë ndeshjes mes Austrisë dhe Gjermanisë, shqetësohej vazhdimisht nga tifozeria vendase që i hidhte një rreze të gjelbër në fytyrë sa herë që kishte goditje nga këndi apo goditje dënimi në favor të austriakëve. Më e keqe ka qenë situata e Didier Dorgba në ndeshjen me Uest Hemin, pasi sulmuesi, duke u munduar t‘u shmangej rrezeve lazer të tifozëve, pësoi një dëmtim në gju.